Analizë e Periskopit | Ikja e njerëzve të rëndësishëm mund ta gjymtojë Vetëvendosjen

Analizë e Periskopit | Ikja e njerëzve të rëndësishëm mund ta gjymtojë Vetëvendosjen

Lëvizja Vetëvendosje nuk është më e njëjta. Nuk mund të jetë e njëjta, pas asaj që ndodhi brenda saj, apo më mirë thënë, pas asaj që u publikua se ç’po ngjet brenda saj. Në sytë e njerëzve, para një muaji, Vetëvendosje shihej si organizata e vetme politike që mund ta instalojë një mendësi të re qeverisëse në Kosovë, ku gjithçka është rrënuar si pasojë e një grupi injorantësh e plaçkitësish, të cilët në pushtet kanë përfunduar aksidentalisht. Sot, njerëzit Vetëvendosjen e shohin më me skepticizëm dhe frikë, frikë nga ajo që po ndodh mes drejtuesve të saj që të gjithë ne i shihnim si një trup të vetëm.

Jo më larg se dje Visar Ymeri zyrtarizoi atë që e dinim të gjithë. Dha dorëheqjen nga pozita që s’pati mundësi ta ushtroj asnjëherë. Ai nuk ishte kryetar real i Vetëvendosjes për asnjë ditë dhe me gjasë problemet duhet të kenë filluar kur provoi të sillet si i tillë, pas mosmarrëveshjeve paraprake. Ymeri nuk ishte aty për t’u sillur si kryetar, por për të plotësuar një mandat kryetari  në një periudhë kohore që Albin Kurti e konsideronte jo fort të rëndësishme. Pra, Ymeri mund ta ketë tejkaluar paksa kompetencën e tij. Ndoshta Kryetari i Vetëvendosjes provoi të sillet vërtet si kryetar. Ky mund të jetë njëri prej problemeve, por jo kryesori.

Gjërat tashmë janë të qarta në Vetëvendosje; ata që janë me Albinin kanë vend në Vetëvendosje, ndërsa ata që nuk mendojnë si Albini, janë të dyshimtë, prandaj duhet shqyrtuar të ardhmen dhe funksionet e tyre në parti. Mospajtueshmëritë mes aktivistëve janë shndërruar në armiqësi. Nuk ka më akuza e sharje për Thaçin e Veselin, Mustafën e Haradinajn, SHIK-un e BIA-n, forcat i kanë koncentruar ndaj njëri-tjetrit, në sulm e mbrojte të Albinit, në sulm e mbrojte të Visarit, në sulm e mbrojtje të Dardanit. Por më shumë e më fuqishëm në sulm të këtyre dy të fundit.

Dëmi do t’i bëhet Vetëvendosjes pa dyshim. Ikja e figurave kryesore të partisë nuk mund të kalohet pa therrë në këmbë. Visar Ymeri e Dardan Molliqaj ishin bashkëpunëtorët kryesorë dhe njerëzit më besnik të Kurtit gjatë veprimtarisë politike të Vetëvendosjes. Madje, Molliqaj thuhet të ketë qenë njeriu më i afërt i tij. Sigurisht se Kurti nuk mund t’i zëvendësojë aq lehtë dy krahët e tij të veprimit politik. E mos të flasim edhe për deputetë e zyrtarë të tjerë që kanë dhënë kontribut të madh në partinë që e themeloi Kurti, të cilët mund të rreshtohen kundër tij e në përkrahje të Ymerit e Molliqajt. Mbi të gjitha, një ndarje e këtillë e partisë mund ta ndryshojë mënyrën se si e shihnim Vetëvendosjen. Njerëzit do të fillojnë të mendojnë se nga aty përndiqen njerëz në mënyra klasike.

Nuk harrohen kohërat kur Vetëvendosje prezantonte me pompozitet sa herë që në parti vinte dikush i ri, sado anonim të ketë qenë dhe sado i vogël të ketë qenë impakti i tij/saj real. Shkuarja e njerëzve me peshë nga partia nuk është hajgare.

Një Vetëvendosje e ndarë s’do të ketë kompaktësinë thuajse perfekte të veprimeve siç e kishte deri sot, nuk do të ketë fuqinë më të madhe politike në Kuvend, do të çalojë në organizim protestash nëse do të organizohen, do të jetë më e dobët dhe më pak serioze në kundërshtim të pushtetit dhe në zgjedhjet e ardhshme mund të ketë edhe rënie votash si partia e parë në vend. Çka është më e rëndësishme, Vetëvendosjes mund t’i prishet magjia, potenca elektrizuese.

Kurti, figura kryesore e partisë

Kurti është figura kryesore e partisë, askush nuk e mohon këtë. As inatxhiu e dashakeqësi më i madh i Vetëvendosjes. Ta mohosh rëndësinë e Kurtit në Vetëvendosje do të ishte sikurse ta mohosh ekzistencën e tij. Pra ajo është e pamohueshme dhe për faktet s’duhet harxhuar kohë duke debatuar kot. Këtë rëndësi të tij prej ideologu themeluesi të VV-së, nuk e mohuan as Ymeri e as Molliqaj. Por figura politike e Albin Kurtit është e paplotësuar pa bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Vetë Kurti disa herë e potenconte se sa e rëndësishme është Vetëvendosja dhe shokët e idealit për të. Thoshte se fati i tij është i lidhur ngushtë me Vetëvendosjen. A nuk janë Vetëvendosje edhe Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti e të tjerë me të cilët mund të ketë mospajtime?

Pyetja është se ku ndodhi thyerja mes Kurtit dhe Ymerit e Molliqajt?

Arsyetime e dhëna deri sot janë të paplota, të paqarta, jokonkrete nga të dyja palët në deklaratat e tyre publike. Ymeri tërheq vërejtjen për një lloj diktati në Lëvizjen Vetëvendosje, por e vërteta është se ai vetë ka ardhur në krye të partisë si pasojë e një logjike diktati. Molliqaj konfirmoi në një emision televiziv para do ditësh se vendimi që Ymeri të zgjidhej kryetar ishte marrë në një banesë, ku prezent ishin tre-katër veta, kuptohet edhe Kurti. Sot, papritmas Vetëvendosja ka Statut, Kryesi, Këshill të Përgjithshëm e dokumente, siç tha Ismail Kurteshi, sekretari organizativ i VV-së.

Ymeri, në letrën e dorëheqjes përmendi edhe eliminimet politike, por është zor të kuptosh se eliminimi i kujt po përgatitet në Vetëvendosje. A ishte dorëheqja e tij si pasojë e ndonjë presioni, dhe më e rëndësishmja është arsyeja për këto eliminime dhe ai që i kërkon ato.

Ymeri e Molliqaj përmendin edhe një fushatë denigruese e linçuese ndaj tyre nga një grup aktivistësh, të cilët thonë se thirren në emrin e Albin Kurtit. A janë të nxitur ata? A janë sulmet e tyre të organizuara? Nuk është thënë gjë ende, por sigurisht se të gjithë të përfshirët  kanë informacione në detaje për dinamikat brenda organizatës. Këto gjëra duhet thënë dhe duhet sqaruar.

Në anën tjetër Albin Kurti ka qenë edhe më pak konkret, por në letrën e tij nga burgu kuptohet se raporti i tij me Ymerin, Molliqajn e përkrahësit e tyre është dukshëm i përkeqësuar. Ai bashkëpartiakëve të tij të ngushtë u mvesh një dozë dyshimi, çka e shqetëson edhe Ymerin. Kurti e paraqet një gjendje të rëndë brenda VV-së, ku një grup zyrtarësh e aktivistësh po bëjnë jetë luksi e qejfi, megjithëse pagat e shumicës së aktivistëve janë në standardin mesatar të jetesës në Kosovë. Përderisa, në anën tjetër, pagat e njerëzve që e përkrahin atë janë edhe më të mëdha, siç është ta zëmë paga e Liburn Aliut, gjë e cila u denoncua publikisht nga përkrahës të Ymerit.

Në letrën e Kurtit thuhet edhe një gjë e rëndësishme që nuk u komentua shumë.

Duket se Kurti ka ardhur në përfundim se organizatës së tij nuk i duhen më vetëm njerëz të guximshëm, por  edhe njerëz të dijshëm e të ndershëm. Mendjen duhet ta ketë pasur te Molliqaj kur shkroi kështu. Me siguri Kurti e çmon guximin e Molliqajt, por jo edhe nivelin e tij intelektual dhe hedh dyshime mbi moralin e tij.

Prandaj, ai shkruan “duhet t’i hapim portat e organizatës për njerëzit e dijshëm e të ndershëm të vendit e të Lëvizjes që duan të kontribuojnë. Pra, më shumë dije dhe nder, jo vetëm guxim. Sepse guximi pa dije dhe pa nder bëhet arrogancë e zullum.”

A tentoi ta zhveshë nga pushteti Kurti Molliqajn, sepse Vetëvendosje paska arritur në një stad të ri, ku partisë i duhen njerëz me atribute ndryshe nga ato që i ka Molliqaj, krahu i tij i djathtë? Dhe, a janë këto eliminimet politike për të cilat flet Visar Ymeri, ish-kryetari i Vetëvendosjes? As këto pyetje nuk kanë përgjigje konkrete ende.

Kurti në letrën e tij shkroi po ashtu se Vetëvendosjen nuk mund ta çajë asnjë pykë, prej çka kuptohet se brenda saj paska njerëz me tendenca përçarëse. Megjithatë, pyka nuk ka emër. Se a e mendonte Molliqajn edhe në këtë rast, mbetet ta dëgjojmë nga vetë ai.

Nga krejt kjo e fiton e përshtypjen se nuk janë këto arsyet e vërteta të mospajtimeve mes Kurtit dhe Ymerit e Molliqajt. Pra nuk janë arsye që mund të përçajnë këta tre. Duken probleme që do të ishin tejkaluar me lehtësi dhe diçka tjetër më shqetësuese po ua ndanë rrugëve treshes kryesore në Vetëvendosje.

E ardhmja politike e Vetëvendosjes nuk mund të parashikohet lehtë. Atë do ta përcaktojë ajo që do të ndodh ditëve e javëve të ardhshme, por pasojat do të jenë të rënda për Vetëvendosjen, më të rënda për grupin që mund të ndahet, e më të rëndat për shtetin e shoqërinë, nëse kjo organizatë politike vërtetë na paska qenë ndryshimi e shpresa për ditë më të mira.

Shpërndaje në: