Angela Merkel dhe fitorja mbi veten

Angela Merkel dhe fitorja mbi veten

Shkruan: Qendrim Badalli

Brenda pak kohësh kancelarja gjermane Angela Merkel do ta lirojë zyren e saj në Berlin. Brenda saj ka qëndruar afro 16 vite tek ka udhëhequr shtetin më të fuqishëm në Europë si dhe një nga më të fuqishmit në botë. Këto fjali i takojnë një raportimi të zakonshëm mediatik, mirëpo rrugëtimi i saj politik kërkon një analizë më të detajuar që tejkalon botën e përshkrimit të fakteve, sepse në të vërtetë ky rrugëtim qenë një maraton me plotë sfida.

Me ardhjen e saj në krye të Gjermanisë më 2005, Angela Merkel, kishte vazhduar ta mbante një gjendje stabile dhe një zhvillim të qëndrueshëm dhe të prekshëm në rrafshin ekonomik, teksa si një demokrate e vërtetë ka arritur që t’i neutralizonte dukshëm, gati deri në margjinalizim, linjat ideologjike dhe politike ultranacionaliste që nën udhëheqjen e Merkelit dukeshin thjeshtë dhe vetëm fantazma të së kaluarës. Përjashto nje destabilizim të lehtë herë pas here në të dyja rrafshet, kjo është fotografia përmanente e qeverisjes Merkel.

Të qenurit në krye të Gjermanisë nënkupton një rol të dyfishtë udhëheqës, meqë që nga themelimi de facto Gjermania mbanë mbi supe përgjegjësinë më të madhe për  udhëheqjen e Bashkimit Europian.  Sfida e parë serioze në udhëheqjen e dyfishtë për Merkelin ka qenë kriza financiare që goditi Eurozonën e në veçanti Greqinë. Manovrimet politike të kancelares gjermane ishin të matura dhe produktive. Ndihmat me miliarda euro për Greqinë përbëjnë vetëm një nga lëvizjet e duhura të Merkelit në funksion të futjes nën kontroll të një situate ekonomike që veçsa eskalonte.

Pranimi i refugjatëve nga Siria në Gjermani ishte një sfidë tjetër të cilës kancelarja i bëri një lloj menaxhimi. Zgjidhja e problemit për Gjermanin ishte e qartë dhe e thjeshtë: Mbi bazën e parimeve dhe vlerave demokratike si dhe në interes ekonomik të vendit refugjatët do të pranoheshin. Mirëpo, Merkel dështoi t’i binte edhe një mori vendesh tjera të Bashkimit Europian, që në vend të dyerve të hapura kishin vendosur gjemba në zona kufijtare. Ky moment do ta zbulonte pikën ku Merkel kishte probleme të vazhdueshme: Udhëheqjen e Bashkimit Europian.

Më pas, sulmet serike terroriste në vendet e Unionit Europian, aneksimi i Krimesë nga Rusia, tensionimi i jashtëzakonshëm i raporteve me Turqinë, daljen nga Zona Shengen e disa vendeve europiane, dalja e Britanisë së Madhe nga BE, ofenziva e forcave të populizmit nacionalist, krijuan një momentum të paprecedent për Bashkimin Europian. Për një moment gjithçka u rrënua. E vetmja shpresë për stabilitetin dhe demokracinë mbeti Angela Merkel. Pa dyshim kjo periudhë ka qenë sfida më e rënd dhe goditja me e madhe politike që Merkel e ka marrë në gjithë udhëheqjen e saj 16 vjeçare.

Sërisht, Merkelit iu shpërfaq dobësia në lidershipin e Bashkimit Europian meqë nuk arriti ta ndalte as edhe një proces, përderisa që të gjithë ishin në dëm të Bashkimit Euopian. E tronditur nga një varg procesesh, që si të ishin të sinkronizuara pasonin njëri-tjetrin, dhe që qartazi dukeshin se janë krejtësisht jashtë kontrollit, fitorja e Emanuel Macronit në Francë ishte për të një infusion jetik politik. Kjo i ndihmoi Merkelit në mirëmbajtjen e një stabilitetit të brishtë që tashmë ishte krijuar në BE dhe në ndaljen e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës. Integrimi i vendeve të tjera brenda bllokut si dhe roli aktiv gjeopolitik i Bashkimit Europian u hoq nga axhenda. Ndryshimi i tillë i axhendës dhe strategjisë ishte pranimi i disfatës që BE pësoi. Merkel këtu kishte përgjegjësinë e vet, por njëkohesisht edhe meritat që sabotoi një shpërbërje eventuale të bllokut dhe shërbej si një shkëndi shprese për liberalizmin perendimor.

Pamundësia e konsenzusit politik brenda Bashkimit Europian, fokusimi në ruajtjen e status-quos, procese të ngadalshme të zgjerimit, politika reaksionare dhe defanzive si dhe rol dytësor e periferik në beteja gjeopolitike, e kanë karakterizuar gjithë periudhën e qëndrimit në pushtet të kancelares gjermane, Angela Merkel, në raport me rolin udhëheqës në Bashkimin Europian. Një shembull ilustrativ për këtë realitet të pafuqisë politike është ndërmjetësimi i dialogut Kosovë-Serbi nga Bashkimi Europian, i cili edhe pse i bëri një dekad si proces, ka dhënë rezultate tejet të dobëta dhe pa asnjë shenjë për zgjidhje përfundimtare.

Në raport me Kosovën, Gjermania nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel ka qenë mbështetësi kryesor europian. Merkel ka mbështetur Pavarësinë e Kosovës, procesin shtetndërtues përmes ndihmave financiare dhe mbështetjes politike,  si dhe ka ofruar mbështetje konstante për të gjitha proceset integruese të vendit brenda strukturave euroatlantike. Pavarësisht se pa ndonjë rol të fuqishëm në arritjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, Gjermania nën udhëheqjen e Merkelit ka qenë ndër shtetet e rralla europiane që ia ka kushtëzuar hapur anëtarësimit e Serbisë në BE përmes një marrëveshjeje me Kosovën.

Të shkruash për Angela Merkelin nga një vend ballkanit është e domosdoshme ta theksosh edhe impaktin e kancelares në raport me thyerjen e steriotipeve gjinore. “Një grua po e sjell në gisht gjithë Europën”, është një shprehje e zakonshme e thënë me tone habie nga qytetarë në ndonjë cep të Ballkanit. Qëndrimi i saj kaq gjatë në pushtet dhe qeverisja me integritet, është shëndrruar në model dhe motivim për shumë të reja që synojnë suksese në kontekste partiarkale.

Largimi i kacelares gjermane nga pushteti pashmangshmërisht do të përcillet me një frymë destabiliteti dhe pasigurie politike, para se gjithash, për shkak të qëndrimit të gjatë në pushtet që nënkupton adaptim me politikëbërjen e saj, si gardiane e demokracisë liberale dhe stabilitetit në Bashkimin Europian. Marrë parasysh kursin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe nën udhëheqjen e Presidentit Biden, me paralajmërime për tërheqje nga roli aktiv në kuadrin gjeopolitik, largimi i Merkelit në këtë kontekst përbënë një këmban serioze për stabilitetin e rendit aktual perendimor.

Gjykuar në rrafshin individual, Angela Merkel është fenomen në vete. Në kohën kur shumica e liderëve shëndrrohen lehtësisht në autokratë teknokratik, ku pjesa dërmuese e tyre janë të zhytur në afera korruptive, janë peng të rrjeteve oligarkike, mirëmbajnë pushtetin duke vjedhur zgjedhje e instrumentalizuar ideologji fetare e nacionaliste, Angela Merkel, pothuajse e vetme, krejtësisht kundër trendit aktual famekeq politik, qëndron në taborin tjetër; 16 vite në pushtet, pa asnjë aferë korruptive, autonome dhe e pakontrolluar, dhe vetëm me parulla demokratike në duar.

Ajo do të jetë pjesë e historisë për të gjitha këto, por meriton të mbahet në mend edhe për një gjë tjetër që pak kush në historinë e gjatë politike e ka arritur: fitoren mbi veten. Merkel ka fituar betejën më të vështirë që mund ta shënojë një njeri, atë mbi veten, mbi idenë dhe vullnetin për pushtet, sepse Angela Merkel, me një lëvizje të rrallë, po e lëshon karriken e njeriut më të fuqishëm në Europë me vetdëshirë, pa u mposhtur nga askush në garë. Moment madhështie. Nganjëherë fundi shpjegon gjithë rrugëtimin. E tillë është karriera e Merkelit. Atë nuk e devijoi pushteti sepse nuk u zotërua nga ai. Ai ishte thjeshtë një instrument për ta bërë atë çfarë ka bërë, por jo edhe qëllim në vete për të cilin ia vlen të flijohet vetja dhe gjithçka tjetër.

Shpërndaje në: