Amatorizëm total: Episodi i parë i serialit ‘Rrushe’, është katastrofë e vërtetë kinematografike

Amatorizëm total: Episodi i parë i serialit ‘Rrushe’, është katastrofë e vërtetë kinematografike

Para se të fillojë kjo analizë, duhet ta qartësojmë… ka të bëjë vetëm me episodin e parë të serialit të ri të “Gjirafa Video”, “Rrushe”.

Nuk kemi vazhduar ta shikojmë serialin, dhe sinqerisht nuk e kemi as dëshirën e vullnetin ta bëjmë një gjë të tillë. Çdo gjë që shkruhet në vazhdim ka të bëjë vetëm me episodin e parë. Do të donim të besonim se gjërat janë përmirësuar në vazhdim, por dyshojmë fuqishëm.

Është shumë interesante si e kanë aq të lehtë ta fshehin mediokritetin nën një hije të esktravagancës, thua ti se publiku kosovar nuk e ka aspak forcën dhe aftësinë intelektuale për ta kuptuar dhe dalluar artin dhe artistin pretendues, shkruan Periskopi.

“Rrushe” është shembulli më i mirë i këtij fenomeni. Një përzierje e shkrimit dembel, dhe regjisë katastrofale, “Rrushe” shndërrohet në një manifestim te gjithçkaje çka nuk është në rregull me kinematografinë kosovare. Në vazhdim, do të ndajmë në disa pika kryesore, pa dashur të lodhim lexuesin e dashur me informacione dhe analiza koti, por vetëm të mundohemi të nxjerrim thelbin e problemit që e shohim ne si shikues në episodin e parë.

Të flasim ne fillim për skenarin, i cili jo vetëm qe vërehet se është shkruar me mundin më të vogël të mundshëm, por thua ti e ka shkruar dikush që s’ka qenë kurrë në Kosovë. Asgjë që ndodh në këtë episod nuk ka kurrfarë karakteri apo identiteti kulturor që e lidhë sadopak me jetën në Prishtinë.

Më gjasë, skenaristët tanë mendojnë se e vetmja gjë që na lë përshtypje për ta parë veten nëpër këto seriale, është t’i shohim personazhet duke përdorë gjuhë ofenduse, dmth duke sharë, ose t’i paraqesin personazhet duke pirë kafe në kafenetë që I frekuentojmë edhe vetë. Asnjëherë gjatë 40 minutave, nuk jemi ndjerë se kam takuar, ose kam eksperiencuar diçka te ngjashme çka është paraqitur në këtë episod.

Madje, për shumë prej personazheve, mund të themi, që as nuk kemi dëgjuar dikë në Prishtinë duke folur në atë mënyrë. T’i marrim disa shembuj; Një prej storieve që prezantohen në këtë episod (të cilat, na besoni, janë aq shumë sa që dyshojmë se do të arrijnë t’i ndërlidhin të gjitha ne fund), një drejtor i një shkolle fillore kërcënon mësuesen e artit sepse ajo është duke perdorur disa metoda paksa më të çuditshme të mësimit.

Ai e kërcënon sepse, vetëm analizoni këtë, një profesoreshë tjetër, e cila – siç e kuptuam – jep një lëndë shkencore (e kuptoni: sepse artistat janë shumë të lirë, ndërsa këta të shkencës janë gjithmonë kundër ndryshimit, dmth stereotip i serialeve për fëmijë), nuk po i pelqen kjo mënyrë e re. Ne absolutisht nuk mund ta marrim me mend një skenë të tillë duke ndodhur nëpër shkollat tona.
Është dramë e kotë, demode dhe pa kurrfarë efekti artistik e social. Nuk e dimë saktësisht çka deshi skenaristi të thotë me këtë skenë, por supozojmë se e vetmja arsye që e ka shtyrë atë të shkruajë diçka të tillë, është dëshira për ta vendosur Enver Petrovcin (që, dorën në zemër, është brilant në këtë skenë), në një rol që i jep platformën perfekte për të aktruar në mënyrë maniake dhe të çuditshme.

Sidoqoftë, shkrimi nuk është problemi më i madh që hasim në këtë episod. Regjia është nivel tjetër katastrofës.

Jo vetëm që nuk e lë asnjë skenë të rrjedhë në mënyrë të natyrshme (për dallim prej disave që do t’i diskutojmë më vonë), por vërehet se shumica e aktorëve nuk kanë marrë direktivat si duhet. Për shembull, në një prej skenave, Vesa ose ‘Rrushja’, shkon në shtëpi për ta festuar ditëlindjen e nënës së vet. Ajo i dhuron asaj disa lule dhe diçka tjetër, por nëna e saj eskalon në nivel tjetër nga lumturia.

Asnjë person në botë, të paktën ne ashtu besojmë, nuk gëzohet deri në atë nivel pse vajza e saj, e cila – siç e kuptuam – jeton me ta… domethënë nuk e pati as nga malli, i blen disa lule për ditëlindje. Duket qartazi se direksionet që i ka marrë aktorja në fjalë kanë qenë të tilla, dhe faji për shume këso gabime i mbetet totalisht skenaristit, i cili duket se është munduar minimalisht për ta bërë këtë episod të shikueshëm, e lëre më të mirë.

Në një skenë tjetër, dhe kjo na ka bërë më së shumti përshtypje për amatorizmin e regjisorit në fjalë dhe aktorit, i cili ka qenë i përfshirë, është kjo: Rrushja shkon për ta dërguar një artikull në një portal (per çka bën fjalë artikulli nuk shpjegohet fare) dhe aty takon një person, i cili duket se është mbikëqyrësi i saj ne vendin e punës. Më vonë tregohet se ‘Rrushja’ në fakt e ka fiksim këtë person edhe pse – nëse e analizoni skenën tutje – duket se ata më shumë urrehen se që pëlqehen.
‘Rrushja’ dorëzon artikullin tek ai, dhe ky i fundit e falënderon dhe pas një bisede të shkurtër që, na besoni, mund t’ju shkaktojë kokdhimbje, personazhi mashkull afrohet te ‘Rrushja’, e ledhaton lehtë në krahët dhe i thotë: (me pauza Shekspiriane) “’Rrushe’… jam shumë krenar me ty”.
Jo vetëm qe askush që e kemi dëgjuar, sidomos në Prishtinë ku zhvillohet ngjarja, nuk flet në këtë mënyrë, po edhe sjelljet e tij janë aq te çuditshme sa që me të vërtetë duket si dikush që ka potencial t’i shkaktojë ndonjë lloj lëndimi Rrushes, më shumë se një person në të cilin ajo mund të dashurohet. Janë totalisht momente të tmerrshme dhe të dhimbshme për kinematografinë shqiptare.

A ka gjëra të mira në këtë episod? Pak, por ka. Çdo skenë me Andi Bajgorën (“Shok”) është me të vërtetë e kendshme, interesante dhe e xhiruar goxha mirë. Duket se ka qenë me i talentuari në atë grup aktorësh. Siç e permendëm edhe më lart, Enver Petrovci ia del shumë mirë në skenën që shfaqet, gjithashtu edhe Shkumbin Istrefi është ‘OK’. Çdokush tjetër që shfaqet në këtë episod mendoj se duhet sinqerisht ta konsiderojë një profesion tjeter. Shpresojmë që seriali të jetë përmirësuar, por si përfundim duhet thënë se në një vend ku kinematografia është e zhvilluar, episodi i parë konsiderohet si ‘pilot’, dhe nëse do t’i kishte këto gabime që i pati ‘Rrushe’, kurrë nuk do të transmetohej më në TV. /Periskopi.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: