Arrestohet aktivisti i Vetëvendosjes në kufirin Kosovë-Shqipëri

Arrestohet aktivisti i Vetëvendosjes në kufirin Kosovë-Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se mbrëmë, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, është arrestuar aktivisti i saj, Fatmir Fetahu.

Vetëvendosje thotë se ai është arrestuar pa urdhërarrest nga Policia, përderisa po kalonte kufirin për të shkuar në pushime në Shqipëri.

“Mbrëmë në mesnatë, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, Policia ka arrestuar pa urdhërarrest aktivistin e qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Fatmir Fetahu. Ai ishte duke kaluar kufirin së bashku me familjen për të shkuar në pushime në Shqipëri dhe arrestimi i tij u bë pa u dhënë asnjë arsye”, thotë VV.

VV më tutje shton se ky pushtet vazhdon të shfaqë brutalitetin e tij në gjitha format, dhe e gjitha kjo nga paniku prej fundit që po i vjen. Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet më e përkushtuar dhe më e angazhuar se kurrë për të çliruar vendin nga klani Pronto dhe veglat e tij.

“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistit Fatmir Fetahu, dhe ftojmë institucionet e rendit dhe drejtësisë që të ndalin përndjekjen e padrejtë të aktivistëve tanë sipas urdhrave të këtij pushteti kriminal”, thotë VV.

Shpërndaje në: