Analist Ramabaja i VV-së thotë se Kryeninspektor Halimi u poshtërua gjatë arrestimit: Është i pafajshëm

Analist Ramabaja i VV-së thotë se Kryeninspektor Halimi u poshtërua gjatë arrestimit: Është i pafajshëm

Sadri Ramabaja, analisti dhe profesori universitar, ka reaguar lidhur me arrestimin e Bedri Halimit, Kryeinspektor në Ministrinë e Drejtësisë, për rastin ‘Brezovica’.

Sipas Ramabajes, vendimi i Prokurorit nuk ka të bëjë fare me drejtësinë. Tutje ai ka shtruar pyetjen se kujt i konvenon ky spektakël?

Ky është postimi i tij i plotë në ‘Facebook’

Një nga zyrtarët e arrestuar në aksionin e sotëm në kuadër të rastit “Brezovica” është kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi. U ndjeva tepër keq kur sot i pashë prangat në duart e tij.

Prokurori i çështjes që dha urdhërin për arrestimin e Bedri Halimit, ose është vënë në lajthitje, ose ka krye një detyrë që nuk ka të bëjë fare me drejtësinë!

Mënyra se si është arrestuar Bedri Halimi, është më shumë se poshtruese. Kujt i konvenon ky spektakël?!

Besoj se më shumë se Drejtësisë, atyre që pretendojnë të fshehin të inkriminuarit real.

Bedri Halimi është një prej ish të burgosurive politik nga më të dinjitetshmit që kam pas rastin ta njoh. Ai vuajti një pjesë të dënimit në burgun famkeq të Goli Otokut në Kroaci.

Romani i tij “Ecje nëpër furtunë” është një nga kryeveprat e letërsisë sonë që për objekt ka dashurinë për jetën, qoftë ajo edhe në burg dhe gjakimin për lirinë.

Jam thellësisht i bindur se pafajsia e tij do të verifikohet shpejt, por me këtë akt Drejtësia e dëshmoi edhe një herë se ka nevojë urgjente t’i nënshtrohet procesit të vetingut.

Drejtësia duhet të veprojë shpejt dhe ta lirojë Bedriun.

Kujtojmë, se disa zyrtarë të VV-së kanë duartrokitur këtë vendim.

Shpërndaje në: