ANALIZË E PERISKOPIT | 100 ditëshi i dytë i Ramushit si kryeministër

ANALIZË E PERISKOPIT | 100 ditëshi i dytë i Ramushit si kryeministër

Ramush Haradinaj u mundua qe gati një dekadë të bëhej kryeministër i vendit. Dëshira ishte aq e madhe sa e diktoi formën e funksionimit të partisë së tij [dhe jo vetëm]. Ajo u bë një ‘djerrinë’ ideore që nuk reflektonte për asnjë zhvillim në vend, e nuk ofronte alternativë për asgjë. AAK-ja funksiononte për Ramushin, dhe gjallonte mbi atributet e personalitetit të tij.

Anëtarët e AAK-së, përfshirë edhe zyrtarët e lartë, thurrnin elozhe për liderin e partisë së tyre, duke e cënuar rëndë e publikisht demokracinë e brendshme. I gjithë angazhimi i njerëzve të rreshtuar në AAK, ishte të mbronin dhe të lartësonin figurën e Ramushit. Profilizimi ideologjik u shpërfill. Poashtu idetë për mënyrën e qeverisjes. Ramushit ose duhej t’i rendje pas me besim, ose me interesa të caktuara materiale. Kjo e rrjedhon edhe tipin e kritikës që iu bë qeverive të ndryshme, sa AAK-ja ishte në opozitë. Kjo parti sulmonte mbi baza personale liderët e partive në pushtet, për tradhëti e për hajni. Ajo është kontribuesja më serioze në mënyrën liderocentrike me të cilën konceptohet skena politike nga partitë e tjera, analistët dhe qytetarët e vendit. Duke ngulmuar që liderët e partive në pushtet ishin fajtorë për gjithçka që ndodhte, ata e forconin mesazhin e tyre, se nga lideri varej gjithçka. Dhe lideri i tyre ishte më i miri. Ende në hapësirën ligjërimore në Kosovë zbërthehen motivet personale të liderëve, mangësitë personale të tyre – por jo idetë dhe projektet që duhet të kenë.

Si përvijim i dëshirës së Ramushit për t’u bërë kryeministër u mitizua “100 ditëshi i tij si kreu i qeverisë” në vitin 2004. U korruptua kujtesa kolektive e shoqërisë duke folur për lavdinë e asaj periudhe. E vërteta është se, nuk kishte ndodhur asgjë domethënëse për ato 100 ditë që mund të kishte pasur ndonjfëarë ndikimi në zhvillimin e vendit. Si rrjedhojë, qytetarët nuk ia panë hajrin për asgjë.

Por, pavarësisht kësaj taktike që përqendrohej në krijimin e idesë se “gjithçka varet nga liderët” e prandaj “100 ditëshi i 2004-s”, e prandaj “Ramushi më i miri”; pavarësisht edhe kritikës personale ndaj “liderëve tjerë” partiakë, AAK-ja dështoi vazhdimisht të kalonte 10%-shin në zgjedhjet qëndrore. Dhe kjo bëri që AAK-ja të ndryshonte përpjekjen për t’ia realizuar ëndrrën Ramushit. Duke qenë se qytetarët nuk bindeshin, ata bënë lëvizje të tmerrshme politike. Fillimisht flirtuan gjatë me PDK-në. E më pas, u rreshtuan me partitë opozitare në një marrëveshje [LVAN] që do ta ulte Ramushin në kryeministri. Fare në fund, përkundër protestave masive në të cilat kishin marrë pjesë, një retorike të ashpërsuar ndaj Thaçit e Veselit, ata u bënë bashkë me PDK-në. Dhe e ulën Ramushin në kryeministri [PAN]. Ia kënaqën ego-n. Ia realizuan vizionin fëmijëror për t’u bërë kryeministër, për hirë të ‘dokës’ dhe përfitimeve tjera. Por sherrin e kësaj ëndrre personale po ia shohim sot.

Qytetarët mendonin se nuk ka më keq, qeveria e re iu vërtetoi të kundërtën

Qeverisja 100 ditëshe e reflekton qartësisht naivitetin e tij. Duke dashur të mbulonte boshllëkun e ideve, ai e formoi [ose lejoi të formohej] një qeveri makrofizike. E mbushur me trupa, por e zbrazët me ide. 20 ministra, 70 zëvendësministra dhe 150 e kusur këshilltarë! Është krejtësisht e natyrshme pyetja: qysh mund të funksionalizohen idetë e këtyre njerëzve? Por, edhe më e natyrshme është përgjigjja: kurrqysh.

Haradinaj e ka realizuar ëndrrën e tij. Ai është kryeministër. Por, vizioni i tij për pozitën e kryeministrit dhe për qeverisjen duket se është konstruktuar në një masë të madhe nga mendësia kanunore, e odave. Aty ishte e rëndësishme të kishe sa më shumë ‘burra’, sa më shumë njerëz – sepse kjo të bënte të dukeshe më i fortë.

Megjithatë, në numrin e madh të njerëzve në qeveri ka ndikim edhe koalicioni i gjerë qeveritar. Por përgjegjësia për tolerimin e kësaj dukurie i takon kryeministrit. Madje, së fundi u bë e ditur se Ramushi e ka punësuar edhe ‘dhëndrrin’ e tij, madje në një prej institucioneve që menaxhon me fondet më të mëdha në Republikën tonë. Njerëzit e AAK-së që i kishin shërbyer me vite ‘ego-s së Ramushit’ tani po e marrin shpërblimin e tyre. Ndërkohë, kjo është fatura e shtrenjtë që i duhet të paguajë shoqërisë sonë për tolerimin e diskurseve që afirmojnë personat dhe jo idetë.

Dhe tashmë, Ramushi si person i guximshëm, i fortë e i papërkulshëm po e bën namin. Në mungesë të ideve, në mungesë të cilësive më elementare që e përbëjnë një lider centrist e progresist, ai ka promovuar sjellje të një prijësi tribal e provincial.

Mendësia ‘e oda-ve’ që e ka bartur Haradinaj në qeveri vërehet edhe në takimet të cilat i ka bërë sapo e mori postin e kryeministrit. Ai e takoi babain e tij, nënën dhe disa familjarë tjerë duke i publikuar fotografitë nga ato takime në Facebook, si të kishin ndonjëfarë rëndësie për interesin qytetar. E vërteta është se këto takime, ashtu si posti i tij, i shërbejnë vetëm interesit të tij vetjak, ego-s së tij të shqetësuar – dhe për rrjedhë, edhe interesave të një pjese të tribusë së tij. Se qeveria është e personalizuar dëshmon edhe pritja që iu bëri “qiraxhinjëve” të tij në zyren e kryeministrit. Një cinik mund të thoshte se në atë takim, në kryeministri, qiraxhinjtë mund t’ia kenë paguar qiranë. Epo, edhe kjo mund të ndodhë.

Ky personalizim i tmerrshëm reflektohet më së miri përmes vendimeve krejtësisht të pamenduara e të paplanifikuara. Haradinaj nuk i përmbahet asnjë profili ideologjik, e asnjë ideje – dhe prandaj, është e natyrshme që vendimet t’i marrë instinktivisht. Iu fali borxhet kompanive të ujit. Iu dha kompenzim prej 270 mijë eurosh familjeve të grupit të Kumanovës – megjithëse grupi në fjalë u dënua për akte terroriste në Maqedoni, dhe kishte qëllime të hapura kundër ekzistencës së këtij vendi. Nëse do të ktheheshin në Kosovë, në bazë të ligjeve tona, grupi në fjalë do të duhej të dënohej – e jo të shpërblehej. Por, logjika e kryeministrit nuk është ajo e një lideri të arsyeshëm, pa dhembshurinë korruptuese që i çon njerëzit në nepotizëm e klientelizëm. Sepse, nëse klientelizmi ndërton relacion të ftohtë mes partive dhe njerëzve, relacion i bazuar vetëm në interesa atëherë nepotizmi bazohet kryekëput te dhembshuria për tëndin, qoftë ai i fisit apo i familjes. Dhe këtu shpërfaqet një logjikë e tillë nepotiste.

Por, është e pamundur të mos ketë shpërfaqje të tilla të rëndomta të nepotizmit, klientelizmit, vendimeve të përçudshme – kur diskursi i cili e uli Ramushin në kolltukun e kryeministrit ishte personalizues. Dhe ai vepron ashtu siç i vjen ndërmend. Me teket dhe instinktet e tij. Me ato opinione që i bien të parat në mendje. E të cilat, mund të jenë krejtësisht të gabuara. Rasti i Demarkacionit mund të jetë një tjetër dëshmi e kësaj që po themi. Haradinaj e problematizoi i pari çështjen e Demarkacionit, duke e bërë kauzë politike. Por, pas ardhjes në qeveri diskursi i tij u zbut shumë, dhe që kulmoi me dërgimin e të njëjtit version veçse me vërejtjet e Komisionit të Bulliqit në Kuvend. Madje, nga një banalizim i fjalorit në kuvend ai ka nënkuptuar që Demarkacioni mund të kalohet, pavarësisht kundërshtimit të partisë së tij. Deputeti i LDK-së Kujtim Shala, e qiti në dritë lëvizjen fëmijërore të kryeministër. Ai i tha kryeministrit se LDK-ja do të votonte, ashtu qysh do të votonte AAK-ja, që nënkuptueshëm përkthehet në mos-kalim të Demarkacionit. Është ironike sepse, nga kjo del që miratimi i Demarkacionit praktikisht po e mban në jetë një kryeministër që e kundërshtonte atë. I gjithë ai kundërshtim i ashpër, e gjithë ajo retorikë emocionale dhe dramatizimi i bërë në Kuvend si opozitë – rezulton të jetë i rremë, falls. Dhe rrethana në të cilën përfundoi Ramushi është mosvet e trishtë.

Ramushi i pati dy takime të rëndësishme deri tash. I pari ishte me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherinin në Bruksel, nga i cili u dëbua. Kështu mund të interpretohet ajo që ndodhi, sepse Mogherini e kishte braktisur zyren ku po mbahej takimi, dhe nuk kishte lejuar që të dilnin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Dhe i dyti takim me rëndësi ishte ai me kryeministrin maqedon Zoran Zaev, në të cilin Ramushi nuk e çeli gojën për rastin e Kumanovës. Nëse familjarët kërkojnë drejtësi, ndoshta kjo duhej t’i kërkohej homologut të tij. Sidoqoftë, Zaev tha se do të kishte hetim ndërkombëtar për rastin në fjalë. Mbase duke dashur të thërrmonte më tej pushtetin e partisë së mbetur në opozitë të Nikolla Gruevskit – e cila mund të jetë e përlyer në rast.

Qeverisja e Ramush Haradinajt nuk mund të funksionalizojë mekanizmat e shtetit, të ulë varfërinë e papunësinë, të ulë nivelin e lartë të korrupsionit dhe të rrisë hovin e ngadaltë të zhvillimit ekonomik. Nuk duhet të jesh Nostradamus që të parashohësh një fat të tillë. Ai nuk ka ngurruar që publikisht të kërcënojë duke iu dhënë ultimatum disa banorë të Hades dhe Shipitullës. Guximi e jo mençuria është karakteristikë e tij. Vulgariteti dhe jo metoda e idetë është mjet për veprim. Prandaj, siç kemi parë edhe shoqëri tjera të gremisen në fate dëshpëruese, do ta shohim edhe shoqërinë tonë. E varur në një individ të paformuar, shoqëria jonë do të shohë se ka edhe më keq. Madje edhe shumë më keq. Dhe liderët e këqinj që i kishte deri sot, mund t’i duken shpëtimtarë.

Shpërndaje në: