Aliu thotë se fryma korruptive në pushtetin lokal mund të jetë pengesë për realizimin e projekteve

Aliu thotë se fryma korruptive në pushtetin lokal mund të jetë pengesë për realizimin e projekteve

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shpjeguar për moton e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale “Bashkë qeverisim” dhe deklaratat e tilla se s’mund të arrihen qëllimet e synuara të Vetëvendosjes në nivel qendror pa udhëhequr edhe me komunat.

Aliu tha se mënyra e qeverisjes së deritanishme nëpër komuna do të mund të jetë pengesa për realizimin e planeve të tyre që nëse do të kishin kryetarët nga partia e tyre mbase s’do ta kishin këtë shqetësim.

“Shumë projekte që synojmë nga niveli qendror do të realizohen në komuna. Se cila do të jetë gjuha e komunikimit me nivelin lokal mbetet të shihet. Gjuha brenda një qeverisje çfarë është kjo e nivelit qendror sot jo çdoherë do të haset në nivelin lokal. Ekzistojnë gjithmonë motive të ndryshme prapa qeverisjeve lokale të cilat mbase do të jenë pengesat kryesore për realizimin e shumë projekteve. Ta zëmë që dëshiron ta realizosh një projekt për një impiant ose një rruge të caktuar dhe duke e parë mënyrën se si është qeverisur dhe ndërtuar deri tash, duke e parë cilësinë e punimeve, kontrollin e cilësisë apo si kanë shkuar elementet korruptive që po i hasim çdo ditë, në këtë frymë të njtëjtë do ta kemi vështirë të bashkëpunojmë dhe komunikojmë me nivelin lokal, i cili vazhdon ta ketë të njëjtën frymë. Pra, kjo e njëjta frymë shkaktohet në pengesë se nuk merresh vesh dot me një projekt në nivelin lokal kur ekziston motivi i një natyre krejt tjetër. Ne sot vërejmë kudo në projektet që i shohim abuzim me pushtetin në raport me projektin”.

Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes në Rubikon foli edhe për koalicionet që i lidhën me disa parti në disa komuna, e për të cilët tha se kanë qenë “pjesë e përpjekjes për të funksionuar në mënyrë të organizuar” dhe se varen nga qëllimi që kanë pasë.

“Bashkëpunimi me subjektet tjera për një qëllim të caktuar është nevojë dhe mbase domosdoshmëri e subjektit politik. Dhe kur ne duam që në një pikë të caktuar ta luftojmë korrupsionin ne kërkojmë nga të gjithë që të ndërrojë kjo”.

Shpërndaje në: