Auditori gjen se Gjykata Kushtetuese kishte kurdisur tender për blerjen e 10 iPhone’ve

Auditori gjen se Gjykata Kushtetuese kishte kurdisur tender për blerjen e 10 iPhone’ve

Edhe autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe ligjeve ka kurdisur një tender. Bëhet fjalë për një kontratë të vogël për furnizim me 10 telefonë të mençur. Diçka të tillë ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2021…

Në vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese (GJK) kishte hapur një procedurë të prokurimit për blerjen e dhjetë telefonave – smartphone. Auditori ka vërejtur se kjo kontratë është realizuar duke shkelur konkurrushmerinë e Ligjit të Prokurimit Publik, pasi sipas saj, specifikat teknike i janë përshtatur vetëm prodhuesit- Iphone, ani pse gara ka qenë e hapur për krejt kompanitë.

“Në procedurën e prokurimit “Furnizim me aparate telefoni/smartphone”, në vlerë 8,880€, GJKK me rastin e përcaktimit të specifikave në dosjen e tenderit, kishte përdorur kritere favorizuese të cilat kishin eliminuar konkurrencën. Kjo pasi që, tek specifikacioni teknik ishin vendosur të gjitha tiparet e telefonit që e karakterizojnë brendin Iphone dhe për më tepër, tek modeli i kërkuar ishte specifikuar edhe emri i brendit përkatës. Kjo kishte ndodhur për shkak se njësia kërkuese nuk kishte marrë parasysh rregullat ligjore që ndalojnë favorizimin e brendeve apo OE-ve te caktuar”, thuhet në raportin e Auditorit për Pasqyrat financiare të GJK-së për vitin 2021.

Ligji për Prokurim Publik, Neni 28, pika 2, thotë se “autoriteti kontraktues do t’i përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit”.

Pra, sipas këtij Neni, Autoriteti kontraktues është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomik.

Sipas Auditorit, vendosja e kritereve favorizuese në specifikime teknike shkakton trajtim jo të barabartë apo diskriminimin e operatorëve ekonomik dhe dëmton konkurrencën.

“Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë kontrolle efektive tek njësitë kërkuese dhe zyrën e prokurimit me qëllim që gjatë hartimit të specifikave teknike të mos përdoren kritere favorizuese dhe procedurat e prokurimit të zhvillohen në pajtim me ligjin”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për këtë rast.

Siç shihet në raport, menaxhmenti i GJK-së është pajtuar më këtë të gjetur.

Periskopi ka mësuar se bëhet fjalë për tenderin që ishte realizuar në shtator të vitit të kaluar, ku ishte shpërblyer me tender kompania “Eor Group” SH.P.K.

Prokurimi i këtij institucioni kishte pranuar 5 oferta për këtë lëndë prokuruese.

Sipas të dhënave që ka nxjerr Periskopi nga interneti, telefonat që ka porositur Gjykata Kushtetuese, janë të tipit iPhone 8, me Dimension w x 67.3 x 7.3 mm (5.45 x 2.65 x 0.29 in).

Siç thuhet në kontratë, pajisjet duhet të jenë me 1 vit garancion me fletegarancion, po ashtu aparatet (smartphone) duhet të jenë identikë me specifikat teknike si në dosje të tenderit, aparatet duhet të jenë të reja, të papërdorura. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: