Analizë e Periskopit: AAK ta kapërcejë figurën e Ramushit

Analizë e Periskopit: AAK ta kapërcejë figurën e Ramushit

AAK, ose Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka ndonjë arsye tjetër për të ekzistuar përveç plotësimit të dëshirave të Ramush Haradinajt, liderit të saj të përjetshëm. Para tre vitesh, si opozitë, ajo e nisi aktivitetin e saj të ashpër opozitar duke e kundërshtuar ratifikimin e Demarkacionit. Por, Haradinaj lidhi koalicion me PDK-në, e cila ishte përgjegjëse për atë version të demarkacionit, dhe e ratifikoi po të njëjtën. Ku ishte qëllimi këtu? Të bëhej kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, kryeministër.

AAK-ja kontribuoi shumë që debati publik lidhur me partitë politike, qeverisjen dhe opozitën, të ishte krejtësisht personal, të bazohej te liderët, vlerat, aftësitë dhe mangësitë e tyre. Në një anë kishim Ramushin, dhe në anën tjetër të tjerët – ndërkohë që diskutimi për politikat e caktuara ishte i parëndësishëm.

Kur Ramush Haradinaj e gjuajti me hartë Murat Mehën, kryetarin e Komisionit për Shenjimin e Kufirit, e quajti edhe ‘peder’. Por, më pas, u angazhua që të ratifikonte po të njëjtin version të ‘pederit’ duke e thërmuar gjithë aktivitetin e tij si opozitar.

AAK-ja aktualisht qeveris me tetë komuna të Kosovës – dhe në këtë aspekt, për nga partitë shqiptare, vetëm LDK-ja qëndron më mirë. Ajo mban pozitën e kryeministrit, ku natyrisht i ulur këmbëkryq është Ramush Haradinaj, dhe është bërë e rëndësishme për zhvillimet politike në vend.

Por, kjo parti ka karakter të qartë personal, familjar e fisnor. Një gjë e cila e diktoi aktivitetin e saj si opozitë dhe tash, aktivitetin e saj të brishtë në qeverisje.

Të marrim njerëzit që janë në AAK. Secilit prej tyre do t’i duhet të glorifikojë figurën dhe heroizmin e Ramush Haradinajt, duke e pamundësuar qysh në themel çdo zhvillim të brendshëm demokratik – që do të ishte edhe në të mirë të vendit.

Karakteri i saj që përmendëm shtron mundësinë/nevojën që të krijohet një rrjet i gjetë klientelizmi, njësoj siç e bën PDK-ja, sepse në nivelin përfaqësimor/reprezentativ qëndron mosvet keq. Shtrirjen dhe punën e saj në terren e dëshmojnë tetë komunat e fituara dhe lidhjet e saj të përforcuara me bizneset e ndryshme.

Sidoqoftë, duhet thënë se edhe pse në mënyrë korruptive, AAK-ja ruan lidhje mjaft të forta me qytetarët, sidomos në rrafshin e Dukagjinit. Ajo ka përgjegjësinë e saj për fryerjen e listave të veteranëve, ndërkohë që është i natyrshëm organizimi i punësimeve me skema partiake, tash që janë në qeveri.

Kjo parti e ka kopjuar metodën qeverisëse të PDK-së, dhe madje e ka vulgarizuar më tej atë. Qeverisja e Haradinajt deri tash mund të përshkruhet si ‘të qeverisësh pa marre’. Vendimet që i mori në këto muaj ishin mjaft kundërthënëse e të palogjikshme, të  cilat vetë kryeministri i kishte arsyetuar me “m’u ka tekë”.

Kjo qeverisje ‘me teke’ është e rrezikshme, sepse në një anë ka krijuar hapësirë për PDK-në që të ushtrojë pushtetin e saj në ndërmarrje publike [por duke marrë hisen që i takon AAK-së], dhe në tjetrën merr vendime jostrategjike e të cilat nuk i nënshtrohen ndonjë vizioni ekonomik a politik.

Vetë ekzistenca e AAK-së si parti politike është fyerje për inteligjencën e qytetarëve të vendit. Edhe kjo parti, arriti të ngjizej si e tillë, përmes shfrytëzimit të vlerave të luftës. Kësisoj, ajo nuk ka asgjë për të ofruar. Por, definitivisht ka shumë për të marrë. Dhe në këtë aspekt, është e pangopshme.

AAK-ja nuk mund të reformojë veten duke e pasur si ‘nyje gordiane’ pacënueshmërinë e një figure politike. Haradinaj është një figurë e konsumuar politike, dhe nëse kjo parti kërkon ndonjëfarë ndryshimi, atëherë i duhet domosdo të promovojë figura të reja dhe të investojë më shumë në nivelin përfaqësimor.

AAK-ja duhet ta shohë veten përtej Ramush Haradinajt, një dykëmbësh i vdekshëm si gjithë të tjerët, dhe të kërkojë një identitet të ri për veten. Ndryshe, asnjë hair apo të mirë nuk do të kenë qytetarët. Dhe madje, vetë ekzistenca e saj do të pengojë vendin që të demokratizohet më tej, duke e kultivuar një debat politik krejt personal, si të ishte dramë, dhe duke promovuar fisnorizmin e familjarizmin.

Me ardhjen në qeverisje, AAK-ja në mënyrë patetike përmes kryeministrit Haradinaj filloi të bëhej edhe populiste. “Unë flas thjeshtë për ata qytetarët e mi që s’e kuptojnë gjuhën intelektuale” – tha lideri që e kishte krahasuar veten me macen. Gjuha e thjeshtë është tipari qëndror i populizmit – dhe një gjë e tillë, do ta dëmtojë tej mase hapësirën politike në vend.

Nëse Kosovës i duhet diçka, nuk është kthimi te  gjuha e thjeshtë e vulgare, por thellimi i saj në mënyrë që problemet të kuptohen më mirë dhe të zgjidhen.

Shpërndaje në: