Ambasadori i Zvicrës e rëndon Kosovën: Rrezik prishja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë

Ambasadori i Zvicrës e rëndon Kosovën: Rrezik prishja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) të premten ka mbajtur konferencë me temën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës” ku fjalën më interesante e tha Ambasadori i Zvicrës.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, tha se për shumë vjet e kanë ndihmuar këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin.

“KDI-ja tash e pesë vjet ka punuar për çështjen e dialogut, ku ka ndihmuar punën e Kuvendit dhe duke asistuar vizitat në terren për të parë marrëveshjet e arritura në dialog. Ne po ashtu kemi promovuar pjesëmarrjen e eksperteve dhe qytetarëve në këtë proces, duke ndërmjetësuar në këtë proces”.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, theksoi se politika e jashtme ka pasur ndikim te secili qytetar, duke e cilësuar si proces të rëndësishëm dialogun për Kosovën në të gjitha proceset e vendit.

“Mendoj se është politika e jashtme ajo që ka pasur ndikim te secili qytetar. E kemi proces të rëndësishëm të dialogut për Kosovën e që monitorohet nga Bashkimi Evropian, por edhe marrëveshje të shumta”.

Në kuadër të kësaj konference u bë edhe prezantimi i raportit mbi tematikën e dialogut, ku Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, tha se pozicionimi i faktorit ndërkombëtar ka pasur rëndësi të madhe në krejt këtë proces.

Ai e cilëson si jo shumë shpresëdhënës situatën e tanishme që ka të bëjë me dialogun.

“Pozicionimi i faktorit ndërkombëtar ka pasur shumë rëndësi te ky proces. Situata e tanishme nuk duket aspak shpresëdhënëse e sidomos për Kosovën. Rrezik tjetër i një situate është edhe raporti i Kosovës me aleatët ndërkombëtarë… nëse do të sforcoheshin, për çka do të mundë të kishte ndikime në sfera të shumta, e ndër to ai financiar. Rrezik tjetër që ballafaqohet Kosova është vendosja në prioritetet e fundit te ndërkombëtarët për procesin e dialogut”.

Tema mbi dialogun ka vazhduar edhe me diskutimin e të pranishmëve nga parti të ndryshme politike, raporton Ekonomia Online.

Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e LDK-së, tha se dialogu do të duhej të përmbyllej me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku do të sillte njohjen e Kosovës si shtet.

“Do të doja që edhe nga pozita të ishin prezente dhe së pari të dëgjonim nga ta, gjithsesi më e rëndësishme për ne është se ne e shohim si shumë të rëndësishme këtë proces, ku me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sjellim një njohje për Kosovën”.

Mjekiqi po ashtu tha se e kanë parë me shumë rezervë pozicionin e kësaj Qeverie karshi dialogut dhe mungesën e komunikimit.

“Nuk shoh që ka shumë dallime në vija të trasha nga partitë politike se çfarë mund të sjellë dialogu, por që e kemi parë me rezerva komunikimin e Qeverisë me qytetarët dhe të tjerët mbi dialogun dhe qasja e kësaj qeverie karshi dialogut”.

Shpërndaje në: