Ambasadori Hill: Koncesione dhe Kompromise nga të dyja palët, këto i kërkon zgjidhja finale

Ambasadori Hill: Koncesione dhe Kompromise nga të dyja palët, këto i kërkon zgjidhja finale

Negociatat përfundimisht do të zgjidhen në frymën e koncesioneve dhe kompromiseve, me mirëkuptimin se të dyja palët janë të interesuara për progres, ka thënë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë që e ka dhënë për mediumin serb FoNet.

Lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se “Prishtina po planifikon likuidimin e serbëve në veri të Kosovës”, Hill theksoi se dëshiron që “Beogradi dhe Prishtina të fokusohen në bisedime”.

“Përdorimi i mesazheve publike është i qartë për mua, por është e rëndësishme që ato të fokusohen në propozime shumë specifike, në frymën e koncesioneve dhe kompromiseve”, deklaroi Hill.

Ai vuri në dukje se ky është një moment serioz në dialog dhe prandaj është e rëndësishme që të dyja palët të përpiqen të bëjnë përparim.

“Kemi një situatë shumë të vështirë në Ukrainë, pushtimin e një vendi fqinj nga Rusia me brutalitet që nuk është parë prej dekadash”, vlerësoi Hill dhe theksoi se në atë situatë BE dhe SHBA bashkëpunojnë shumë ngushtë.

“Shpresoj që Kosova dhe Serbia ta kuptojnë këtë dhe se të dyja palët nuk mund të luajnë kundër njëra-tjetrës për të përfituar”.

“Problemet që ndajnë Prishtinën dhe Beogradin janë të njohura. Zgjidhjet janë ofruar dhe fokusi duhet të jetë në to, në vend të deklaratave publike”, shtoi Hill.

Kjo ishte një nga deklaratat e shumta që i ka dhënë këtë javë Hill, duke filluar nga ajo në Radio Televizionin e Serbisë, në të cilën tha se “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të bëhet pjesë e tryezës”, qëndrim që e mbajti edhe në një rubrikë në internet ku u përgjigjej pyetjeve të qytetarëve.

Shpërndaje në: