Ambasadori francezër tregon për përfshirjen e Presidentit Macron në dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori francezër tregon për përfshirjen e Presidentit Macron në dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori i Francës Olivier Guerot, dje ka folur për zhvillimet e fundit politike në vendin tonë dhe pritjet e komunitetit ndërkombëtar për Kosovën e Serbinë në dialogun që po zhvillohet.

Diplomati nga Franca ka treguar se cilat janë mesazhet nga Franca dhe Gjermania për këto dy vende dhe çka pritet saktësisht nga palët.

Ambasadori Guerot ka treguar edhe për përfshirjen e Presidentit të shtetit të tij, Emmanuel Macron, në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas ambasadorit, mesazhet kryesore që presidenti francez dhe kancelari gjerman i kanë përcjellë presidentes së Kosovës dhe të Serbisë janë:

Nevoja për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës ;– Nevoja për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja lokale – Nevoja për përparim drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbeKëto mesazhe janë përfshirë në deklaratën e 27 anëtarëve të Bashkimit evropian të publikuar fundjavën e kaluar, në të cilën ka edhe kërkesa specifike për qetësimin e situatës.

Sipas diplomatit francez Marrëveshja e Ohrit është e dobishme për të dy vendet dhe veçanërisht për qytetarët e tyre dhe se komuniteti ndërkombëtar pret që Kosova dhe Serbia të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse, t’i japin fund veprimeve të njëanshme, të marrin masa afatshkurtra për të siguruar qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe të ri-angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut, për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj.

“Ky është një kusht i qartë për integrimin në Bashkimin Evropian, si dhe për ndjekjen e reformave për integrimin korpusit ligjor, reforma të cilat janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Ambasadori i Francës ka folur edhe për përshtypjet e tij për Kosovën, që nga ardhja e tij në Prishtinë, në vitin 2022.

Ai tha se Kosova është një vend shumë i bukur, shumë tërheqës.

“Kam shumë kënaqësi që po e njoh dhe përpiqem të vizitoj të gjitha qytetet dhe të takoj sa më shumë njerëz, nga të gjitha komunitetet. Njerëzit janë të lodhur nga krizat dhe tensionet. Shumë prej tyre kanë anëtarë të familjes në diasporë në Zvicër, Gjermani, Francë apo gjetkë dhe prandaj ndjej një afërsi të madhe me vendin tim.Jam i bindur se e ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian. Presidenti Macron ishte gjithashtu i qartë për vizionin tonë të zgjerimit gjatë fjalimit të tij të fundit në Bratisllavë. Kjo është edhe arsyeja pse dialogu duhet të rifillojë dhe të mos pengohet nga krizat e përsëritura. Sidomos jo nga një krizë që mund të ishte shmangur siç është rasti me krizën aktuale”, tha ai.

Diplomati francez ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Francës.“Ne kemi marrëdhënie të thella, baza e së cilave është angazhimi i vendosur i Francës dhe ushtarëve të saj për të çliruar Kosovën gjatë luftës dhe më pas në kohën e pavarësisë së Kosovës. Është e rëndësishme të kujtojmë se Franca ka dëshmuar gjithmonë mbështetjen e saj të palëkundur në momentet vendimtare për Kosovën.

Kuptohet se bashkëpunimi ynë është më shumë i orientuar drejt së ardhmes, sesa kujtimit të së kaluarës. Ne marrim pjesë në trajnimin e nëpunësve civilë në Kosovë, sepse duam një Kosovë funksionale, e cila një ditë mund të anëtarësohet në BE.Ne i shumëfishojmë lidhjet me një rajon në veri të Francës, të ngjashëm me Kosovën për nga territori. Zhvillojmë aktivitete shumë të larmishme edhe në fushën kulturore. Disa shembuj: ne kemi nënshkruar një marrëveshje për të lehtësuar bashkëprodhimin e filmave midis dy vendeve tona. Ne punojmë ngushtë me Ministrinë dhe profesorët e frëngjishtes për të ruajtur cilësinë e mësimit të frëngjishtes. Ne kryejmë gërmime arkeologjike në zonën e Ulpianës, afër Graçanicës, me arkeologë kosovarë të trajnuar në Francë. Për më tepër, dëshiroj që të ketë edhe më shumë studentë kosovarë në Francë, në të gjitha fushat”, tha ai.

Ai ftoi studentët e prindërit që të njihen me programet Erasmus+, të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë financiarisht këto shkëmbime. Universitetet franceze ofrojnë të gjitha kurset e mundshme, në frëngjisht sigurisht, por shumë shpesh edhe në anglisht.“Aleanca franceze e Prishtinës mund t’u përgjigjet të gjitha kërkesave për informacion mbi këtë temë. Dhe së fundi do të doja të shtohen shkëmbimet ekonomike. Shoh me kënaqësi shumë vetura franceze në rrugët e Kosovës dhe produkte franceze nëpër dyqane. Tashmë ka investime të konsiderueshme franceze në Kosovë.

Aeroporti i Prishtinës, për shembull, bashkë-menaxhohet nga një kompani turke dhe një kompani franceze. Ky është vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Ka kompani franceze që janë të gatshme të investojnë në fushën e energjisë së ripërtritshme. Ne punojmë për të lehtësuar këto investime sepse lufta kundër ndryshimeve klimatike u takon të gjitha vendeve, Kosovës gjithashtu”, tha diplomati fracnez./Telegrafi/

Shpërndaje në: