Ambasada Britanike reagon ndaj lajmit dezinformues të RTK-së
Sipas këtij njoftimi, RTK ka dhënë një lajm jo të saktë.
Reagimi i plotë:
Komunikatë për shtyp
Më 5 Shkurt, RTK ka publikuar lajmin lidhur me procesin e rekrutimit të Drejtorit të Doganës së Kosovës. Ky lajm nuk është i saktë dhe RTK nuk ka bërë përpjekje serioze për të kërkuar informata nga ne paraprakisht. Në vijim gjeni korrigjimin në lidhje me lajmin:
Qeveria Britanike ofron mbështetje institucioneve të Kosovës në procesin e rekrutimit të pozitave të larta. Megjithatë, paneli i rekrutimit përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, është në pajtim me ligjet e Kosovës, dhe vendimi përfundimtar i takon institucioneve të Kosovës.
I tillë ishte edhe procesi i rekrutimit të Drejtorit të Doganës. Partneri zbatues i projektit, i financuar nga Ambasada Britanike, ka përgatitur panelin intervistues që të zbatojë rekrutimin në mënyrë profesionale, dhe ka monitoruar dhe marrë pjesë në procesin intervistues. Ministria e Financave e ka emëruar panelin intervistues.
Paneli intervistues ka përgatitur listën e shkurtër, dhe duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, partneri zbatues ka ofruar mbështetje dhe këshilla mbi zbatimin e procesit të përzgjedhjes përfundimtare. Anëtarët e panelit dhe partneri zbatues ka shprehur shqetësim lidhur me disa elemente të procesit dhe aftësinë e kandidatëve dy dhe tre nga lista e shkurtër. Këto shqetësime janë përfshirë në raportin e ndarë me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin. Një gjë e tillë është bërë pikërisht me qëllim që vendim-marrësit e insitucioneve të Kosovës të jenë të informuar drejtë me rrjedhën e procesit, dhe me parregullsitë e mundshme, para se të marrin vendim për një pozitë kaq të rëndësishme.
Procesi për zgjedhjen e Drejtorit të Doganës së Kosovës ka dhënë rezultat të qartë. Partneri zbatues dhe paneli intervistues janë pajtuar se kandidati me pikë më shumë në krahasim me secilin kandidat tjetër, ishte kandidati më i mirë për pozitën e Drejtorit të Doganës së Kosovës.
Nepotizimi është problem në Kosovë. Ky problem nuk do të zgjidhet brenda natës. Fatkeqësisht, ne presim rezistencë ndaj përpjekjeve për ta ndaluar këtë praktikë. Qeveria Britanike është e vendosur të ndihmojë, mirëpo suksesi arrihet vetëm nëse ka vullnet politik dhe institucionet e vendit zgjedhin kandidatët më të mirë.



