Andin Ukshin Hoti pyet Serbinë: Ku është prindi im?

Periskopi.com Lajme

Janë pesë lokacione në Kosovë që me urdhër të prokurorisë janë duke u hulumtuar për gjetjen e eshtrave të personave të zhdukur. Megjithatë, Komisioni Qeveritar konsideron se ka edhe më shumë lokacione në Serbi, ku dyshohet që ndodhen eshtrat e mbi 1600 të zhdukurve në varreza masive. Gjatë këtij viti janë identifikuar 21 mbetje mortore, prej tyre 19 trupa të komunitetit shqiptarë dhe dy serbë. Hapja e arkivave shtetërore të Serbisë, po konsiderohet me rëndësi për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka theksuar se ka mungesë të stafit, për çka ka kërkuar mbështetje me kapacitete njerëzore edhe nga ambasadat përkrahëse.

Ai në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ka theksuar se duhet të bëhet presion edhe ndaj BE-së për të kërkuar nga Serbia zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur. Kështu është përgjigjur Hoti në pyetjen e kryetares së komisionit, Duda Balje, e cila ka pyetur se ku është dobësia e Kosovës në çështjen e të pagjeturve.

 “Jemi duke punuar në ndryshimin e Ligjit për Personat e Zhdukur. Projektligji është në Ministrinë e Drejtësisë, i cili pritet që brenda tetorit, nëntorit të përfundojë dhe të përcillet tutje. Në kuadër të këtij ligji janë adresuar edhe kërkesat tona si komision por edhe kërkesat kryesisht të familjarëve të personave të zhdukur që kanë të bëjnë edhe me ligjet tjera-Ligji për kategoritë e dala nga lufta dhe Ligji për Pensionet. Sepse ne konsiderojmë, familjarët kanë kërkuar por edhe ne konsiderojmë që familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë të kenë benefite të tjera, krahas atyre që i kanë aktualisht si familjarë të personave të zhdukur të përafërta me kategoritë e dala nga lufta”, ka thënë ai.

Po ashtu, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka adresuar edhe rekomandimin për emërtimin e këtij ligji.

 “Njëkohësisht kemi adresuar edhe një rekomandim që Ligji për Personat e Zhdukur mos të emërtohet më kështu, por Ligj për Personat e Zhdukur me forcë. Sepse këta persona që janë zhdukur në luftë, nuk janë zhdukur nga vet- dëshira por janë kidnapuar dhe zhdukur si pasojë e imponimit e marrjes me forcë. Emërtimin e këtij ligji kemi kërkuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë e pastaj që të vjen në Kuvend të Kosovës dhe të merr edhe përkrahjen e juaj që të kenë ndryshimin e emërtimit të këtij ligji”, ka shtuar Hoti para anëtarëve të komisionit.

Janë edhe disa mostra për të cilat po hulumton Komisioni Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur në Hagë, por të cilat ende nuk janë kthyer.

 “Edhe unë konsideroj, jo vetëm zotëri Kurti që Odaloviq duhet të ndërroj dhe të mos udhëheq atë delegacion, sepse informacionet që ne i kemi marrë përveç që janë të pakta janë edhe jo korrekte, janë edhe të rrejshme. Unë e kam dëgjuar disa herë palën serbe që ne i kemi dhënë Kosovës 2 mijë dokumente si informacion. Përgjigja më e thjeshtë është ‘ku është prindi im dhe ku janë edhe mbi 1600 persona të tjerë’? Sepse ne mund të marrin edhe 20 mijë dokumentacione por ato nuk kanë vlerë”, theksoi ai.

Hoti i cili po kërkon edhe zbardhjen e fatit të babait të tij, Ukshinit shtoi se në Kosovë janë duke u hulumtuar pesë lokacione me urdhër të Prokurorisë së Kosovës.

“Brenda territorit të Republikës së Kosovës janë disa urdhëresa që janë të lëshuara prej Prokurorisë së Kosovës. Ne kemi filluar të punojmë në disa lokacione në territor të Kosovës. Këtë e kam thënë edhe në media që për hir të familjarëve dhe mos-shqetësimit, sepse i tillë jam edhe vet dhe e di se çfarë do të thotë nëse dëgjoj një lajm që diku në Kosovë po hulumtohet për një varrezë potencialisht masive. Për hir të mos shqetësimit të familjarëve ne nuk i kemi bërë publike lokacionet që jemi duke punuar. Natyrisht që mbetet prioritet. Janë pesë lokacione në Kosovë që kemi urdhëresa dhe jemi duke punuar”, shton ai.

Ani pse ka lokacione në Kosovë ku po kërkohen eshtrat e personave të cilët u vranë e masakruan, Hoti shton se prioritet mbeten lokacionet në territorin e Serbisë. Sipas tij, përveç pesë lokacioneve që janë hulumtuar në këtë vend, ka edhe shumë tjera ku dyshohet se ka pasur varreza masive.

Më tej, ai ka paraqitur edhe sfidat për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, ku theksoi se kanë mungesë të saktë të informacioneve që jo rrallë herë Serbia ka manipuluar me qëllim të prolongimit të çështjes së personave të zhdukur.

 “Një nga sfidat kryesore që e kemi trajtuar edhe në Bruksel para dy javësh është edhe qasja në arkivat shtetërore të Serbisë, të ushtrisë së Serbisë të cilat konsiderohen të klasifikuara me ligjet aktuale të Serbisë… Ne mendojmë që arkivat shtetërore te Serbisë ndihmojnë shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Por nuk do të thotë që është rruga e vetme. Brenda këtij viti 21 identifikime kanë qenë në total. 19 prej tyre janë të komunitetit shqiptar, 2 janë të komunitet serb. Në rastin e fundit e dini që janë gjetur 7 identifikime të reja në masakrën e Rezallës, do të thotë që janë rivarrosur pastaj në varrezën masive të Kizhevakut dhe dy ribashkime”, ka njoftuar Hoti.

Deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu ka pyetur se cili është bashkëpunimi i tij me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin i cili është i ngarkuar me çështjen e dialogut.

“Me zotëri Lajçak kam qenë aty kur është diskutuar për personat e zhdukur. Niveli im nuk është njëjtë me zotëri Bislimin që është nivel politik dhe kalon në nivel më të lartë që të marrë pjesë në takim të tillë me zotëri Petkoviq që ka pasur. Nuk ka ndodhur një takim i tillë, sepse potencova që Serbia ka provokuar me sjelljen e zotëri Odaloviq në Bruksel. Nuk është mbajtur një takim i tillë i nivelit tim. Takimi i radhës nuk kam njohuri se kur do të mbahet apo a do të jem unë atje”, është përgjigjur ai.

Përveç eshtrave të kosovarëve, Hoti theksoi se kërkojnë edhe personat e zhdukur me forcë. Ai ka kërkuar nga komisioni për të Drejtat e Njeriut që familjarët dhe personat e zhdukur të mos trajtohen si viktima, por të kenë një status të veçantë.

Ndryshe, javën e kaluar përmes pikës kufitare në Merdarë janë sjellë eshtrat e shtatë trupave dhe dy ribashkim të masakrës së Rezallës. Këto mbetje mortore janë gjetur në varrezën masive në Kizhevak. Ndërsa, pas ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore, të shtunën do të organizohet ceremonia e varrimit në kompleksin e Rezallës së Skenderajt.