Arrestohen dy persona në Kosovë për fajde dhe shpëlarje të parave

Periskopi.com Lajme

Dy persona u arrestuan të hënën në Kosovë nën dyshimet për fajde dhe shpëlarje të parave.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha përmes një komunikate për media se, me urdhër të saj, Policia e Kosovës ka realizuar operacionin e bastisjeve në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

I pandehuri me inicialet R.J. u arrestua për veprat penale: fajde dhe shpëlarje e parave, ndërsa i pandehuri H.D. u arrestua për fajde, thuhet në komunikatë.

Shpëlarja e parave është vepër që dënohet me Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Një ditë më herët, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur për arrestimin e pesë personave në Kosovë, nën dyshimet se kanë planifikuar sulme terroriste.

Ata pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë të martën.

Personat e arrestuar të hënën janë dërguar në mbajtje, ndërsa në cilësinë e provave materiale “janë sekuestruar 3,130 euro, dy telefona, si dhe dyzet dollarë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.