Arben Vitia tash po provon edhe vet të bëj fushatë për Arben Vitinë: Mundohet të jetë ‘cool’

Periskopi.com Lajme

Në fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën z.Arben Vitia, kishte bërë fare – e pothuajse aspak – fushatë. Mos angazhimi i z.Vitia në fushatë, duke mbajtur njërën këmbë në Ministrinë e Shëndetësisë e tjetrën si emër i kandidatit të partisë në pushtet për kryeqytetin, në shumë raste ishte vlerësuar si arrogancë.

Në fillet e fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit, ishte kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, ai që po bënte fushatë në Prishtinë, në vend të z.Vitia.

Vet z.Vitia në një intervistë në Kallxo, pati deklaruar se ‘sa të jetë ministër i Shëndetësisë do të angazhohej/përkushtohej vetëm në këtë post’.

Kishte zëra se z.Vitia, në fakt, e kishte si strategji dhe rekomandim nga partia, që  të mos bënte fushatë, shkaku që në kohën kur po udhëhiqte Ministrinë e Shëndetësisë, Kosova po shënonte shifrat e tmerrshme të pandemisë: numër i madh vdekjesh dhe infektimesh, dhe se kjo do t’i përkthehej keq në vota.

Por ajo që vërehet tani është se z.Vitia ka filluar të bëj fushatë: nga takimet me qytetarë e deri te video-mesazhet.

Për këto të fundit, kryetari i partisë së z.Vitia, Albin Kurti, kishte kritikuar kundërshtarët se po ‘bënin fushata të shtrenjta me paratë e zhvatjes’.

Këtu po iu sjellim disa nga aktivitetet e fundit të z.Vitia, madje në një nga video-mesazhet, ai bën përpjekje që të jetë ‘cool’ duke u dukur sikur po ia huq me datën 14 nëntor të cilës njëherë gjatë ‘huqjes’ i thotë ‘144 nëntor’.

Kujtojmë se balotazhi në Prishtinë, është mes Vitisë dhe Përparim Ramës (LDK).