Arifi për Periskopin: Qeveria Kurti le që s’na ka mbështetur, por na ka përçarë edhe më shumë

Arifi për Periskopin: Qeveria Kurti le që s’na ka mbështetur, por na ka përçarë edhe më shumë

Sot po festohet në çdo vend ku ka shqiptarë dhe frymon shqip. Shqipëria sot feston 110 vite shtet dhe ndërkohë nga figurat politike e personalitet të ndryshme po bëhet thirrje që shqiptarët të jenë më të bashkuar. Kur flasim për bashkimin e shqiptarëve nuk harrohet as Lugina e Preshevës, ku 28 nëntori  atje po festohet nga qytetarët, ani pse ata po ndihen të lënë pas dore nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, shkruan Periskopi.

Kështu tha në një intervistë për Periskopin kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

I pari i Preshevës tha se këtë vit shqiptarët atje po festojnë edhe pse ky nëntor po i gjen me situatë më të rënduar se viteve tjera.

Madje Arifi kritikoi ashpër edhe të dy qeveritë, për siç thotë ai “neglizhencën tendencioze” që po i bëhet Luginës. Madje pati edhe akuza se qeveria Kurti po përfshihet në përçarje të spektrit politik në Preshevë.

“Si çdo vit edhe këtë vit 28 nëntori kremtohet edhe festohet në Luginë të Preshevës, mirëpo këtë vit edhe njëherë më shumë po theksohet mangësia e prezencës të shtetit shqiptar apo edhe të republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Këtë vit preshevarët kanë kaluar me një republikë të Kosovës dhe me një qeveri që nuk ka qenë unifikuese edhe nuk ka qenë konstruktive në luginë të Preshevës, pra e ka shtuar edhe një herë më shumë situatën e rënduar në Luginë të Preshevës, në vend që ta lehtësoj dhe me qenë konstruktive. Në përgjithësi sot është ditë festive dhe shqiptarët këtu në Luginë e festojnë mbi të gjitha problematikat dhe sfidave të cilat i kemi ndaj Serbisë dhe mes veti në trojet shqiptare, prapë kjo ditë na unifikon”

“Mbështetje nuk është t’u marr Lugina nga Qeveria e Kosovës e as nga Shqipëria. Mendoj që është lënë pas dore në një masë të skajshme gjë e cila vendos pikëpyetje se cila është arsyeja, ose është paaftësia ose është neglizhencë tendencioze që i bëhet Luginës së Preshevës. Qeveria e Kosovës këtë vit ka bërë një precedent ku është përfshirë direkt në përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës, pra le që nuk na ka mbështetur por na ka përçarë edhe më shumë. Kurse Shqipëria këtë vit karakterizohet nëpërmjet abstinencës së saj në proceset politike, konkretisht në zgjedhjet parlamentare njësoj siç ka qenë në vitin 2020. Në këtë kontekst Kosova dhe Shqipëria në luginën e Preshevës janë absent dhe janë de konstruktiv”, tha Arifi.

Kryetari i Preshevës pati kritika për Qeverinë Kurti e cila vitin e kaluar kishte ndarë 2 milionë euro për Luginën, por këto mjete ende nuk janë transferuar.

“Qeveria Kurti 2 është e vërtetë që ka ndarë 2 milionë euro në vitin e kaluar, por nëpërmjet përfshirjes së saj direkte në spektrin politik duke e përçarë atë më njëri tjetrin nuk i ka transferuar 2 milionë eurot ende, përkundrazi i ka keqpërdor edhe në fushatë që ka qenë para tre jave kur kanë qenë zgjedhjet e këshillit nacionale, ku ja ka premtuar ato 2 milionë euro vetëm një parti edhe deri më sot ende nuk janë transferuar. Në këtë kontekst qeveria Kurti 2 me këto 2 milionë euro që ka pasë në fillim qëllimin e mirë, tani e ka devijuar qëllimin e mirë në një qëllim përçarës dhe shtirjes të strukturës së saj ndikuese përmes një partie që është një parti e tret për nga madhësia në Luginë të Preshevës”, tha ai për Periskopin.

I pyetur për situatën në Kosovë pas vendimit të Kurtit për targat dhe procesin e dialogut, Arifi tha se qeveria Kurti ka hyrë në një qorrsokak, derisa shtoi se “dialogu në Qeverinë Kurti nuk është një dialog i cili zgjidh probleme, por krijon probleme, gjë e cila i ngjan një mentaliteti komunist të cilët më shumë kanë krijuar probleme se kanë zgjidh probleme”.

“Unë e shoh një strategji politike të Kurtit e cila i përngjanë një cik cak kursi, një hapë përpara dy mbrapa dhe mendoj që targat nuk janë prioritet në politikat e Kosovës në kuadër të dialogut, por reciprociteti duhet të shtrohet jo nëpërmjet targave, por së pari të drejtave të njeriut ku bëhet një krahasim shumë i thjeshtë me Luginën e Preshevës dhe shqiptarët aty, gjë e cila nuk po ndodh dhe tani e kemi qeverinë Kurti 2 e cila ka hyrë në një qorrsokak me vendimin mbi targat nëpërmjet shtypjes së ndërkombëtarëve edhe kërcënimit atëherë vendos “okej po e shtyj edhe një herë” vendimin mbi targat, kështu që për mua është një cik cak kurs, nuk ka kurrfarë strategjie kombëtare dhe logjikë profesionale jo se jo politike dhe në këtë formë ne në Luginën e Preshevës, shqiptarët jemi viktimë e këtij kursi cik cak, por edhe të kursit përçarës të qeverisë Kurti në Luginë. Qeveria e Kosovës karakterizohet tek ndërkombëtarët si një qeveri e çerdhes e cila nuk merr përgjegjësi politike dhe mundohet me manovra të thjeshta me bë një hapë përpara dy mbrapa duke menduar që në këtë formë mund të krijohet një shtypje tek miqtë tonë ndërkombëtarë që për mua si kryetar i Preshevës është një qasje shumë delikate dhe tendencioze dhe asgjë thënës në këtë formë. Për mua dialogu në qeverinë Kurti 2 nuk është një dialog i cili zgjidh probleme, por krijon probleme, gjë e cila i ngjan një mentaliteti komunist të cilët më shumë kanë krijuar probleme se kanë zgjidh probleme”.

Derisa Kurti kishte emëruar ish-kryetaren e Preshevës Ardita Sinanin si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Arifi tha se nuk e sheh atë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Zonja Sinani është këshilltare, mirëpo është  politike e cila është udhëheqëse e një partie të vogël këtu në Luginë, në këtë formë për neve që jemi spektër polik në Luginë të Preshevës nuk ka kurrfarë rëndësie ajo, përkundrazi po keqpërdoret nga qeveria Kurti për të përçarë edhe më shumë luginën e Preshevës dhe nuk shoh që zonja Sinani është pjesë e dialogut dhe në qoftë se është në emër të Kurtit në emër tonin nuk është. Kështu që në këtë kontekst nuk pres nga zonja në fjalë rezultate”, ka thënë Arifi.

Kujtojmë se dje kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët në Tiranë për të shënuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë./Iliriana Xhylani-Periskopi

Shpërndaje në: