Auditori gjen shkelje në prokurim dhe pagesa në Ministrinë e Shëndetësisë

Auditori gjen shkelje në prokurim dhe pagesa në Ministrinë e Shëndetësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Shëndetësisë, sa i përket menaxhimit të specializantëve, për proceset e prokurimit dhe për procedimin e pagesave.

Sipas raportit të publikuar për vitin 2022, Auditori bën të ditura tri raste të shkuarjes të specializanteve në pushim të lehonisë pa vendim nga Ministria e Shëndetësisë,

“Tri raste të specializanteve të rregullta kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja. Në mungesë të vendimit të pushimit të lehonisë, specializantet nuk kanë mundur t’i dorëzojnë dokumentet për të përfituar të drejtën e pushimit me pagesë edhe për tre (3) muajt tjerë nga Qeveria”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas këtij raporti, ministria kishte paguar një specializante tre muaj më shumë se 70 përqind të pagës bazë, duke mos aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë.

“Një specializante ishte paguar nëntë muaj nga MSH-ja (tre muaj më shumë) me 70% të pagës bazë, duke mos i aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë, ndalesën e shujtës dhe shtesës për Covid 19. Po ashtu, edhe në dy raste tjera shujta dhe shtesa për Covid 19 nuk i ishte ndalur specializanteve që ishin në pushim të lehonisë”, vazhdon raporti.

“Ministri me datë 09.03.2022 kishte nxjerrë vendim për pagesën e dy (2) kujdestarive obligative në muaj për specializantët dhe që pagesa duhet të aplikohet në mënyrë retroaktive nga muaji Janar 2022. Ne kemi vërejtur që në katër (4) raste janë paguar më shumë se dy kujdestari për disa muaj. Në listat e pranuara nga SHSKUK kishte pagesa deri në katër kujdestari. Vlera e gabimit ishte 5,855€.”, bën të ditur raporti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Sa i përket pjesës së prokurimit, raporti ka identifikuar se “në aktivitetin e ri-tenderimit “Furnizim me dokumente shëndetësore–receta për institucionet shëndetësore” anëtar i komisionit për vlerësimin e tenderit ishte caktuar zyrtari i cili kishte përgatitur specifikat. Kjo është në kundërshtim me nenin 62 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit (RrUOP) te ndarja e detyrave pika 62.3, paragrafi 4. Ky aktivitet kishte filluar me 08.03.2021 dhe kishte rezultuar me kontratë me 30.09.2022.”

Po ashtu në këtë aktivitet të prokurimit ishte krijuar konfuzion te Operatorët Ekonomik (OE) në lidhje me çmimin që duhet ofertuar pas pikës dhjetore.

“Në fillim, në dosje të tenderit ishte kërkuar që çmimet të jenë me dy shifra pas pikës dhjetore, më vonë me katër, pastaj në fund një pjesë e artikujve me dy e pjesa tjetër me katër. Të gjitha këto ndryshime kishin ardhur pas kërkesave të OE si rezultat i specifikimeve që ishin bërë në dosje të tenderit”, thuhet në raport.

Ndërkaq sipas raportit në procedurën e prokurimit “Blerja e paisjeve medicinale për DSHB” (vlera e kontratës 32,340€) mungon vendimi nga ZKA për caktimin e menaxherit te kontratës, siç kërkohet me nenin 61.15 të RrUOP-së.

“Ndarja jo e duhur e detyrave, mungesa e analizave gjatë përgatitjes së specifikave dhe mungesa e vendimit nga ZKA për caktimin e menaxherit të kontratës tregojnë një kujdes jo të duhur të akterëve të involvuar në mbarëvajtjen e proceseve të prokurimit.”, bën të ditur raporti i ZKA-së.

Mangësi të tjera janë identifikuar edhe në procedimin e pagesave, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Auditori ka identifikuar tri raste të pagesave, ku zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të shërbimeve/faturës (vonesat në zotime ishin nga një deri në pesë muaj).

“Këto shërbime ishin për mirëmbajtje të teknologjisë informative dhe shfrytëzim i automjeteve me qira. Totali i këtyre pagesave ishte 26,829€. Kjo ka ndodhur për shkak të praktikës jo adekuate për të zbatuar procedurat ligjore për shpenzimin e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës”, thuhet në raport.

Ky raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022 për Ministrinë e Shëndetësisë ka rezultuar me shtatë rekomandime, prej tyre katër janë rekomandime të reja, dy të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.

Shpërndaje në: