Anglia dhe Kosova rrëmbejnë vëmendjen e botës: Gola, luftë e egër, puthje, hile (Video)

Periskopi.com Sporti

Ndeshja mes Anglisë dhe Kosovës ishte ndoshta një ndër ndeshjet më të mira të futbollit evropian këtë vit.

Kosova e humbi ndeshjen me rezultat 5-3, por provokoi një lum ndjenjash të forta te fanatikët e futbollit me luftën e paepur që bëri gjatë gjithë ndeshjes.

Së pari, Kosova dërgoi në qiellin e shtatë tifozët e saj pas një goli pas 34 sekondash. Gaboi Michael Keane i Evertonit, por ai gabim ishte si rrjedhojë e një presioni tepër të lartë, në gjashtëmbëdhjetëshin kundërshtar nga ana e Kosovës. E si mund ta priste Anglia që Kosova e vogël do të zbatonte atë lloj presioni në minutat e parë të ndeshjes?

Por, pikërisht presioni në gjysmëfushën kundërshtare, krijoi hapësira në gjysmëfushën e vet. Dhe, Kosova u dërrmua nga Raheem Sterling, që me të drejtë mund të quhet “Pele i Ri” pas golave e driblimeve që i bëri.

Sidoqoftë, në një rast kombëtarja e Anglisë bëri hile pasi nuk e ndali lojën edhe pse ishte e vetëdijshme se Fidan Alimi ishte i shtrirë në fushë si i lënduar. E vazhdoi aksionin, me Kosovën e cila ishte e shpërqendruar duke kërkuar që topi të largohej jashtë fushës, shkruan Periskopi.

Anglia shënoi hiç më pak se pesë herë në pjesë të parë, duke treguar kryeneçësinë e ekipit kosovar që e ndiqte çdo top të kundërshtarit – pavarësisht të dukshëm në cilësi, duke humbur tepër shpesh pozicionin në fushë.

Pas rezultatit 5-1, ndjenja e turpërimit dhe frikës u injektua në tifozët dardanë. Të gjithë menduan se momenti i mirë i krijuar me shumë mund pas një ecurie me 15 ndeshje pa humbje, mbaroi. Dhe po mbaronte në mënyrën më të keqe të mundshme. Jo thjesht me një humbje, por me një humbje poshtëruese.

Na sillej nëpër mend rezultati 8-1, ose edhe 10-1 e 12-1, që do të na bënte subjekt talljeje në botën ndërkombëtare të futbollit.

Por, ja që Kosovës iu tek të tregohej e çmendur dhe të luante e patrembur. E nisi pjesën e dytë duke synuar të depërtonte në mbrojtjen kundërshtare. Dhe, IA DOLI! Ishte Vedat Muriqi përmes një asistimi fantastik drejt Berishës i cili shënoi për 5-2. E më pas, pas një penalltie të fituar mjeshtërisht, dardanët shënuan për 5-3.

Humbjen e bënë fitore. Turpërimin e shndërruan në krenari. Lojën e futbollit në një magji që do ta kishte lakmi çdo komb tjetër i vogël.

Shumë gjëra spikatën gjatë kësaj ndeshjeje.

Së pari, ishte shpejtësia e Raheem Sterling. Aftësia e tij dribluese. Por veç këtyre, ra në sy edhe fuqia e tij e jashtëzakonshme trupore – duke fituar duele të pabesueshme me viganët dardanë.

Së dyti, ishin pasimet e bukura të Kosovës. Vojvoda në një moment ia doli ta trulloste mbrojtësin e krahut Ben Chilwell, aq sa ai u rrotullua krejtësisht për të mos e ditur as ku ishte. Pastaj, kishim veprimin mjeshtëror të Besar Halimin. Ai ia doli ta kalonte duke e ngritur topin mbi trupin e Jordan Hendersonit. Ky i fundit s’e dinte ku është topi pas atij veprimi.

Së treti, kishim puthjen që i dha Arijanet Muriq, yllit të Cityt Raheem Sterling. Muriq aksidentalisht e godet në kokë Sterlingun, pas së cilës, ky i fundit mban kokën. Por, Muriq shihet duke i folur diçka dhe duke e puthur kokën e tij. Sterling dikur ishte bashkëlojtar i Muriqit te ekipi i Manchester Cityt./Periskopi

Shpërndaje në: