Asociacioni të bëhet sipas marrëveshjes së 2013-tës, thotë Borell

Asociacioni të bëhet sipas marrëveshjes së 2013-tës, thotë Borell

BE insiston që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por nuk ka mundësi “të detyrojë” Kosovën për ta bërë atë, thuhet në një përgjigje për N1 nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet ta përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë pa asnjë vonesë”.

“Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme domethënëse për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve, e cila është kyçe në rrugën e tyre evropiane”, tha Borell në një përgjigje me shkrim.

Shefi i diplomacisë evropiane shton se “përmbushja e nevojave të komunitetit minoritar serb është i rëndësisë së madhe për BE-në”.

“Brukseli me kujdes po i vështron zhvillimet e situatave në ato fusha”.

Përveç Asociacionit, në përgigjen e Borell kërkohet edhe implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e pretenduara nga Manastiri i Deçanit. Edhe për këtë, zbatimi kërkohet “pa asnjë vonesë”.

“BE-ja i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, duke përfshirë të drejtat dhe liritë fetare të komuniteteve pakicë dhe monitoron me kujdes të gjitha zhvillimet në këto zona në Kosovë”, shtoi Borell.

BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se nuk kanë mekanizma për t’i “detyruar” dy palët që të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara, por vetëm për t’ua kujtuar atë dhe se në përputhje me përmbushjen e obligimeve, Kosova dhe Serbia do të përparojnë në rrugën drejt BE-së.

Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme ndërmjet dy palëve mbetet një kusht i pandryshuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Shpërndaje në: