Apo zbrazët Kosova?

Apo zbrazët Kosova?

Në kuadër të projektit Takimi, Shoqata albinfo.ch organizoi një debat, si një thirrje për rimendimin e solidaritetit ndër breza në mënyrë që t’u ofroj brezave të rinjë perspektivë reale për të ardhmen në Kosovë.

Më shumë se 170’000 qytetarë janë larguar nga Kosova midis viteve 2013 dhe 2017, për të emigruar kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani, shumica nga ta të diplomuar. Vetëm në vitin 2020, sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, numri i atyre që u larguan nga Kosova ka arritur në 8724. Ky trend është duke u përshpejtuar. Në rast të një emigracioni masiv nga Kosova, atëherë rezulton që shteti ynë po humb popullsinë, po zbrazet nga rinia e saj, duke e humbur kësisoj një rini aktive dhe të gatshme për punë.

Profesionistë të ndryshëm si mjekë, inxhinierë, arkitektë, mësues, studiues e biznesmenë, po e shohin gjithnjë e më shumë rrugëtimin e tyre profesional jashtë vendit. Europa, në njëfarë mënyre i ka hapur dyert, meqë kërkesat për fuqi punëtore në Perëndim janë shtuar. Shembulli i Gjermanisë, e cila po thith një pjesë të madhe të fuqisë punëtore kosovare, ilustron më së miri këtë dukuri shqetësuese. Për një vit, më shumë se 100.000 qytetarë nga Kosova kanë aplikuar për vizë pune në Gjermani.

Sipas sociologëve arsyet që po detyrojnë kosovarët të mendojnë largimin nga Kosova janë: kushtet ekonomike, bashkimi familjar, mungesa e lëvizjes së lirë, dhe sidomos mungesa e një perspektive dhe infrastrukture të përshtatshme mbështetëse për të rinjtë.

Pse kjo bisedë?

Në Kosovë, shkalla e papunësisë së të rinjve ka arritur në 73%. Me këtë shifër alarmante, Kosova bëhet vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Ballkan. Me një popullsi aktive për punë prej 508.100 personash, papunësia veçse ka prekur 45% prej tyre. Situata është edhe më e rëndë për brezin e ri, 15-25 vjeçarët/et, ku gati tre të katërtat (73%) nuk kanë asnjë perspektivë për punësim. Duke pasur parasysh se Kosova ka popullsinë me të re në Evropë (49% e popullsisë janë nën 25 vjeç) rezulton se brenda 5 vjetëve të ardhshme, rreth 200 mijë të rinj do të jenë në moshë pune dhe do të kërkojnë punë. Ata që nuk e gjejnë një mundësi punësimi, shumë shpejt e mendojnë largimin nga vendi. Tashmë, 35% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë dhe afro 12% në varfëri ekstreme.

Gjeneza e problemit?

Një ekonomi e dobët, trajnime joadekuate profesionale dhe një numër i pamjaftueshëm i agjencive të punësimit.

Përballë këtij realiteti të zymtë, ec e merre vesh a ka perspektivë në Kosovë ?

Për këtë, albinfo.ch propozoi një debat për të biseduar rreth zgjidhjeve që mund t’u jepen kësaj krize brezash. Si mund t’u garantohet të rinjve një ardhmëri më premtuese në Kosovë?

-Si të frenojmë këtë ndjenjë të pasigurisë ?

– Duke treguar, përtej kontekstit socio-ekonomik të vështirë, shembuj motivues që portretizojnë të rinjtë kosovarë që kanë guxuar të ëndërrojnë të ardhmen e tyre në vendlindje, duke gjetur përmbushje shpirtërore përmes projekteve të tyre profesionale në Kosovë, albinfo.ch synon të kontribuojë në debatin publik, duke sjellë një pasqyrë me më shumë nuanca rreth potencialeve të pashfrytëzuara për rininë kosovare.

Shpërndaje në: