Alo Dragan, si je? A mos ma ke vrarë shoqen në luftë?

Alo Dragan, si je? A mos ma ke vrarë shoqen në luftë?

Titulli i këtij shkrimi është banal dhe brutal. Ashtu siç jemi duke i trajtuar të zhdukurit në luftë, të dhunuarit, invalidët, veteranët e vërtetë, dëshmorët e martirët. Të gjithë jemi duke i trajtuar: banalisht dhe brutalisht.  

Në paraditën e së enjtes së 16 majit 2019, derisa në prapavijë dëgjoheshin fjalimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, teksa diskutonin në prag të votimit të Rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, ishte deputetja e PDK-së, Flora Brovina ajo që para mediave, në këndin në fund të sallës, po fliste.

Deputetja Brovina, prezantoi një fotografi që mori gjithë vëmendjen e ditës. Në fotografi, ajo pretendonte, se ishte një grua e dhunuar nga ushtarë serbë, gjatë luftës në Kosovë.

Duke qenë se jemi një gjeneratë që pothuajse shumica kemi përjetuar luftën dhe shumica prej nesh, kemi rrëfime tona nga lufta, ishin disa momente që pakkujt i shkoi në mendje një gjë: a duhej ta kapnin kamerat atë fotografi (që në orët e mbrëmjes do ta merrtë një vëmendje tjetër) dhe a duhej ta publikonim në mediat ku punojmë si gazetarë. Ndoshta nuk u menduam gjatë dhe fotografia u publikua.

Fotografia ishte shokuese. Të gjithë kemi parë (e shumë mund të kenë qenë edhe dëshmitarë vrasjesh e masakrash, për të parën pra vrasje, është dëshmitare edhe autorja e këtij shkrimi), por këso fotografie nuk kishim parë kurrë. Edhe pse – të gjithë – e dimë që atë që e pamë në fotografinë mbi të cilën në orët e pasdites do të hedheshin dyshimet se ishte marrë nga një faqe – shumë e rëndë për ta shkruar në këta rreshta – pornografike. Por, e dimë të gjithë se dhuna seksuale nga forcat serbe në Kosovë, ka ndodhur.

Cili është mësimi që duhet ta nxjerrim?

Para pak ditësh, kur zonja Nysrete Kumnova, foli pikërisht në Kuvendin e Kosovës, përmendi me emra serbët që dyshon se ia kanë zhdukur familjarët. Disa media, kontaktuan njërin nga serbët e apostrofuar, për ta pyetur: cka mendoni ju zotëri për këtë akuzë të nënës Nysrete. Deklaratën e tij, e publikuan qysh e kishte thënë, ai bënte be e rrëfe në atë telefonatë, se nuk ka prekë shqiptar me dorë gjatë luftës në Kosovë.

E njëjta ndodhi edhe me fotografinë që e përmbysi ditën e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. Mediat hallakatën nëpër Facebook dhe thanë që ‘ky qenka njëri nga ushtarët serbë në fotografinë e publikuar nga zonja Brovina’.

Pastaj, kishte edhe media që shkonin më tutje, e publikuan fotografinë në llogaritë e tyre zyrtare në Facebook, me pyetjen: “Si e komentoni ju këtë fotografi”. (Imagjinoje hej).

Në këtë gjurulldi edhe ne i bëmë gabimet tona, që duhet t’i pranojmë. Periskopi, e ka fshirë fotografinë (irakiane sic. ose të publikuar nga zonja Brovina) në momentin që është bërë thirrje nga Organizatat që ajo të fshihet. Dhe nuk i kemi rënë pishman për këtë – cilado që të jetë historia e saj (irakiane sic. ose sic pretendon zonja Brovina).

Veç edhe pak për rasitn e para disa ditësh: duke tentuar të bëhemi senzacionalë, në momentin kur Nysrete Kumnova përmend një emër të ndonjë ushtari serb apo jo ushtari, nuk është fort detyrë e jona ta vërtetojmë se a po rren zonja Kumnova. Nëse është kështu, do të ishte shumë e lehtë. Për secilin serb që dyshojmë, t’ia bëjmë një telefon dhe me mirësjellje, pse jo, ta pyesim: deshta m’e ditë, a mos ma ke vra babain/ nënën/ shoqen në luftë?

Sa për fotografinë e publikuar nga Flora Brovina, ajo meriton një Tribunal të veçantë hetimi. Do të kisha mbetur e shokuar (përjetësisht – meqë njëherë shokohemi veç kohë pas kohe) nëse dikush në Partinë Demokratike të Kosovës, ose në Lëvizjen Vetëvendosje, ose në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ose në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ose në Aleancën Kosova e Re, ose në NISMA’n për Kosovën, ose Partinë Socialdemokrate të Kosovës – të ekzistojë – që do t’ia jepte në dorë atë fotografi Flora Brovinës dhe do t’i thoshte: “kur unë të flas në prapavijë për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë, ti merre këtë foto dhe dil thuaj para mediave se është një grua e dhunuar në Kosovë…”.

 

Shpërndaje në: