Ambasadori gjerman flet për liberalizimin, pritjet e aplikuesve për vizat e punës dhe njohjen e patent-shoferëve

Ambasadori gjerman flet për liberalizimin, pritjet e aplikuesve për vizat e punës dhe njohjen e patent-shoferëve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde ka folur ekskluzivisht për Indeksonline. Rohde është përgjigjur edhe në dilemën e mijëra kosovarëve se a do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën.

Një nga dilemat e mëdha të mijëra kosovarëve është edhe çështja dhe pritjet për vizat e punës sa janë të interesuar gjermanët të investojnë në Kosovë dhe procesin e njohjes së patent-shoferëve të Kosovës nga Gjermania.

Indeksonline: Cili është roli i Gjermanisë dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor në të ardhmen? Sa do të qëndrojë Bundesëehri në Kosovë? Sa ushtarë keni këtu dhe sa nëpunës gjermanë punojnë në kuadër të EULEX-it?

Ambasadori Rohde: Bashkë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj ne i mbështesim shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së. Dua ta përmend këtu vetëm planin e fundit të investimit të prezantuar nga Komisioni i BE-së në vlerë prej 9 miliardë Euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, 8 miliardë prej të cilave janë dhuruar në formë të subvencioneve, si dhe shumë projekte të shquara. Gjermania është dhe mbetet këtu veçanërisht e angazhuar. Shembulli më i fundit që e dëshmon këtë është Samiti i Sofias në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili e mbështet integrimin ekonomik dhe social të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht të ngushta janë marrëdhëniet tona me Kosovën, ku ne prej vitesh në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it e përkrahim stabilitetin, sigurinë dhe ndërtimin e strukturave të shtetit ligjor.

Indeksonline: Situata ekonomike në Kosovë është edhe më tej e rëndë. Çfarë iu nevojitet investitorëve gjermanë për të investuar në Kosovë? Dhe a ka ndonjë investitor gjerman që është i interesuar të investojë këtu?

Ambasadori Rohde: Gjermania ka qenë investitori më i madh në Kosovë në vitin 2019 dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Mirëpo investimet kanë mundur të jenë edhe shumë më pozitive, sepse për këtë ka potencial. Mendoni këtu vetëm në diasporën e madhe në Gjermani, në Zvicër, apo Gjermani. Investitorët kanë nevojë për kushte kornizë të volitshme. Këtu bën pjesë ambienti i sigurtë ligjor dhe luftimi konsekuent i korrupsionit, transparenca gjatë tenderimit, etj. Në këtë aspekt Komisioni në raportin e tij të fundit të progresit megjithë progresin në disa fusha, ka konstatuar edhe më tej mangësi të rënda. Përderisa këtu nuk do të bëhen përmirësime thelbësore, potenciali më i madh për më shumë investime fatkeqsisht mbetet i pashfrytëzueshëm.

Indeksonline: Si e shihni procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën? Cilat kritere duhet të plotësohen, sipas jush në mënyrë që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e hapësirës së Schengenit?

Ambasadori Rohde: Natyrisht që unë tashmë e njoh mirë synimin më të rëndësishëm të qytetarëve të Kosovës dhe ekonomisë së saj për të udhëtuar së shpejti pa viza në hapësirën e Schengenit. Unë mund ta kuptoj mirë zhgënjimin i popullatës. Komisioni (Evropian) në vitin 2018 ka konstatuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Jo të gjitha shtetet anëtare janë plotësisht të bindura. Siq e theksoi edhe Ministri i Jashtëm Federal gjerman, Maas para pak kohësh, Gjermania e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Në bazë të të gjitha raporteve ekzituese, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë, prandaj ky është qëndrimi që ne e mbështesim edhe në kuadër të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Indeksonline: A mund të ketë një liberalizim të vizave për Kosovën gjatë Presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian?

Ambasadori Rohde: Ne jemi duke punuar në këtë dhe natyrisht bisedojmë edhe me partnerët tanë në BE. Ne edhe si Qeveri Federale edhe më tej do të angazhohemi dhe kërkojmë nga shtetet anëtare të BE-së që liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet realitet. Mirëpo këtu është me rëndësi të theksohet që ne duhet të punojmë së bashku për t’i bindur së bashku skeptikët, të cilët fatkeqisht ekzistojnë ende. Është e qartë se kjo është e mundur të arrihet para së gjithash me argumente të mira në formë të progresit të prekshëm në fushat përkatëse, përmes forcimit të luftimit të korrupsionit, luftës ndaj krimit të organizuar dhe hapave të mëtejmë për forcimin e sundimit të ligjit. Të gjitha këto janë parakushte kyçe për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Progresi i dukshëm nga këndvështrimi ynë, është argumenti më i mirë për t’i bindur skeptikët.

Indeksonline: Mijëra kosovarë kanë marrë kontrata pune në Gjermani. Por aplikuesve për viza në Prishtinë iu duhet të presin për një kohë të gjatë deri sa t’iu lëshohen vizat. Pse ndodhë kjo? A pritet të ndryshojnë apo përshpejtohen procedurat për viza në Zyrën e vizave në ambasadën tuaj, në mënyrë që kosovarët të mos presin gjatë derisa t’iu vendoset një vizë në pasaportat e tyre?

Ambasadori Rohde: Ambasada Gjermane në Prishtinë vitin e kaluar ka lëshuar rreth 50.000 viza. Kjo, edhe në krahasim botëror është një shifër tejet e lartë. Ndër to, krahas 36.000 vizave për qëndrime afatshkurtër janë edhe 15.000 viza për qëndrime afatgjata (bashkim familjar, punësim, stuime, etj.) Këtu në vitet e kaluara i kemi rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes është e pashmangshme. Mandej pikërisht në rastin e vizave nacionale jemi të varur nga puna shtesë e institucioneve kompetente në Gjermani.
Lidhur me pasojat e pandemisë COVID dua të them se ambasada që nga korriku sërish ka filluar të pranojë kërkesa për viza për qëndrime afatgjata (viza nacionale) për kategoritë, për të cilat kufizimet e udhëtimit për në Gjermani nuk vlejnë, gjegjësisht nuk vlejnë më. Aplikacione për nisje të punësimit në bazë të Rregullores së Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk mund të pranohen. Për shkak të masave të domosdoshme shëndetësore dhe higjienike të ndërlidhura me pandeminë, kapacitetet në zyrën e vizave – megjithë zgjatjen e kohës së pranimit të kërkesave deri në orët e mbrëmjes – janë reduktuar gjithashtu.
Kufizimet e udhëtimit për në BE shqyrtohen rregullisht varësisht nga situata e COVID-it në BE dhe në vendet e origjinës. Se kur do të ndryshohen ato, kjo varet nga rrjedha e mëtejshme e gjendjes së pandemisë në këto shtete. Ambasada gjermane këtu është njëra nga 20 ambasadat më të mëdha gjermane në mbarë botën dhe kjo kjo në radhë të parë i referohet madhësisë së zyrës së vizave dhe kërkesës së lartë për viza, edhe pse Kosova është vend relativisht i vogël.

Indeksonline: Kur parashihet të fillojë ambasada punën me aplikuesit për vizat e punës?

Ambasadori Rohde: Ne gjendemi në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Prandaj nuk mund të deklarohem për këtë. As ne vetë nuk e dimë se si në këtë situatë do të zhvillohet pandemia më tutje. Unë e theksova që kufizimet e udhëtimit shqyrtohen rregullisht varësisht nga gjendja e pandemisë dhe e gjithë kjo varet krejtësisht nga rrejdha e mëtejme që ajo merr.

Indeksonline: Cilat janë shtetet skeptike në procedin e liberalizimit të vizave? Franca, Holanda, Danimarka?

Ambasadori Rohde: Kështu kam dëgjuar edhe unë.

Indeksonline: Njohja e patentshofereve të Kosovës në shtetin e Gjermanisë ka qenë çështje mediale këtu. A ka levizur diçka në këtë drejtim nga shteti gjerman?

Ambasadori Rohde: Me aq sa kam informacion, ekzistojnë edhe disa çështje teknike të cilat institucionet tona ia kanë drejtuar institucioneve kosovare./

Shpërndaje në: