Alibeaj mbledh grupin parlamentar për presidentin: PS prishi marrëveshjen

Alibeaj mbledh grupin parlamentar për presidentin: PS prishi marrëveshjen

Enkelejd Alibeaj ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Demokratike ku u diskutua për kandidaturat për emrin e presidentit. Në këtë mbledhje marrin pjesë 20 deputetë të PD.

Gjatë diskutimeve brenda mbledhjes, Alibeaj tha se opozita nuk duhet të marrë pjesë për shkak se “Partia Socialiste nuk respektoi marrëveshjen”.

Ndërsa Gazment Bardhi u shpreh se Kryeministri Rama e paracaktuar Presidentin, e për këtë arsye opozita duhet ta braktisë procesin e konsultimeve.

“Që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Opozita duhet të hynte në proces për t’i rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual. Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për t’i ofruar shqiptarëve një President konsensual. Shumica ra dakord publikisht për propozimin e procedurës së propozuar nga ne. Vetëm pas nisjes së procesit dhe propozimeve me emra konkret të grupit, Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja. Pas tërheqjes nga marrëveshja publike, unë mendoj që grupi ynë duhet ta konsiderojë të mbyllur këtë proces. Edi Rama prishi marrëveshjen me opozitën, sepse nuk do një President për shqiptarët. Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja, sepse e ka paracaktuar Presidentin. Prandaj unë mendoj që grupi duhet të dalë me një deklaratë ku të sqarojë këtë pozicion dhe ne nuk duhet të vazhdojmë më me këtë pasi maska e fasadës së Edi Ramës ka rënë”.

Por kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një prononcim jashtë selisë blu, tha për gazetarët se Alibeaj nuk ka asnjë tagër dhe autoritet nga Partia Demokratike.

“Veç autoritetetit që i jep Edi Rama, Alibeaj nuk ka asnjë autoritet dhe tagër nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Çdo veprim i tij është sintonizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga Edi Rama me kallp opozitën”, u shpreh Berisha. /tvklan.al/

Shpërndaje në: