Ambasadori i BE-së: Shpresoj që Kosova të integrohet sa më shpejtë në Bashkimin Evropian

Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës është hapur panairi në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, me kiosqe të shteteve anëtare të BE-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se dëshira e tij e sinqertë është që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian sa më shpejtë që është e mundur.
“Jam shumë i lumtur të jem sot – në shesh – të festoj Ditën e Evropës. Kjo ditë na jep neve kohën madje dhe obligimin për të shikuar prapa se çfarë ka bërë Bashkimi Evropian, si dhe për të ëndërruar për të ardhmen. Bashkimi Evropian është projekti i paqes më i suksesshëm në botë, që nga krijimi i tij nuk është bërë asnjë luftë në territor të BE. Gjithashtu besoj se duhet të jetë ëndrra jonë për të ardhmen që të vazhdojë kështu. Sigurisht, dëshira ime e sinqertë është që Kosova të integrohet në BE sa më shpejtë që është e mundur”, tha ai, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Në anën tjetër ambasadori mbajti edhe një fjalim para të pranishmëve të cilët ishin mbledhur për të festuar Ditën e Evropës.
Para kiosqeve të secilit vend anëtarë të BE-së u mblodhën shumë qytetarët të cilët ishin të interesuar për kulturën dhe traditat e shteteve anëtare të BE-së./Periskopi/