Armenia e Azerbajxhani pranë luftës, shkon në 24 numri i të vrarëve

Armenia e Azerbajxhani pranë luftës, shkon në 24 numri i të vrarëve

Së paku 24 persona kanë vdekur gjatë përleshjeve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm mes vendeve që janë në një konflikt të pazgjidhur për dekada të tëra rreth rajonit të kontestuar, Nagorno-Karabak.

Luftimet që shpërthyen gjatë fundjavës vazhduar edhe të hënën në mëngjes, raporton agjencia Reuters. Sipas kësaj agjencie, të dyja palët e konfliktit kanë vënë në dispozicion artileri të rëndë.

Rajoni Nagorno-Karabak njihet nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e territorit të Azerbajxhanit, por ai u nda në vitin 1991 dhe kontrollohet nga armenët.

Presidenti i Karabakut, Arayik Harutyunyan, tha se 17 luftëtarë separatistë armenë janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve, duke pranuar se forcat e tij i kanë humbur pozicionet. Të dyja palët kanë raportuar edhe për viktima civile.

Azerbajxhani pretendoi se ka marrë nën kontroll një mal strategjik në Karabak që ofron ndihmë për kontrollimin e linjave të transportit mes Yerevanit dhe enklavës që rrethohet nga territori azer.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë, Artsrun Hovhannisyan, tha se forcat rebele të Karabakut i kanë vrarë rreth 200 trupa azere, i kanë shkatërruar 30 njësi të artilerisë së armikut dhe 20 dronë.

Luftimet me Azerbajxhanit me shumicë myslimane dhe Armenisë me shumicë të krishterë paraqet rrezik për përfshirjen e fuqive rajonale si Turqia dhe Rusia.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, të dielën u bëri thirrje fuqive botërore që ta parandalojnë ndërhyrjen e Turqisë në konflikt pasi kjo e fundit disa here e ka kërcënuar Armeninë dhe ka thënë se do t’i ofrojë përkrahje në çdo formë Azerbajxhanit.

Shpërndaje në: