Arratisje si nëpër filma, zyrtarët korrektues vihen në gjumë me kafe – I burgosuri ik nga spitali

Arratisje si nëpër filma, zyrtarët korrektues vihen në gjumë me kafe – I burgosuri ik nga spitali

Një person që ishte nën masën e paraburgimit, ka arritur të arratiset nga QKUK-ja. RTV Dukagjini mëson se para arratisjes së tij, gardianëve që ishin duke u kujdesur për të, i është shërbyer pije, nga e cila dyshohet se i ka vënë në gjumë, duke i mundësia arratisjen.

Personi me iniciale A.K.  i cili dyshohet që tentoi ta vras personin, Met Elshani është arratisur nga klinika e Ortopedisë në QKUK, në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.

Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një përgjigje elektronike, ka thënë se është duke u hetuar rasti.

“Aktualisht jemi duke e bërë hetimin se si ka ardhur deri te arratisja. Për rastin në fjalë deri me tani, dy zyrtare korrektues janë shoqëruar në polici. Aktualisht zyrtarët korrektues janë suspenduar”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Nga Klinika e Ortopedisë nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me këtë çështje. Mirëpo, RTV Dukagjini nga disa burime brenda kësaj klinike, ka mësuar se gjatë mbrëmjes një person ka sjellë kafe për pacientët brenda dhomës ku po qëndronte i paraburgosuri dhe për policët që po bënin roje, kafe kjo që më pas i ka vënë në gjumë të gjithë ata qe e kanë konsumuar. Gjatë kësaj kohe, i paraburgosuri është arratisur.

Kjo nuk është hera e parë që në QKUK ndodhin arratisje të tilla, pasi ky institucion shëndetësor nuk posedon dhoma të sigurta për trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, përcjell Telegrafi.

Lidhur me këtë rast Zyra për Informim në SHSKUK  fajin ia ka lënë Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ndërsa për sigurinë e dhomave sipas tyre pritet që shumë shpjet të bëhet zgjidhje.

“Është përgjegjësi e gardianëve të ruajnë të burgosurit që janë të shtrirë në klinikat e  QKUK-së. Sa i përket dhomave të sigurta, është formuar një komisioni me përfaqësues nga QKUK, Shërbimi Korrektuese dhe përfaqësues nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë,  e që pritet të bëjnë zgjidhje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në SHSKUK.

A.K. ishte operuar në këmbë në Klinikën e Ortopedisë pasi një frakture të pësuar gjatë përleshjes së ndodhur në kohën kur ishte kryer vepra penale.

Shpërndaje në: