Asociacioni: S’ka babë, ka ide

Asociacioni: S’ka babë, ka ide

(Shkruan: Dafina Demaku)

Paralizimi i jetës politike në veriun e vendit, duket se është një nga faktorët kryesorë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare, t’ia kërkonte Kosovës urgjentisht themelimin e Asociacionit. Veprimet e kryeministrit Kurti në këtë pjesë të vendit – si çështja e targave, bënë që negociatat në Bruksel, të merrnin një kahje tjetër, duke e vendosur ‘dialogun me Asociacion në qendër’ në vend të ‘dialogut me njohje në qendër’.

Në një prej intervistave dhënë së fundmi Radios Evropa e Lirë, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, z.Derek Chollet, duke folur për takimin e famshmëm që pritet të mbahet nesër (e martë, 31 janar 2023) në Ambasadën amerikane në Prishtinë, me parti politike e shoqërinë civile, veç tjerash thotë se ‘do të fillohet me çmitizimin e Asociacionit’.

Kush e ka mitizuar pra, Asociacionin?

Nëse keni përcjellë zhvillimet e 15 viteve të fundit në Kosovë, do ta dini pa e munduar fare kujtesën tuaj, se është Lëvizja Vetëvendosje ajo që e ka ‘mitizuar’ Asociacionin e komunave serbe, me gaz lotsjellës në Kuvend e protesta në rrugë.

Sot, teksa është në pushtet, kjo parti me udhëheqësin e saj, kryeministër Albin Kurtin, përballën me krijesën diskursive të njohur tejet mirë në mesin tonë si: Zajednicë.

Kryeministri Kurti duket se po luan me dy karta. Njëra, është duke testuar reagimin popullor se çka do të ndodhte në rast të kalimit të një marrëveshjeje për themelimin e Asociacionit. Si? Duke hartuar një statut ose duke ‘rrjedhë’ statute kinse me kontributin e shoqërisë civile, Fondacioneve të ndryshme të huaja, e pse jo edhe një ‘konsensus i heshtur partiak’ ndaj kësaj teme, dhe kështu, në rast se reagimi popullor nuk do të ishte i madh, faji do t’iu lihej – si për gjithçka tjetër – qeverive të kaluara. Pra, Kurti, vetëm do ta implementonte ‘një marrëveshje të qeverive të kaluara’.

Karta e dytë është, kundërshtimi i fuqishëm i çfarëdo lloj Asociacioni, edhe kur për të, na garanton Amerika duke na folë edhe me togfjalëshe të tilla si ‘Amerika është vendi më prokosovar në botë’. Si? Në rast se reagimi popullor është në disfavor të Kurtit, të mendohen zgjedhjet si opsion.

Në rregull. Në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje dhe ta zëmë – Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti – duke kundërshtuar Asociacionin, prapë do t’i merrte 50% të votave ose ‘for the sake of democracy’ le t’i marrë edhe 70%, edhe 100%, çka tutje? Asociacioni, prapë do të jetë prioriteti numër një i Kurtit. Jo dialogu, por Asociacioni.

Opinioni i z.Derek Chollet dhe z.Gabriel Escobar shkruar për Kohën dhe transmetuar edhe nga e gjithë media kosovare sot, është i qartë, është shkurt dhe shqip.

Dhe, ja ku është një pjesë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky aleat i madh i Kosovës dhe garantuesi i sigurisë në këtë vend të vogël tonin, nënkupton se për Asociacionin nuk po imponohen zgjidhje, dhe edhe ato zgjidhje që janë në tavolinë, mund të refuzohen nga Kosova, nëse vlerësohet se cënojnë strukturën tonë ligjore.

Pra, po kërkohet vizioni i Kosovës, sipas paragrafit më poshtë. Nuk po kërkohet baba, po kërkohet ideja.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ka vënë në pah se ekzistojnë 14 aranzhime të ngjashme brenda Bashkimit Evropian – asnjëri nga to nuk cenon sistemet evropiane të qeverisjes efektive. Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj. Si vendi më prokosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet”, thuhet në shkrimin e Cholet dhe Escobar sot.

 

Shpërndaje në: