Antiplumbat pa afat: Gjoksi i policëve i ekspozuar në rastet e rrezikut

Antiplumbat pa afat: Gjoksi i policëve i ekspozuar në rastet e rrezikut

Ata i veshin sa herë që ia mësynë ndonjë rasti të rrezikshëm, ndonëse u ka skaduar afati tash e disa muaj. Policët e Kosovës nuk e dinë as vetë nëse mund të kalojë apo jo ndonjë plumb brenda jelekëve të tyre mbrojtës, në rast të ndonjë përballjeje me rrezikun. Krejt kjo po ndodh shkaku i zhagitjes së tenderit për blerjen e re të antiplumbave…

Zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës po bën eksperimente me tenderin për furnizim me jelek anti-plumb, afati i të cilëve është 10 vjet. Njëherë e shpall një fitues, pastaj e anulon vendimin e vet, se thotë janë bërë shkelje, e shpallë një fitues, pastaj e anulon krejt tenderin, pastaj.. Drama nuk ka përfunduar akoma, ndonëse ka nisur që në qershor të vitit të kaluar.

Tash e një vit e gjysmë ky tender orvatet të realizohet, por nuk arriti për shkak se procedurat tenderuese nuk po kryhen sipas Ligjit. Pra, trajtimi për realizimin e kësaj kontrate është e njëjtë, sikurse me një tender që kërkohet të bëhen furnizime me pije freskuese për bufenë e ndonjë institucioni, apo furnizim me makineri për repilimin e kafshëve që realizohet nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit.

Në krejt këto shkelje, policia nuk po merr asnjë masë ndajë zyrtarëve të vetë të prokurimit, që lë të kuptojë se për të çdo gjë është në rregull.

Periskopi ka pyetur zyrën për Informim të Policisë së Kosovës  nëse është marrë ndonjë masë ndaj zyrtarëve të prokurimit, por nuk kanë treguar diçka konkrete.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi kujdeset të siguroj pajisjet e nevojshme logjistike, përfshirë veshmbathjet, uniformat dhe pajisjet e nevojshme policore për të gjithë zyrtaret policorë, me qëllim të mundësimit të realizimit të detyrave operative dhe administrative dhe  secili zyrtar i Policisë se Kosovës është i pajisur me to. Në vazhdimësi sipas planifikimeve dhe afateve kohore PK-ja furnizohet me pajisje logjistike dhe uniforma të cilat iu dedikohen zyrtarëve policor të cilët furnizohen sipas planifikimeve dhe procedurave të parapara.”

Tutje përgjigja e tyre vijon: ”Ju njoftojmë se Policia e Kosovës ç’do herë në kuadër të mundësive buxhetore ka bërë dhe bënë  të gjitha planifikimet e nevojshme dhe ka zhvilluar procedurat ligjore për të siguruar furnizimet e nevojshme që nevojiten për kryerjen e detyrave të policisë. Disa projekte te caktuara përfshirë projektet për furnizim me  jelek antiplumb,  uniforma të rregullta policore duke përfshi edhe mbathje, uniforma për njësi speciale për shkak të ankesave nga Operatorët e ndryshëm Ekonomik që parashihen sipas ligjeve në fuqi kanë përfunduar në OSHP-së dhe tani pas funksionalizimit të OSHP-së menjëherë kemi vazhduar tutje sipas procedurave dhe ligjit të prokurimit”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Megjithëkëtë, e vërteta është se që disa muaj jelekëve të policisë u ka skaduar afati, dhe konfom rregullave ata nuk guxojnë të përdoren.

Si nisi  ky tender

Fillimisht, në qershor 2021, Policia e Kosovës kishte hapur tender për blerjen e më shumë se 3 mijë jelekëve anti-plumb për zyrtarët policor. Karakteristikat e jelekëve janë: Njëri nga antiplumat i cili vishet nën rroba dhe peshon më pak se 3 kilogramë gjithashtu nuk është i dukshëm për syrin e publikut, ndërsa dy llojet e tjera të antiplumave, njëri 8 kilogramë dhe ai për Njësitë Speciale 10 kilogramë vishen mbi uniformën policore dhe janë të dukshëm. Pra, po kërkohen të blihen antiplumb i brendshëm (diksret) 600 copë. Antiplumb i jashtëm 2300 copë. Antiplumb taktik për njësi speciale 350 copë.

Në këtë tender, kanë konkurruar 7 kompani. Më 20 tetor 2021, prokurimi i policisë e ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive “Pricom” SHPK & “Seyntex NV” me çmim prej 2, 346, 000. 00 euro.

Se u shkel Ligji gjatë vlerësimit të ofertave, menduan disa kompani, të cilat më pas u ankuan në zyrën e prokurimit të policisë. Ankesa e tyre është trajtuar dhe më pas policia e ka anuluar vendimin e vetë të parë dhe ka vendosur që të shpërblejë me kontratë kompaninë “Sodex Group”, në një vlerë prej 2, 758, 950.00 euro. Pra, policia u pajtua vet që e ka shkelur Ligjin gjatë vlerësimit të ofertave dhe për këtë nuk u mor asnjë masë ndajë zyrtarëve të Komisionit vlerësues.

Meqë para kësaj kompanie, ishte rekomanduar grupi i kompanisë “Pricom” SHPK & “Seyntex NV”. Pas rivlerësimit të dytë ky grup është shpallur si i papërgjegjshëm me arsyetimin se “ Tek kërkesa 1 Antiplumb i brendshëm -Testet balistike për pjesët e buta atë antiplumbit të brendshëm janë bërë me llojin e municionit 44 mag .240 SJHP, dhe jo me llojin e municionit 44 mag. 240 JHP, siç është kërkuar”.

Arsyetim i njëjtë është përdorur edhe për antiplumbin e jashtëm.

Kompania ka ofruar arsyetimet e veta duke konsideruar se eliminimi është i paqëndrueshëm, por të njëjtat i ka hedhur poshtë prokurimi i policisë, andaj më pas kompania është ankuar në OSHP.

OSHP e ka rekomanduar një ekspert të vetin për t’i trajtuar lëndët, edhe dy ankesa të kompanie tjera. Ky zyrtar e ka përpiluar raportin e vet brenda kohës dhe e ka dërguar në institucionin ku punon. Periskopi ka mësuar se eksperti kishte gjetur shkelje nga ana e prokurimit të policisë në rivlerësimin në herën e dytë, për çka  i ka rekomanduar Bordit të OSHP-së që ta detyrojë policën që lëndën ta kthejë edhe një herë në rivlerësim.

Procesi kishte mbetur i pezulluar mbi një vit, meqë OSHP-ja nuk kishte bord. Bordi i ri i këtij institucioni kishte vendosur që të hedhë poshtë të gjitha ankesat pasi konsideronin se janë pa afat dhe kishte lënë të lira autoritete kontraktuese që të vepronin sipas dëshirës. Më 22 korrik 2022, prokurimi i policisë kishte vendosur që të anulojë krejt tenderin me arsyetimin se OSHP kishte thënë se ankesat janë të jashtëafatshme.

Me këtë vendim nuk janë pajtuar kompania “Pricom” dhe kompania tjetër “Sodex Group” dhe patën bërë ankesë pranë autoritet kontraktues. Ministria kishte refuzuar ankesat, kështu duke bërë që kompanitë t’i drejtohen OSHP-së.

Ministria e ka pezulluar vendimin e vet për anulimin e aktivitetit të prokurimit derisa OSHP të marrë vendim. Ky institucion e kishte rekomanduar ekspertin e vet dhe Panelin që lëndën  shqyrtuese ë shoshitur provat e kompanive ankuese. Eksperti më datë 29 shtator, kishte hartuar raportin e vet, dhe në të kishte konstatuar se nuk janë plotësuar kërkesat ligjore që ky aktivitet i prokurimit të anulohet, dhe e ka rekomanduar panelin e OSHP-së që të anulojë vendimin e ministrisë, ndërsa ofertat për këtë tender t’i kthejë në rivlerësim.

Që dy muaj, Paneli i OSHP-së nuk ka qenë në gjendje që të nxjerrë një vendim për këtë rast, dhe që nga ajo kohë tenderi ka mbetur pezull.

Lëvizja e fundit që ka bërë prokurimi i ministrisë është më datë 24 nëntor (dje), ku e ka ngarkuar në E-prokurim një dokumente nëpërmjet të cilit ka kërkuar zgjatjen e validitetit të ofertave.

Policia e Kosovës tash e një kohë të gjatë ka pasur probleme me furnizim të antiplumbit. Problemin më madhor e ka pasur me kompaninë “ALL-Zone” të cilës ia kishte shkëputur kontratën në vitin 2019. Policia dhe kjo kompani janë ballafaquar edhe në gjykatë.

Policia Kosovës, të paktën ka arritur të sigurojë vetëm Njësitet Speciale. Në mars të këtij viti ishte hapur një tender për furnizim me 100 jelekë taktik për Njësitë Speciale. Kontrata ka arritur të lidhet në fund të muajit gusht. /Mentor Buzhala – PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: