Asamblistët e larguar nga VV-ja në Lipjan përplasen me të palarguarit: Imri Ahmeti ndërhyn me një ofertë

Asamblistët e larguar nga VV-ja në Lipjan përplasen me të palarguarit: Imri Ahmeti ndërhyn me një ofertë

Mbledhja e Kuvendit Komunal në Lipjan gjatë së mërkurës ka vazhduar me përplasje e kritika në mes të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy asamblistëve që para pak ditësh janë larguar nga strukturat e këtij subjekti.

Fillimisht, dy asamblistët, Fitim Mëziu dhe Fadil Spahiu u deklaruan se do të qëndrojnë në Kuvend si të pavarur për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve nga të cilët kanë marrë vota. Por me deklaratat e tyre nuk u pajtua shefi i grupit të asamblistëve të VV-së, Alban Salihu, i cili kërkoi që Mëziu e Spahiu ta dorëzojnë mandatin dhe të largohen nga Kuvendi.

“Unë i ftoj dy asamblistët Mëziun dhe Spahiun që t’i dorëzojnë mandatet e tyre pasi që nuk është e logjikshme të funksionojnë si të pavarur derisa kanë marrë besimin nga votuesit e Lëvizjes”, ka thënë midis të tjerash Saliju.

Mëziu ka thënë se nuk do të largohet nga Kuvendi.

“Do të qëndroj këtu për mbrojtjen e interesave të qytetarëve si asamblist i pavarur”, ka thënë midis të tjerash Mëziu.

Ndërkaq, asamblisti tjetër Spahiu pati një kërkesë për shefin e grupit të asamblistëve të VV-së.

“Unë jam i gatshëm të largohem nga Kuvendi nëse edhe ju si bartës i listës jeni të gatshëm ta lironi ulësen. Megjithëse unë kam ardhur në Kuvend me votat e qytetarëve, kurse ti ke ardhur si bartës i listës”, ka thënë Spahiu.

E gjithë situata e tensionuar u qetësua pasi kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, e mori fjalën para asamblistëve.

“Për këta dy asamblistë dhe për çështjet e tyre politike nuk kam çfarë të them, por nga këtu i bëj thirrje publikisht dhe i ftoj që të kalojnë në radhët e LDK-së”, ka thënë Ahmeti./teksti: Koha/ titulli: Periskopi/

Shpërndaje në: