Arrestime në Mal të Zi për spiunim për shërbimet ruse

Arrestime në Mal të Zi për spiunim për shërbimet ruse

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, ka deklaruar të hënën se autoritetet shtetërore po bëjnë arrestimin më të madh të spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi.

Sipas tij dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe procesi po vazhdon ende.

Ai ka thënë se marrë parasysh madhësinë e shtetit të Malit të Zi, ky është një nga proceset më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, si dhe Prokurorisë Speciale të shtetit, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë edhe një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.

Më herët gjatë ditës është bërë e ditur se bastistjet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.

Lajmi është konfirmuat për Radion Evropa e Lirë nga prokurori special i këtij vendi, Vukas Radonjiq.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve, për shkak të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale: krijim i organizatës kriminale dhe spiunazh. Deri më tash nuk është arrestuar askush”, ka thënë Radonjiq.

Shpërndaje në: