Ateistët kosovarë thonë se feja bazohet në të dhëna dhe të thëna të pavërtetuara

Ateistët kosovarë thonë se feja bazohet në të dhëna dhe të thëna të pavërtetuara

Në emisionin “Debat Plus”  është debatuar për njërën nga temat më diskutabile në të gjitha kohërat “A ekziston Zoti?!”.

Agnostiku Avni Rudaku ka thënë se ka shumë fe të mëdha si Taoizmi, Budizmi, Konfeksionizmi të shtrira në Kinë, Indi, Tajlandë, Shri Lankë na tregojnë se nuk besojnë në Zot dhe nuk kanë nevojë për Zot.

Sipas tij monoteizmi ka lindur shumë vonë dhe edhe sot në shumicën e vendeve të botës mbizotëron politeizmi.

Rudaku thotë se argumentet që i përmendin fetarët për ekzistencën e Zotit i vënë edhe agnostikët në dilema.

“Ne çuditemi para madhështisë së universit. Natyrisht unë nuk jam aq arrogant duke mos njohur kufijtë e mi të them nuk ka [Zot]… Ne nuk kemi kohë të gjejmë të vërtetën. Cili njeri arrin mi lexu të gjithë librat fetarë dhe të gjej të vërtetën përmes krahasimit… Unë nuk besoj se kemi kohë e mundësi për të gjetur të vërtetën”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Profesori i fizikës, Shukri Klinaku ka thënë ka thënë se shkenca nuk mbështetet në atë që është thënë.

Klinaku mendon se Big Beng-u nuk ka ekzistuar fare. Sipas tij feja është vetëdije shoqërore që dallon nga shkenca pasi mbështetet në të dhëna dhe të thëna.

“Feja i merr pohimet si të vërteta pa pasur nevojë me vërtetua”, shtoi Klinaku.

Ateisti Dimal Basha ka thënë se në shoqëritë perëndimore debati për fetë është i hapur qysh moti, ndërsa në shoqërinë tonë ende ka dilema për hapjen e kësaj teme dhe sipas tij, kjo temë në shoqërinë tonë ka frikë të hapet nga fetarët.

Basha ka thënë se nuk mund të dëshmohet mos ekzistenca e Zotit pasi negativi nuk dëshmohet dhe sipas tij barra bie mbi fetë që të dëshmojnë ekzistencën e Zotit.

“Dëshmitë e vetme janë postulatet. Arsyet pse ata [fetarët] u thonë bindje-besim është për shkak se ata nuk kanë fakte”, tha ndër të tjera Dimal Basha.

Shpërndaje në: