Argjentina nëse pëson humbje nga Meksika, sot mund të përshëndetet me Kupën e Botës

Argjentina nëse pëson humbje nga Meksika, sot mund të përshëndetet me Kupën e Botës

Argjentina do të përballet sot me Meksikën, që në rast humbje do të eliminohej nga Kupa e Botës, qysh në rrethin e dytë të fazës së grupeve.

Ekipi i drejtuar nga kapiteni Lionel Messi, pësoi humbje shokuese nga Arabia Saudite, me rezultat 1-2, duke e tronditur botën.

Argjentinasit do të kenë sot punë me meksikanët, pasi me një humbje eventuale, do t’i humbnin gjasat për kualifikim, me ndeshjen e tretë ndaj Polonisë, që do ta zhvillonin vetëm sa për prestigj.

Kombëtarja argjentinase për momentin renditet në vendin e fundit në grupin C, me zero pikë. Në këtë grup prin Arabia Saudite me tri pikë, teksa Polonia dhe Meksika me nga një pikë.

Lionel Messi sot do të provojë që të tregojë veten, pasi siç ka deklaruar ky do të jetë Botërori i tij i fundit në karrierë, ku nuk e ka fituar asnjëherë, pavarësisht që ka marrë pjesë pesë herë.

Argjentina Kupën e Botës e ka fituar dy herë, në vitin 1978 dhe 1986. Ndërkohë tri herë ka shkuar deri në finale, në vitin 1930, 1990 dhe 2014.

Ndeshja mes Argjentinës dhe Meksikës, do të luhet me fillim nga ora 20:00.

Shpërndaje në: