Albini te Çimi: Intervista që s’e pamë

Periskopi.com Lajme

Përmbledhje të shifrave pa kontekst, përgjithësime në çështje konkrete, metafora në vend të qëndrimeve qeveritare – këto do të ishin thekset e intervistës së mbrëmshme të Kryeministrit Kurti në emisionin Çim Peka Live.

-Shkruan: Periskopi- 

Këtu, s’do të ndalemi te qasja e çuditshme e Kurtit që të intervistohet vetëm nga mediat jo-vendore. Tashmë, kjo është bërë normë e tij. S’do të ndalemi as në interpretimet e përgjigjeve të tija, meqë ato përgjigje i kemi dëgjuar ndër vite, në paketime të ndryshme. Gjithçka ishte e njëjtë, përfshirë edhe obsesionin qendror të Kurtit ç’prejse ulet në karrigën e kryeministrit – shfajësimin e vetes për çkado të pakëndshme që ndodhë në Kosovë.

Mbrëmë te Çimi, Kurti e vazhdoi lojën e vet të tejdukshme të ngatërrimit të tezave që e kishte filluar që në vitin e largët 2005. Edhe mbrëmë e përsëriti se kishte qenë kundër Ahtisaarit (e që në fakt, nuk ka qenë), se kishte qenë kundër Decentralizimit (e që në fakt, nuk ka qenë), se kishte qenë kundër negociatave e Dialogut (e që në fakt, nuk ka qenë) dhe, rrjedhimmisht, se kishte qenë kundër marrëveshjeve të arritura nga, siç thoshte, ‘pararendësit’ e tij Thaçi e Mustafa – por që në fakt, nuk ka qenë, e as nuk është.

Edhe mbrëmë, Kurti u përpjek ta zhvillojë një lloj të alkimisë komike mediale: që për vendimet e veta t’i fajësojë të tjerët. Dhe këtë, pa ujë në sy. Nuk përtoi ta ndërton një sistem të tërë të justifikimeve vetëm për ta shfajësuar veten. Sipas tij, dëmet që ishin bërë ndër vite në Dialogun Kosovë-Serbi, ky nuk mund t’i riparojë.

Por, nëse është ashtu, pse atëherë ka nevojë t’i implementojë?

Pse ka nevojë që patjetër të nënshkruajë ‘udhërrefyes’ për implementimin e marrëveshjeve të dëmshme, çfarë është, sipas tij, kjo e fundit për energjinë? E vërtetë, Thaçi e Mustafa kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel, por nuk ia dolën t’i implementojnë. Pamundësia e zbatimit në realitet i atyre kushtoi me humbje të qeverisjes. Sikurse Thaçi, ashtu edhe Mustafa dhe Haradinaj u rrëzuan jo për shkak të pranimit të marrëveshjeve – por për shkak të mos-implementimit të tyre.

Kurti po e përdor një truk tjetër: ky po këmbëngul në mosnënshkrim e mospranim të marrëveshjeve të reja, por po zotohet në implementimin e të vjetrave. Me këtë truk po mendon se i arrin dy suksese për vete: të prezantohet konstruktiv para presioneve ndërkombëtare dhe parimor para elektoratit vendor meqë – nuk është faji i tij.

Mbrëmë, teksa i përgjigjej Çimit, Kurti ishte i bindur se këto qëndrime hipokrite do t’i blejnë atij kohë të mjaftueshme që ta çojë deri në fund mandatin e vet. Sipas llogarisë së tij, implementimi i marrëveshjeve tashmë të nënshkruara do ta konsumojë se paku një vit – derisa implementimi i asaj që është më problematike, i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të mos vjen në rend të ditës në tavolinën e Brukselit.

S’do mend, askush më mirë se Kurti sot nuk e din se implementimi i Marrëveshjes së Asociacionit është i pashmangshëm. Mirëpo, sipas përgjigjeve të mbrëmshme, ky po preferon që kjo të lihet për fund, duke shpresuar se zbatimi i të tjerave, si ajo për Energji dhe Targa, mbase do të krijojnë moment më të volitshëm që do t’i ndihmonte elektoratit kosovar ta përbijë më lehtë Mashtrimin Kapital. E që, natyrisht, s’do të jetë faji i tij.

Përmbledhur, atë që e dëgjuam mbrëmë duhet të kuptohet kësisoj: çkado që do të zbatohet nuk do të jetë faj i Kurtit, por i pararendësve. Ndërkohë, nëse presionet ndaj tij rriten, ai qysh tani e ka të gatshëm justifikimin e radhës për elektoratin dhe militantët: lufta në Ukrainë, agresioni i Rusisë dhe ndryshimet tektonike në gjeopolitikën globale – tema këto që i sheh në proporcion të drejtë me kapacitetin dhe rëndësinë e tij intelektuale. Pra, në kushte të një çrregullimi të paparë botëror, edhe Kurti parimor do të detyrohet të lëshojë pe. Siç do të thoshte zëvendësi tij, Besnik Bislimi: ‘vetëm injorantët nuk ndryshojnë qëndrime kur ndryshojnë rrethanat’: e, ku po don ndryshim më të madh të rrethanave që do t’i kishte hije ndryshimit të mendjes së një gjiganti politik si Kurti, se sa një kataklizëm politike me Rusinë në qendër?

Edhe mbrëmë, te Çimi, kryeministri na shiti pak dushk për gogla: na tha se nuk ka ndryshuar edhe pse ka ndryshuar; na tha se nuk do të ndryshojë, edhe pse gjasat janë të mëdha të ndryshojë përsëri. Por, tha edhe diçka: se nuk është e pamundur që opozita e sotme t’i fitojë zgjedhjet e nesërme. Edhe këtë e tha në kontekstin e njejtë, me një dozë të katarzës së njeriut i cili e ka obsesion ikjen nga përgjegjësia para ndërkombëtarëve dhe shfajësimin para vendorëve. Kësisoj, Kurti po ashtu na dëftoi që, nëse nuk i dalin hesapet qysh do ai me Dialog, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja nga të cilat ai nuk do të del kryeministër. Pjesërisht sepse nuk do t’i konvenonte, e pjesërisht sepse popullariteti i tij dhe i organizatës së tij është në rënie të lirë.