Analizë e Periskopit: Në pritje të protestave qytetare pro-qeveritare

Analizë e Periskopit: Në pritje të protestave qytetare pro-qeveritare

Këto ditë po qartësohen veprimet publike që pritet të ndërmerren menjëherë pas vendimit të shumëpritur të Gjykatës Kushtetuese. Së paku për fillim, do të organizohen protesta qytetare me kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke paragjykuar tashmë se vendimi i Kushtetueses do të jetë në favor të nismës së LDK për të formuar qeveri përmes shumicës së re parlamentare.

Analizë e Periskopit

Mbrëmë, në emisionin e debatit Pressing të Televizionit T7, Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha nga OJQ ORCA thanë se nuk janë të vetmuar në iniciativën për protesta, duke përmendur edhe përkrahjen nga disa OJQ lokale si Integra, AdMovere, Inject dhe grupe të tjera, të angazhuara për barazi gjinore dhe të drejta të gruas.

Ata shpjeguan detajisht edhe angazhimin e javës së kaluar në disenjimin hapësinor të protestës në kushte të distancimit social gjatë periudhës së pandemisë. Sipas tyre, është e mundur që të zhvillohet protestë duke respektuar distancën e kërkuar prej dy metrash mes pjesëmarrësve.

Ditë më herët, me protesta masive kishin kërcënuar edhe udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, gjykuar sipas një emaili/postimi të sekretares organizative të saj, Vlora Haxhimehmedi.

Të paralajmëruara për datën 2 maj, ato ishin anuluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ‘masë të përkohshme’ e cila suspendoi formimin e shpejtë të qeverisë së re nga ana e LDK dhe e partnerëve të saj të rinj në Kuvend.

Edhe pse Gjinovci dhe Hoxha insistojnë se protestat që do të organizohen nga ‘organizata të shoqërisë civile’ nuk kanë agjendë partiake, duhet të theksohet se tash e së paku një vit, ata dhe përfaqësuesit e OJQ-ve të përmendura u dalluan si përkrahës publikë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe, në veçanti, të kryetarit të saj, Albin Kurtit.

Filluar nga Gjinovci (ORCA), Shkëlzen Gashi (AdMovere, deri vonë këshilltar politik i Kurtit) dhe Luljeta Aliu (Inject), që të gjithë ishin pjesëmarrës të rregullt në diskutimet publike nëpër media dhe rrjetet sociale duke përkrahur programin dhe synimet partiake të organizatës së Kurtit.

Kësisoj, paralajmërimet e protestave të Gjinovcit i cili në Pressing thirrej në ‘përkrahjen e madhe nga shoqëria civile’ janë problematike në së paku në dy aspekte: • Thirrja për protesta para publikimit të vendimit të Kushtetueses është paragjykim i rëndë i përmbajtjes së tij.

Së këndejmi, ajo shndërrohet në përpjekje për ta parapërgatitur dhe manipuluar disponimin e publikut në përkrahje të agjendës së një partie politike. • Kontrabandimi i konceptit të ‘protestës së shoqërisë civile’ në agjendë të një partie politike kërcënon me dëmtim të mëtutjeshëm të mandatit ‘joqeveritar’ të OJQ-ve – veçanërisht për faktin se këtu bëhet fjalë për protesta që përkrahin synimet e një subjekti që aktualisht kontrollon pushtetin qeveritar.

Shkurt, bëhet fjalë për protesta pro-qeveritare nga organizatat jo-qeveritare. Për më tepër, në përpjekje për ta relativizuar përkrahjen e agjendës së Lëvizjes Vetëvendosje, Gjinovci dhe Hoxha theksonin se zgjedhje të reja po kërkohen edhe nga partitë e tjera politike, duke përmedur këtu PDK-në dhe, madje, edhe PSD-në. Ishte për keqardhje të shihej një qasje e tillë, po thuaj amnistuese, karshi këtyre subjekteve – marrë parasysh akuzat dhe denigrimet publike të cilat Gjinovci dhe këta aktivistë ua mveshnin atyre në vazhdimësi gjatë viteve. Por, nevoja aktuale për t’i bishtëruar ndërlidhjes publike me Kurtin dhe Vetëvendosjen po i detyron t’i bëjnë ‘përkëdhelje taktike’ edhe kundërshtarëve të përbetuar. S’do mend, situatat që po krijohen gjatë këtyre ditëve po premtojnë iniciativa dhe veprime që fare lehtë mund të përfundojnë në një ngatërresë të madhe politike e shoqërore. Pohimet e aktivistëve si Gjinovci, se ‘legaliteti juridik’ i vendimit të Kushtetueses nuk është i barazvlefshëm me ‘legjitimitetin qytetar’ është sa i papërgjegjshëm aq edhe brengosës – meqë synon shpërdorimin e kategorisë së ‘vullnetit politik qytetar’ saherë që vendimet juridike bien ndesh me ndonjë agjendë partiake. Është e pritshme që pozicione të ngjashme si ato të Gjinovcit nga ORCA do të shpeshtohen ditëve në vijim – qoftë nga aktivistë të vetëquajtur, qoftë nga media të caktuara dhe grupe të ndryshme të interesit. Do të jenë këto indikacione të procesit të shpërfaqjes graduale të përçarjes së thellë shoqërore që ka filluar shumë vite më herët dhe që është shumë më e thellë se sa përplasjet formale mes partive politike sot. Më shumë se kurdoherë, këto ditë mund të vërehet se si nëpër diskutimet publike po kalohet kufiri mes mospajtimit politik dhe armiqësisë shoqërore, mes dallimeve kulturore dhe urrejtjes ndërpersonale.

Mes mospranimit të humbjes dhe obsesionit për hakmarrje. Patjetër, që të gjithë mbesim në pritje të ndonjë epilogu nga drama e sotme. Të gjithë jemi pjesëmarrës të saj, dhe, nga të gjithë – përfshirë këtu edhe Gjinovcin – do të varet nëse epilogu i saj do të rrëshqasë kah një tragjedi shoqërore apo një farsë publike.

Shpërndaje në: