Arsenali fitore bindëse me lojë mediokre kundër Eintracht Frankfurtit
Arsenali ka regjistruar fitoren e parë për edicionin 2019/20 në Europa League, duke mposhtur me rezultat komod 3-0 Eintracht Frankfurtin në Gjermani.
Ishte një paraqitje tejet mediokre nga Arsenali, pasi vendësit patën mjaft raste shënimi por fati u mungoi, raporton Periskopi.
Fillimisht, Joe Willock realizoi në minutën e 38-të pas një goditje të devijuar.
Gjërat u përkeqësuan për Eintrachtin në minutën e 79-të kur Dominik Kohr u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në fushë.
E këtë e shfrytëzoi për mrekulli Arsenali në vazhdim, duke dyfishuar shifrat fillimisht në minutën e 85-të me anë të Bukayo Saka, para se tre minuta më vonë Pierre-Emerick Aubameyang të shënonte për 3-0.
Pas kësaj fitoreje Arsenali rrëmben primatin në Grupin F me tri pikë, aq sa ka edhe Standard Liege që në ndeshjen tjetër mposhti Vitoria de Giumaraes. /Periskopi.com/



