Ambasadori ukrainas: Mbi 3 mijë ukrainas të larguar nga lufta, të strehuar në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Në Shqipëri po strehohen aktualisht mbi 3 mijë shtetas ukrainas, qysh nga nisja e sulmit rus ndaj Ukrainës 6 muaj më parë.

Ambasadori ukrainas në Shqipëri, Volodimir Shkurov, thotë që pjesa më e madhe e tyre janë të vendosur për t’u kthyer në Ukrainë dhe për të rindërtuar vendin e tyre pas luftës.

Diplomati ukrainas vlerësoi edhe ndihmën që populli i Kosovës ka dhënë këtë periudhë për Ukrainën.

Afro 6 muaj më parë pakkush e kishte përfytyruar se sulmi rus kundër Ukrainës do të zgjaste kaq shumë, aq më pak ishte menduar se rezistenca ukrainase do të ishte kaq e fortë.

Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, shprehu krenarinë për rezistencën e popullit dhe ushtrisë ukrainase ndaj sulmit rus, si edhe trishtimin e tij për faktin se lufta po vazhdon për një periudhë kaq të gjatë, dhe se në fund të saj, mund të rindërtohen pallate dhe infrastruktura, por nuk mund të zëvendësohen një numër i madh viktimash civile, që po humbin jetën.

Shqipëria po strehon mbi 3 mijë ukrainas të larguar nga lufta, por shumica e tyre, thotë ambasadori Shkurov, janë të vendosur që të kthehen në Ukrainë për të rindërtuar vendin e tyre pas luftës.

“Një falenderim të veçantë kemi për popullin e Shqipërisë, i cili ka mbledhur ndihma të ndryshme, në fonde, në ilaçe, ushqime dhe produkte të tjerë” – thotë ambasadori Shkurov.

Ai dha këto komente për Zërin e Amerikës, pas veprimtarisë Libri Ukrainas në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Kjo është nisma e Zonjës së Parë të Ukrainës, Olena Zelenska, në mënyrë që ukrainasit e strehuar në Shqipëri të gjejnë libra në gjuhën e tyre.

“Kemi marrë një mbështetje shumë të fortë nga SHBA-të edhe nga shtetet e NATO-s dhe këto ndihma dhe mbështetje kanë ndikuar në ecurinë e luftës” – tha ambasadori ukrainas.

Shqipëria po i jep Ukrainës një mbështetje shumë të madhe politike, sipas tij, në të gjithë nivelet shtetërore; nga presidenti, parlamenti e kryeministri dhe deri tek kryesimi i Shqipërisë në Këshillin e OKB-së.

Bashkëpunimi me qeverinë e Shqipërisë, thotë ai, vazhdoi edhe sa i përket dhënies së municioneve për Ukrainën, ndërkohë Shqipëria ka marrë pjesë në dy konferenca donatorësh në Lugano dhe në Varshavë.

“Nga ana tjetër, edhe pse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, qytetarët e Kosovës kanë ofruar shumë ndihma dhe mbështetje Ukrainës. Këtu dëshiroj të ndaj aspektin politik me atë humanitar, dhe ky i fundit ka shumë rëndësi në jetën tonë” – thotë ambasadori Shkurov.

Ukrainasit e larguar nga lufta janë mbështetur edhe nga Bashkia e Tiranës; kryetari i saj aktualisht ndodhet në Kiev.

Bashkia e kryeqytetit shqiptar ka marrë përsipër të ndërtojë një shkollë në qytetin e Kharkivit pasi të mbarojnë bombardimet mbi qytet.

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë kanë mbërritur librat e parë të kësaj nisme për historinë, kulturën, artin e Ukrainës, letërsi nga autorë ukrainas dhe botime për fëmijë.

Projekti synon t’u rezistojë sulmit rus edhe në aspektin kulturor, pasi Rusia po përpiqet të shkatërrojë identitetin ukrainas duke rrafshuar bibliotekat dhe objektet e trashëgimisë kulturore.

Sipas të dhënave zyrtare, rusët shkatërruan në Ukrainë disa qindra biblioteka dhe mbi 388 monumente të historisë, arkitekturës dhe arkeologjisë ukrainase./VOA