Analizë e Periskopit: Lëvizjet e lëvizjes Vetëvendosje

Analizë e Periskopit: Lëvizjet e lëvizjes Vetëvendosje

Koalicioni i bërë me AKR-në në Prishtinë para tri ditësh për zgjedhjet e balotazhit, e ndezi tërbimin e kundërshtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata e sulmuan në pikën më të fortë të saj. E sulmuan me arsyen se po i shkelte parimet.

Poashtu, një deklaratë e deputetit dhe themeluesit të Lëvizjes, Albin Kurtit, se ‘një pjesë e diskursit ishte thjeshtuar në mënyrë që të mobilizohej masa” bëri mjaft bujë. Ky ishte arsyetimi i dhënë për disa fjalë që i kishte thënë pak më herët, se nuk do t’i çonin në burg njerëzit që kishin thënë se do t’i çonin – dhe se me këto punë merreshin institucionet përkatëse.

Për dallim nga partitë e tjera, Vetëvendosje nuk është konformiste. Ajo e kupton se shoqëria jonë është e paformë, e pakualifikuar, e paarsimuar dhe në thelb korruptuese. Nuk mund të ishte ndryshe, nëse marrim parasysh rrethanat nga të cilat doli. Dhe në këtë kontekst, është e natyrshme të bëhet një thjeshtim i gjuhës, ose në rastin tjetër, një bashkëpunim me parti më pak të korruptuara, që do të ndotnin më pak ligjërimin e saj. Është praktikisht i njëjti shërbim me vullnetin qytetar në të dyja rastet. Sepse AKR-ja ka marrë 10% të votave, pra e ka një pjesë të vullnetit qytetar. Ndërkaq, një pjesë e madhe e shoqërisë beson në vlera të ndryshme për dallim nga lëvizja. Dhe, ajo që propozohet nga këto sulme është e çuditshme: një parti politike duhet të ushtrojë pushtetin e saj, vetëm përmes njerëzve që mendojnë ekzaktësisht si ajo, dhe që kanë të njëjtën pastërti në qeverisje.

Natyrisht, në politikë është e pamundur të bësh lëvizje vazhdimisht ‘të pastërta’. Në demokraci është e domosdoshme të operosh me anë të bindjeve dhe vlerave me të cilat ushqehet shoqëria. Dhe përmes skemës politike që e ravijëzon kjo shoqëri përmes angazhimit apo mosangazhimit të saj. Në këtë kuptim, gjëja më e pakuptimtë do të ishte të kishim një parti politike, e cila do të veçohej nga rrethanat politike, dhe që nuk do të mësynte pushtetin. Në këtë pikë merr kuptim përpjekja e vazhdueshme për t’u ndotur sa më pak, me sa më shumë lëvizje. Ky është pragmatizëm. Dhe ky term, duket se është i huaj në skenën tonë politike, duke pasur aq shumë parti të paprofilizuara e të ndotura që u lidhën shpesh në koalicione krejt të panatyrshme të cilat dhanë qeverisje të dobëta.

Vetëvendosje mund të kritikohet për tjetërçka, mirëpo jo sa i përket përcaktimit ideologjik dhe parimeve. Pa këtë subjekt politik, do ta kishim të zorshme të kuptonim rëndësinë e shumçkaje që ndodhi në vendin tonë në 3-4 vitet e fundit. Vetëvendosje madje, me të drejtë u akuzua për një qasje jo-aq-liberale dikur, por tashmë që po bëhet më liberale e më pragmatike është absurde të kritikohet pse nuk mbeti e mbyllur dhe idealiste si më parë.

Është evidente se Vetëvendosje ka lëvizur nga pozicionet e saj të dikurshme. Ajo sot është më e fuqishme sa i përket mbështetjes popullore, më e sulmuar, por edhe më pragmatike.

Lëvizjet e Vetëvendosjes nuk duhen parë me llupë, në çdo skutë të Kosovës, në mënyrë që të konceptohet një ‘fitore e madhe’ duke e parë të ndotur imazhin e saj. Madje, është e çuditshme sesi vetë oponentët e Vetëvendosjes, e parakuptojnë si të pastër imazhin e saj në përpjekjen e vazhdueshme për t’i gjetur njolla. Por, Vetëvendosje nuk është krejtësisht e pastër. Nuk është një sekt religjioz që i këput ‘rrënjëjt e këqija’. Është e natyrshme të priten gabime në lëvizje nga kjo lëvizje, sepse po flasim në fund të fundit për një parti politike.

Por këtu fshihet rreziku i madh që vjen nga mënyra sesi po e projektojnë aparatet e fuqishme mediale të pushtetit. Duke dashur t’i bëjnë të tjerët që ta mendojnë Vetëvendosjen si të pagabueshme, e absolutisht të pandotur – duan që çdo gabim, e çdo ndotje të saj ta marrin si mundësi për t’i shkaktuar dëme të mëdha dhe eventualisht për ta shuar politikisht. Për ta shuar, sepse Vetëvendosje ekziston mbi parakuptimin që i ka bërë vetes, se është një parti politike thelbësisht e ndryshme nga ato të deritashmet.

Nëse është apo nuk është kështu, këtë tashmë e kemi parë.

Shpërndaje në: