Anakronia e politikanëve tanë

Anakronia e politikanëve tanë

Një fakt interesant që e karakterizon gjarpërin është që në rast se e ndjen rrezikun është në gjendje të vjellë tërë ushqimin (gjahun) e posangrënë në mënyrë që t’i ikë rrezikut sa më shpejt.

Kështu duket se veproi edhe Presidenti i vendit sapo nuhati rrezikun e një aktakuze potenciale nga Gjykata Speciale. Më 3 gusht 2015 Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Rikujtojmë se miratimi ishte bërë me shumicë votash mirëpo pa pjesëmarrjen e partive në opozitë.

Sipas Insajderit, tentativa e dështuar e së premtes mbrëma për shfuqizimin e  Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte inskenuar nga Presidenti Thaçi, i cili për ironi, dy vite më pare me ngulm kërkonte miratimin e atij ligji. E kështu, i nxitur nga instinkti gjarpëror i mbijetesës Presidenti tenton të nxjerrë jashtë ushqimin e gëlltitur qëparë për të shpëtuar lëkurën e tij të butë e të qullur prej zvarraniku.

Mirëpo kësaj radhe duket se gjarpëri nuk i kishte bërë llogaritjet mirë (e duhet pranuar se si mjeshtër i perfiditetit që është, ky rast duhet të jetë nga gabimet e tij të rralla). Pas mbledhjës së nënshkrimeve nga OVL e UÇK-së një grup prej 43 deputetëve inicoi ndryshimin e Ligjit për zhbërjen e Gjykatës Speciale, por në mungesë kuorumi për të proceduar ligjin në Kuvend iniciativa dështoi.

Të ideohet një iniciativë e tillë nga vet ata që në vitin 2015 ishin pro themelimit të Gjykatës është vërtetë anakronike, por ende më anakronike dhe jashtë çdo logjike është të nënshkruash për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara e më pas të pretendosh se je mashtruar.

Ndër “viktimat” e para të këtij mashtrimi del të jetë deputeti Milaim Zeka, i cili në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar: “[…] Menduam se do te debatonim rreth peticionit, asgjë ma shumë. Tek kur u futëm në sallen e Kuvendit po dëgjonim historinë trishtuese, për gjëra të jashtëzakonshme. Nënshkrimet ishin mbledhur me hile, dhe për qëllime krejt tjera.”

Mirëpo, z. Zekës nuk i kishte ikur pa e kuptuar hilen. Ai sqaron se në momentin që kishte parë ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve kishte kuptuar “lojen e dikujt për ta goditur pamvarësine e Kosovës, pastaj edhe miqësinë me perëndimin.”

Eureka z. Zeka! Eureka, se nuk mashtrohesh dot lehtë. E kështu, i ndriçuar nga zbulimi i së vërtetës deputeti Zeka përfundon postimin e tij plot zhgëjnim duke thënë:  “Mbramë jam bindur për të fundit herë: Në trurin e rishlidershipit kosovar nuk ekziston interesi nacional. Nuk ekziston koncepti i shtetendertimit, po shtetshkaterrimit. I mjerë ky popull. Mjerë fëmijet tanë se ku po jetojnë.”

Kjo është përtej anakronisë e ironisë, është për të qeshur e për të qarë!

Pajtohem me z. Zeka kur thotë “mjerë ky popull e të mjerë fëmijët tanë ku po jetojnë, por duhet thënë gjithashtu të mjerët ne se si deputetë si ju na përfaqësojnë në Kuvend. Të jesh përfaqësues i popullit, të nënshkruash për zhbërjen e Gjykatës Speciale e më pas të thuash se qenke mashtruar? Pra, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mbrojtur interesat e popullit, jep nënshkrimin me “tahmin”?

Këtu nuk ka mes – për ta bërë një gjë të tillë o duhet jesh idiot o mashtrues i paskrupullt.

Shpërndaje në: