Asociacioni i Komunave i reagon Kurtit: Jo fer, trajtimi i qenve endacakë nga komunat nuk mund të bëhet pa mjete financiare nga Qeveria

Asociacioni i Komunave i reagon Kurtit: Jo fer, trajtimi i qenve endacakë nga komunat nuk mund të bëhet pa mjete financiare nga Qeveria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike të nënshkruar nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Republika e Kosovës vendos bazën ligjore për trajtimin e qenve endacakë në tërë territorin e vendit.

Ky udhëzim administrativ përcakton kushtet dhe kërkesat që duhet të plotësohen nga strehimoret e kafshëve shoqëruese për të ofruar trajtimin e duhur për qentë dhe macet nën përgjegjësinë e tyre.

Por, ndaj kësaj nisme ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se edhe në të kaluarën edhe tani kërkojnë që trajtimi i qenve endacakë të bëhet nga niveli qendror, duke shtuar se kur bëhet bartja e përgjegjësisë në nivelin lokal, duhet bartur edhe mjetet financiare, gjë që nuk ka ndodhur.

Kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se edhe në të kaluarën edhe tani kërkojnë që trajtimi i qenve endacakë të bëhet nga niveli qendror, duke shtuar se kur bëhet bartja e përgjegjësisë në nivelin lokal, duhet bartur edhe mjetet financiare, gjë që nuk ka ndodhur.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës, edhe në të kaluarën por edhe tash kërkon që trajtimi i qenve endacakë të bëhet nga niveli qendror. Çdo përgjegjësi e cila bartet në nivelin lokal, edhe në këtë rast me Udhëzim Administrativ ku është kërkuar që komunat të ndërtojnë strehimore, duhet të përcillet me mjete financiare. Në shumicën e rasteve po ndodh që përgjegjësitë të barten nga niveli qendror në nivelin lokal, por duke mos u përcjellë me mjete financiare dhe pastaj këto udhëzime administrative në teren nuk po mund të gjenden të zbatuara”, thotë ai.

Ibrahimi thekson se gjatë takimeve me grupin punuar për hartim të strategjisë për trajtimin e qenve endacakë kanë insistuar dhe kanë marrë zotim nga niveli qendror, që trajtimi i qenve endacakë do të përcillet me mjete financiare, ku qeveria nuk e ka dëgjuar asociacioni dhe më pas në teren po çalon zbatimi.

“Ne si asociacion në grupin punues për hartimin e strategjisë për trajtimin e qenve endacakë, kemi kërkuar, kemi insistuar dhe kemi marrë zotim nga niveli qendror, që pothuajse çdo zotim sa i përket trajtimit të qenve endacakë do të përcillet edhe me mjete financiare. Nuk është e rastësishme që niveli qendror nuk po i dëgjon kërkesat e komunave, të cilat po janë të argumentuara dhe pastaj zbatimi në teren po çalon”, vlerëson ai.

Sipas tij, komunat nuk mund të ndërmarrin veprime, derisa qeveria për ta trajtuar këtë problem duhet ta bëjë vetë, duke u koordinuar me komunat dhe jo të bëhen udhëzime të tilla administrative.

Trajtimi i qenve endacak duhet të bëhet nga niveli qendror, sepse komunat një nga një nuk mund ndërmarrin veprime të cilat do ta përmirësonin situatë. Kjo është parë edhe në të kaluarën dhe duke u bazuar edhe në përvojat tona, në përvojat e kryetarëve të komunave, po del që nëse dëshirojmë me të vërtetë dhe sinqerisht ta trajtojmë këtë problem, ky problem duhet të trajtohet nga niveli qendror, duke u koordinuar ngushtë me nivelin lokal e jo të bëhen veprime të tilla, të hartohen kësi udhëzime administrative të cilat vetëm e bartin kompetencën por jo edhe mjetet financiare”, shton Sazan Ibrahimi.

Kryetari i AKK-së vlerëson se disa komuna të vogla nuk mund të ndërtojnë strehimore për qentë, derisa veprimin e qeverisë e quan jo korrekt, që komunave t’ua bartë vetëm përgjegjësitë dhe jo mjetet financiare.

“Duhet marrë parasysh që kemi komuna të vogla që nuk mund të ndërtojnë strehimore. Pastaj kemi komuna të cilat ankohen se qentë po lëvizin nga një komunë në tjetrën, por po ashtu edhe nga një shtet në tjetrin. Po ashtu, kemi kërkuar që niveli qendror duhet të trajtimin e këtij fenomeni dhe jo vetëm komunat në mënyrë individuale. Ne si asociacion bashkë me komunat kemi marrë shumë iniciativa të cilat kanë qenë të dobishme, mirëpo nevojitet përkrahja financiare. Është shumë lehtë nga niveli qendror të kërkohet përgjegjësi nga niveli lokal pa i bartur mjetet financiare. Kjo nuk është fer dhe korrekte se çka po ndodh nga niveli qendror”, deklaron Sazan Ibrahimi.

Shpërndaje në: