Ariu i Murrmë vs. Blerand Stavileci: Kush është më i fortë?

Ariu i Murrmë vs. Blerand Stavileci: Kush është më i fortë?

Dje u raportua se një dikaster i Qeverisë së Kosovës kishte marrë vendim që ta vriste z.Ari i Murrmë nga Prizreni, pasi ky i fundit thuhet të ketë shkaktuar dëme në ekonomi bujqësore e blegtorale dhe se rrezikonte jetën e njerëzve të një fshati. Nuk dihet nëse ka fakte për një gjë të tillë.

Por, ky ari në fakt mban ngjyrë të kaftë dhe jo të ‘murrme’ siç vlerëson Qeveria e Kosovës. E murrmja është ngjyrë e hirit të mbyllur si në të zezë pa lidhje me të kaftën. Për më tepër “Ursus Arctos” siç e njeh shkenca, në fakt mban emrin pikërisht “Ariu i Kaftë” për shkak të ngjyrës që e karakterizon. Ky gabim në dallimin e ngjyrave mund të bëj që Ushtria e Kosovës që thuhet se po merret me rastin të hyjë në gjynah duke e vrarë ndonjë ari të pafajshëm veç për shkak të ngjyrës së leshit. Sidoqoftë, mbetet të shpresohet se edhe gjuetarët i kanë mësuar gabim ngjyrat në ciklin parashkollor.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, vendimi i Qeverisë është i mbushur me gabime drejtshkrimore, aq sa vrasja e z.Ari i Kaftë nga Prizreni del të jetë mosvet e trishtë. Të vritesh me një vendim me gabime drejtshkrimore nuk mund të jetë gjë e bukur. Kjo dtth se po vritesh nga analfabetë e të pazotë. Nejse. E mira është se z.Ari i Kaftë po cilësohet ‘individ’, gjë që e bën praktikisht mbi-njeri në një vend ku as vetë kryeministri e një tufë politikanësh tjerë s’do ta meritonin atë cilësor përtej nivelit administrativ.

Vendimi i ‘skrinshotuar’ i Ministrisë së Bujqësisë

 

Por, a e meriton z.Ari që të vritet?

Ende nuk dihen provat që posedon Qeveria e që e shtyri ta merrte një vendim të tillë. Por, nëse përnjëmend ekzistojnë prova të forta se ai po rrezikon jetën e njerëzve të fshatit Pouskë dhe nëse në anën tjetër Ushtria e Kosovës nuk ka kapacitetet e nevojshme për ta kapur, atëherë vrasja del të jetë një zgjidhje e logjikshme dhe e domosdoshme.

Kjo të ndërmend një novelë të famshme të shkrimtarit rus Dostojevskit të titulluar “Krokodili”, sipas një kafshe në barkun e së cilës kishte ngecur një njeri. Për ta shpëtuar njeriun, duhej mbytur krokodilin. Ama, shoqëria ruse bie në lajthitjen e ‘vlerave perëndimore’ dhe nisi ta qortonte njeriun në fjalë që ‘i ishte futur’ në bark z.Krokodil i cili për më tepër ishte edhe në pronësi të një investitori gjerman. Rusët ‘liberalë’ kësisoj rreken të mbrojnë të drejtat e kafshëve dhe investitorët e huaj duke harruar krejtësisht që në pyetje ishte një njeri, dhe të drejtat e njeriut si më prioritare. Bile, edhe vetë njeriu që u përpi nga z.Krokodil nis ta qortojë veten për atë ‘gabim të tmerrshëm’.

Shoqëria kosovare që u vu në mbrojtje të z.Ari i Kaftë [Murrmë] harroi ekzistencën e banorëve të fshatit Kouskë, e të cilët madje edhe kishin kërkuar mbrojtje nga institucionet tona. S’ka dilemë se më prioritare është jeta e tyre se ajo e z.Ari. Pse? Epo, ne si njerëz jemi mbretër të kësaj xhungle. Dhe ‘trendi’ nuk duhet të na bëj që ta harrojmë një gjë të tillë sepse po të ishin arinjtë mbretër të kësaj xhungle, atëherë për njerëzit zor që do të fliteshin.

A është z.Ari i Kaftë i rrezikshëm?

Ariu në fjalë gjatë pranverës fillon të shtojë peshë dhe në verë mund të peshojë deri në 180 kilogramë. Ata janë shumë të turpshëm dhe kanë prirje që t’iu shmangen njerëzit dhe rrallë janë parë duke sulmuar. Sidoqoftë, mësohet që kanë temperament të paparashikueshëm dhe mund të sulmojnë kur ndihen të kërcënuar. Në shumicën e sulmeve që bëjnë, këta arinj e nisin sulmin e tyre duke hungërirë të zemëruar dhe luftojnë me njerëzit siç do të bënin edhe me arinjtë e tjerë. Këta arinj nokturnë [sepse dalin zakonisht natën] kryesisht sulmojnë gjatë muajve të verës, në korrik, gusht dhe shtator.

Ariu i kaftë duke u treguar miqësor

 

Domethënë, banorët e atij fshati të Prizrenit janë përnjëmend në rrezik derisa ne bëjmë hajgare e kënaqemi duke e tallur shtetin për një gjë të tillë. Do të ishte mirë që të kishim kapacitete për ta neutralizuar rrezikun duke e kapur z.Ari, por me gjasë kjo është e pamundur.

Por, përtej rrezikut që paraqet z.Ari i Kaftë, Kosova rrezikohet përditë nga njerëz të tipit të Blerand Stavilecit, i cili po ashtu si z.Ari ka shkaktuar dëme në ekonomi bujqësore e blegtorale duke qenë ministër i këtij dikasteri, dhe që së fundi e fëlliqi sferën publike me një varg sharjesh ndaj oponentëve të tij politikë, duke i shprehur betimin partisë më kriminale në vend, PDK-së.

Stavileci është kryetar i Prishtinës, dhe vendosi ta linte modestinë anash për t’i numëruar ‘sukseset’ e tij. E çka arriti Prishtina? U bë kampione e Kosovës në basketboll duke e mposhtur Rahovecin. Liga e Kosovës në basketboll është tmerrësisht e dobët dhe Prishtina s’e ka pasë asnjëherë të zorshme që ta fitonte.

Postimi i ‘skrinshotuar’ i z.Stavileci

 

Ky shfrenim i z.Stavileci mund të jetë një shprehje tjetër traumatike për humbjen e pushtetit, ku ai me shokët e tij do të duhej të hetoheshin për një varg të madh çështjesh. Ndër to, edhe për subvencionet që i ipen bujqëve të vendit. Ndoshta është thjeshtë shenjë skizofrenie, për të cilën do të duhej të merrte kurimin adekuat.

Ama, t’i kthehemi Dostojevskit sepse ai e ka edhe një tjetër vepër të madhe që mund të përshtatet me ‘shfrenimin e Stavilecit’. Titullohet ‘Idioti’. Këtu e kemi Princin Mishkin, tepër i përulur dhe i mirë, me kriza epileptike, por të cilit ky karakter tepër i përulur dhe i mirë i merret për mungesë inteligjence nga shoqëria tmerrësisht e korruptuar dhe egoiste ruse e shekullit 19. Njësoj edhe në Kosovë, për idiot nuk e marrim një analfabet të ndyrë të klasës në pushtet, aspak të përulur e sapak të mirë si Stavileci, por pikërisht të pakorruptuarin e të mirin, që nuk do dhe nuk mund të fëlliqet me njerëz të këtij soji.

2 mijë pëlqimet e Stavilecit në Facebook janë simptomë e kësaj sëmundjeje të tmerrshme morale nga e cila lëngon pa e ditur edhe një pjesë e shoqërisë sonë, tashmë e stërkorruptuar dhe e pështirë, po aq sa pushtetarët që i ka zgjedhur.

Shpërndaje në: