Asociacioni i Komunave ankesa ndaj Qeverisë: S’po na thirrin në takime, kanë ndryshuar prej zgjedhjeve lokale

Periskopi.com Lajme

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dy herë nuk është ftuar në takimin e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me pandeminë, pa ndonjë arsyetim, i tha Ekonomia Online kryetari i këtij institucioni Sazan Ibrahimi.

Ai thotë se nuk e di arsyen pse po ndodh një gjë e tillë, ngase çdo herë kanë qenë të gatshëm për bashkëpunim dhe koordinim të aktiviteteve.

“Tani është takimi i dytë me radhë ku Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ftohet. Kjo nuk e di pse është duke u bërë nga niveli qendror. Neve si Asociacion dhe kryetarët e komunave gjithnjë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga ky bashkëpunim sepse interesi kryesor i kryetarëve të komunave është shpëtimi i jetës së qytetarëve”.

Ibrahimi tha se ky trajtim nga ana e Qeverisë nuk ka qenë deri para zgjedhjeve lokale dhe se tash ka një trajtim ndryshe të nivelit lokal.

Edhe në draftimin e Projektligji për vetëqeverisje lokale, ai thotë se nuk janë ftuar që të japin mendimin e tyre.

“Është draftuar Projektligji për vetëqeverisje lokale, i cili projektligj është për komuna e jo për nivelin qendrorë edhe në këtë rast komunat kanë qenë të anashkaluar nga konsultimet nga niveli qendrorë. Kemi reaguar edhe atëherë, kemi kërkuar që ky proces të shtyhet sepse ishim para zgjedhjeve lokale dhe gjatë zgjedhjeve lokale vetëm kur kemi dëgjuar që ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Vallë a duhet ta hartosh një ligj për dikën dhe për atë që është palë e interesit të mos ta ftosh në konsultë ?.”

“Nëse njëherë ndodh pa qëllim dhe është arsyeja që kemi harruar t’i frojmë komunat, që nuk ka ndonjë arsye të justifikueshme se përse nuk janë konsultuar në hartimin e Projektligjit për vetëqeverisje lokale. Atëherë nëse gabimi ndodh 2-3 herë nuk mund ta konsiderojmë që është pa qëllim apo në disa raste është lëshim teknik. Po shihet që trajtimi i komunave nga niveli qendror edhe i Asociacionit si përfaqësues i tyre legjitim nuk është ashtu siç ka qenë më herët”.

Ibrahimi tutje tha se që nga marsi i vitit 2020 ekipet e angazhuara nga kryetarët e komunave kanë qenë të angazhuar për t’i krijuar lehtësira për tejkalimin e situatës me Covid-19.

Madje sipas tij, 80% e pacientëve janë trajtuar nga niveli lokal, falë angazhimit maksimal të krerëve të komunave.

“Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, i kanë shndërruar nga një qendër e QKMF në Qendër për trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe në bazë të analizave të Drejtorëve Komunal të Shëndetësisë rreth 80% të pacientëve të cilët kanë qenë të infektuar me Covid-19 kanë qenë të trajtuar në nivelin lokal dhe paramendoni po të mos ishte ky angazhim maksimal i kryetarëve të komunave me stafin e vetë në mënyrë që qytetari ta tejkalojë këtë situatë më lehtë, çka do të kishte ndodhur në nivelin qendrorë, në qendrën kryesore universitare?”

“Për këtë arsye ne kemi kërkuar një bashkëpunim të sinqertë me nivelin qendrore në mënyrë që të tejkalohet situata sa më lehtë. Gjithnjë Asociacioni i Komunave të Kosovës me kryetarët e komunave e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit të sinqertë dhe korrekt. Kur kemi pasur bashkëpunim të sinqertë ka pasur rezultate edhe në terren. Gjithnjë kryetarët e komunave kanë kërkuar nga niveli qendrorë që të gjitha masat të cilat ndermirën në bashkëpunim me ta të ndermirën konform situatës në terren. Kur kemi pasur numrin e vogël kryetarët e komunave kanë kërkuar që masat të lehtësohen sepse kanë menduar edhe nga shëndeti ekonomik. Krahas shëndetit publik i cili është prioritet mbi prioritete gjithnjë kryetarët e komunave kanë kërkuar edhe të ruhet shëndeti ekonomik”.

Kryetari i AKK-së tha se kërkojnë nga niveli qendrorë që t’i trajtojnë në mënyrë të dinjitetshme komunat.

“Komunat janë ty qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët janë të prirë nga kryetarët e komunave e të cilët e kanë marrë bekimin dhe votën e qytetarit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk janë të emëruar por janë të zgjedhur të qytetarëve”.

“Dera e parë për ankesa është komuna, është kryetari i komunës e jo ministritë apo ministrat sepse në derën e ministrave nuk troket askush në mëngjes për t’i shfaqur brengat e tyre”.