Ancelotti: Barcelonën nesër duhet ta shikojmë si luan dhe jo si mace, jemi të fokusuar vetëm për fitore

Ancelotti: Barcelonën nesër duhet ta shikojmë si luan dhe jo si mace, jemi të fokusuar vetëm për fitore

Real Madridi shpreson të qëndrojë në garën për titull në La Liga të dielën në mbrëmje, kur do të udhëtojë për në Katalonjë për t’u përballur me Barcelonën.

Skuadra e Carlo Ancelottit aktualisht është nëntë pikë larg dhe humbja eventuale do t’ia zvogëlonte edhe më shumë gjasat për mbrojtjen e titullit.

Duke folur në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes përpara “El Clasicos”, Ancelotti tha se skuadra e tij nesër mbrëma synon fitoren.

“Ne duhet të shijojmë momentin dhe të jemi në këmbë në një ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne mund ta fitojmë atë nëse jemi në gjendje të tregojmë më të mirën nga vetja në çdo kuptim; individualisht, kolektivisht, në sulm dhe mbrojtje. Nuk po mendojmë për përfundimin e ligës, ne jemi të fokusuar të fitojmë ndeshjen e nesërme. Kjo është e vetmja gjë në mendjen tonë, ne duam të zvogëlojmë diferencën e pikëve”, tha trajneri italian.

“Ne do të kemi një plan sepse e njohim njëri-tjetrin aq mirë, nuk ka sekrete. Thjesht mendoni se si t’u shkaktoni atyre probleme dhe t’i lëndoni me mënyrën se si ne ecim në lojë. Kjo do të jetë në mendjen tonë deri në fillimin e ndeshjes. Ne do të shikojmë të sulmojmë, por pa rrezikuar shumë”, shtoi trajneri i “Los Blancos”.

Tutje, Ancelotti foli edhe për Barcelonën, duke thënë se rivalin e tyre duhet ta shikojnë si një luan dhe jo mace.

“Ata janë të fortë në mbrojtje dhe nuk pësojnë shumë gola. Kështu ata kanë arritur të fitojnë ndeshje. Është shumë e vështirë të dish se si do të shkojë ndeshja, sepse secila është e ndryshme. Në Kupë ata ishin në mbrojtje sepse kishin epërsinë. Varësisht se çfarë do të ndodhë në ndeshje, ata do të ndryshojnë qasje. Nesër duhet ta shikojmë Barcelonën si një luan, jo si mace. Nëse hyni në të duke menduar se ata janë një mace e vogël, do ta merrni shumë lehtë dhe është një lojë e madhe në të cilën ne duhet të luftojmë deri në fund dhe të tregojmë përkushtim të vërtetë”, deklaroi Carlo Ancelotti.

“El Clasico” do të zhvillohet në “Camp Nou” të dielën, nga ora 21:00.

Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe edhe për faktin se mund të vendosë shumëçka sa i përket titullit të kampionit.

Barcelona prin në tabelë me 65 pikë, nëntë më shumë se Real Madridi.

Shpërndaje në: