Ambasadori austriak në Kosovë: Jemi gjithmonë me ju, do iu përkrahim edhe për vizat

Ambasadori austriak në Kosovë: Jemi gjithmonë me ju, do iu përkrahim edhe për vizat

Austria ka qenë dhe mbetet një nga shtetet më mike të Kosovës. Ambasadori austriak në Kosovë, Christoph Weidinger pak javë pas sulmit tragjik në Vienë, ka dhënë opinionin e tij për këtë krim ku njëri nga sulmuesit dhe njëri nga viktimat ishin shqiptarë.

Sa ka ndikuar sulmi në imazhin e diasporës shqiptare, si e sheh Austria të ardhmen e Kosovës, cili është qëndrimi austriak për liberalizimin e vizave dhe si e shohin situatën pandemike në Kosovë, ambasadori Weidinger përgjigjet në detaje mëposhtë.

 

Indeksonline: Sulmi terrorist në Vjenë në të cilin u vranë katër persona ishte gjithashtu një tragjedi simbolike edhe për diasporën shqiptare. Tre oficerë policie që ishin në veprim kundër vrasësit kishin origjinë kosovare. Nga ana tjetër, çdokush mund të jetë mysliman, pavarësisht nëse është shqiptarë, austriakë apo arabë apo diçka tjetër. A është dëmtuar imazhi i shqiptarëve në Austri?

 

Christoph WEIDINGER: Unë vetëm mund të përsëris atë që tha kancelari Sebastian Kurz menjëherë pas sulmit: Armiku ynë i përbashkët nuk është as një grup i caktuar i popullsisë e as anëtarë të një komuniteti fetar; armiqtë tanë janë ekstremizmi dhe terroristët. Andaj dhe gjatë diskutimit në Austri rreth sulmit, nuk luan ndonjë rrol etnia e dorasit. Qytetarët në Vjenë dhe Austri janë të vetëdijshëm se shumë nga forca e sigurisë që kanë mbrojtur dhe mbështetur njerëzit në mbrëmjen e sulmit dhe që këtë e bëjnë çdo ditë tjetër kanë prejardhjen nga Evropa Juglindore. Austriakët janë gjithashtu të vetëdijshëm se personi i parë i vrarë gjatë sulmit kishte të njëjtën prejardhje etnike si autori i krimit.

Indeksonline: Çfarë mbështetje po i ofron Austria Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19?

Christoph WEIDINGER: Pandemia me Covid-19 paraqet një sfidë të jashtëzakonshme për të gjithë botën. Kjo na dëshmon që të gjithë jemi në të njëjtën situatë. Vetëm përmes bashkëpunimit do të mund të tejkalojmë këtë sfidë. Austria ka mbështetur Kosovën që nga fillimi i pandemisë. Ministri i Punëve të Jashtëme z. Alexander Schallenberg dhe Ministrja për Evropë znj. Karoline Edtstadler erdhën në Kosovë në fund të muajit Maj për ti dorëzuar ndihmë austriake kundër Covid-19, në vlerë prej 250,000 Euro. Këto mjete u përdorën për të blerë mbi 13 000 teste, duke i bërë këto teste një pjesë të rëndësishme në luftimin kundër pandemisë. Por pandemia po prekë edhe më të varfrit e shtresave në nevojë. Festa kombëtare austriake, e cila ishte me datën 26 tetor, na krijoj mundësinë të bëjmë një donacion me pako ushqimore për OJQ-në „Duart plot mëshirë“, përmes të cilit do ndihmohen më shumë se 100 familje në rajonin e Pejës. Qeveria austriake ka vendosur të ofroj edhe 12 milion euro tjera për iniciativat ndërkombëtare për ndihmë kundër COVID-19 në muajin e kaluar. Nga ky fond janë paraparë 2 milion për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Indeksonline: Zhvillimet rreth gjykatës speciale në Hagë. Disa politikanë të Kosovës janë arrestuar dhe tashmë ndodhen atje. Si duhet të sillen institucionet kosovare përballë këtyre zhvillimeve?

Christoph WEIDINGER: Natyrisht se i përcjellim me vëmendje zhvillimet dhe vlerësojmë në mënyrë pozitive gatishmërinë e autoriteteve kosovare për bashkëpunim si dhe veprimin shumë të matur të të pandehurve, për të cilët vlen prezumimi i pafajësisë. Sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat e njeriut janë vlera të rëndësishme në rrugën evropiane, rrugë të cilën e ka marrë Kosova. Themelimi i Gjykatës Speciale dëshmon që Kosova është e vetëdijshme për këto vlera dhe se i trajton ato me seriozitet. Austria ashtu si partnerët e saj evropianë do mbështesin punën e gjykatës edhe më tutje. Unë shpresojë që bashkëpunimi i deritanishëm nga autoritet në Kosovë do të vazhdojë edhe më tutje.

Indeksonline: Si e shihni procesin e negociatave Kosovë-Serbi? Serbia po këmbëngul që çështja e “Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe” të përfshihet në dialog, të cilën Prishtina e hedh poshtë. Cili është qëndrimi Austrisë lidhur me këtë temë?

Christoph WEIDINGER: Normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Zgjidhja e kësaj pyetje është si syri i gjilpërës, nëpër të cilën duhet të kalojë i gjithë rajoni. Prandaj të dy palët këtu kanë një përgjegjësi të madhe përtej kufijve të tyre.
Ne e shohim shumë pozitive rifillimin e procesit të dialogut. I dërguari special i BE-së z. Miroslav Lajčák ka mbështetjen tonë të plotë dhe është kënaqësi që ai ka arritur disa përparime. Më rëndësi është që në fund të procesit të ketë një rezultat, i cili bartet plotësisht nga të dy partnerët e dialogut. Se cilat janë detajet e kësaj marrëveshjeje varet nga të dy palët e dialogut. Është e qartë që marrëveshjet tashmë të arritura duhet të zbatohen, natyrisht që kjo vlen për dy partnerët e dialogut. Gjithashtu vlen për të dy palët se nuk do të ketë sukses pa largpamësi shtetërore dhe kompromise të dhimbshme.

Indeksonline: Më 29 nëntor do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës dhe asaj të Mitrovicës së Veriut. Cili është mesazhi juaj për votuesit e këtyre dy komunave?

Christoph WEIDINGER: Zgjedhjet janë thelbi i një procesi demokratik dhe çdo qytetarë dhe qytetare duhet të ushtrojë të drejtën e votës. Zgjedhjet lokale janë të rëndësishme sepse puna e organeve lokale ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të njerëzve. Natyrisht që në situatën aktuale me pandeminë siguria e votueseve duhet të merret parasysh. Ndër tjerash është e vetëkuptueshme dhe e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta dhe të mbahen pa incidente.

Indeksonline: Si e shihni rolin e ardhshëm të Austrisë dhe BE-së në rajonin e Ballkanit Sa kohë do të qëndroj Ushtria Austriake në Kosovë? Sa ushtarë keni këtu? Dhe sa nëpunës civilë austriakë janë në EULEX?

Christoph WEIDINGER: Austria e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës, ashtu siç është e theksuar qartë në programin qeveritar. Nga pikëpamja e Austrisë është e qartë që e ardhmja e Kosovës, ashtu si e ardhmja e vendeve të rajonit, qëndron në Evropë, që do të thotë në anëtarësimin e plotë në BE. Edhe pse deri tani është bërë shumë, duhet të punohet vazhdimisht në reforma. Prandaj është një sinjal i rëndësishëm dhe i duhur që të zbatohen programet për reforma si Agjenda për Reforma Evropiane 2 (ERA 2). Për zbatimin e këtyre reformave do të nevojitet gjithashtu edhe vullneti politik. Iniciativa për të krijuar një treg të përbashkët rajonal, të cilën e kanë pranuar udhëheqësit e gjashtë vendeve si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova është një hap i rëndësishëm dhe shumë i mirëpritur në rrugëtimin drejtë BE-së. Austria është pjesë e KFOR-it që nga viti 1999 dhe ndërkohë ka numrin më të madh të trupave edhe pse nuk është anëtare e NATOS-së. EULEX është misioni më i madh civil në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) në BE me aktualisht 453 punonjës nga 21 shtete anëtare të BE-së, Britanisë e Madhe dhe Zvicrës dhe mbështetet natyrisht edhe nga Austria, megjithëse numri i zyrtarëve austriak ndryshon. Momentalisht janë katër zyrtarë. Misioni mbështet institucionet ligjore/shtetërorë në Kosovë në rrugëtimin e tyre për më shumë efikasitet, qëndrueshmëri, multietnicitet dhe llogaridhënie, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me praktikat më të mira të BE-së. Kështu që ky mision jep një kontribut të rëndësishëm për rrugën e Kosovës në BE. Pjesëmarrjen e Austrisë në misionet e lartpërmendura e shoh si një shenjë të rëndësishme, që Austria e mbështet Kosovën në çështjet e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Indeksonline: Situata ekonomike në Kosovë është vështirë. Çfarë u duhet investitorëve austriakë për të investuar në Kosovë? A ka ndonjë investitor të madh austriak (nga kompani gjigande) që dëshiron të investojë këtu?

Christoph WEIDINGER: Kemi shembuj shumë të mirë të investimeve të suksesshme austriake në Kosovë, si për shembull në sektorin bankar dhe të sigurimeve. Austria është një nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë krahas Turqisë, Zvicrës dhe Gjermanisë, me një investim në total prej rreth 235 milion Euro. Rreth 2500 vende pune në Kosovë vlerësohen se rrjedhin nga investimet e drejtpërdrejta austriake. Marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes Kosovës dhe Austrisë ka hy në fuqi nga data 1 Janar 2019. Kosova është ngritur për 20 vende në raportin e Bankës Botërore „Ease of Doing Business” gjatë viteve të fundit, kështu që për Bankën Botërore Kosova u bë një nga 10 vendet reformuese më të mira në Botë. Gjithashtu pjesa e reformës tatimore që parasheh lehtësime për investitorët ndërkombëtarë dhe ata vendas ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2018. Kështu që ka progres. Unë shpresoj që marrëdhëniet ekonomike mes Austrisë dhe Kosovës të thellohen edhe më shumë. Gjëja më e rëndësishme është forcimi i mëtejshëm i sundimit të ligjit dhe sigurisë ligjore për të tërhequr edhe investitorë të tjerë. Faktori thelbësor për investime thelbësore është besimi i investitorëve në stabilitetin dhe efikasitetin e kornizës ligjore si dhe asaj institucionale.

Indeksonline: Si e shihni procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën? Sipas mendimit tuaj, cilat parakushte duhet të plotësohen që kosovarët të udhëtojnë pa viza për në vendet e Shengenit?

Christoph WEIDINGER: Fakti që qytetarët e Kosovës ende kanë nevojë për vizë për të shkuar në BE është padyshim i pakënaqshëm për ata që duan të udhëtojnë. Kjo vlen edhe më shumë kur dihet që Kosova është vendi i fundit në rajonin e Ballkanit perëndimor, për të cilin ekziston ky kusht. Austria mbështet Kosovën në përpjekjet për liberalizimin e vizave, kjo është qartë e vendosur në programin qeveritar. Një vendim i mundshëm për liberalizimin e vizave është pranë këshillit të Bashkimit Evropian, ku janë të përfaqësuara të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe shpresojmë që ky këshill të trajtoj sërish së shpejti këtë çështje.

Indeksonline: Cili është mesazhi juaj për politikanët dhe popullin e Kosovës?

Christoph WEIDINGER: Austria dhe Kosova janë të lidhura në shumë aspekte. Ekzistojnë një numër i madh të marrëdhënieve historike, ekonomike dhe mbi të gjitha njerëzore. Austria ishte një përkrahës i vendosur dhe partner i Kosovës që nga fillimi. Kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen. Kosova gjithmonë mund të llogarisë në Austrinë si një partner të besueshëm, i cili gjithmonë do të mbështesë bindshëm perspektivën evropiane të Kosovës./Indeksonline/

Shpërndaje në: