Ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyre Kurtit dy ditë para takimit me Vuçiqin

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përpara takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka pritur sot në zyre shefin e BE-së në Kosovë si dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e kryeministrit me anë të një komunikate për media.

“Në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, takuan përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

U bisedua për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, takimi Kurti – Vuçiq mbahet të enjten në kryeqendrën evropiane, Bruksel.