Auditori konstaton se Telekomi i Kosovës është në fazën ku mund t’i “futet” çelësi

Auditori konstaton se Telekomi i Kosovës është në fazën ku mund t’i “futet” çelësi

Zyra Kombëtare e Auditimit -ZKA ka publikuar Raportin për Pasqyrat Financiarë të vitit 2021 të Telekomit të Kosovës. Treguesit kyç financiar të përllogaritur në shifrat e pasqyrave financiare të vitit 2021, janë negativ. Ndërmarrja ka pësuar humbje për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2021 në vlerë prej 10,829,000 euro, shkruan Periskopi.

Auditori ka ardhur në përfundim se çështjet e gjetjeve nga ana e tyre janë tregues se ndërmarrja ka pasiguri të shumta me parimin e vijimësisë, respektivisht nuk është e sigurt nëse mund t’i përballoj obligimet dhe t’i vazhdoj aktivitetet e saj operative.

Të gjeturat e Auditorit:

Obligimet ndaj ATK-së në fund të vitit kanë arritur në shumën 12,727,748 euro.

Aktiviteti kryesor i biznesit të ndërmarrjes është i mbështetur në teknologji informative. Gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese vazhdon të jetë e rëndë. Për shumicën e sistemeve nuk ka kontrata aktive të mirëmbajtjes/përkrahjes teknike nga prodhuesi. Sipas vlerësimeve të zyrtarëve të ndërmarrjes, projektet investive të domosdoshme kapin shumën 19 milionë euro.

Ndërmarrja ka pësuar humbje për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2021 në vlerë prej 10,829,000€. (2020: 18,727,000€. Ndërmarrja e ka vazhduar trendin e operimit me humbje për shtatë (7) vite me radhë dhe humbjet e akumuluara deri me 31 dhjetor 2021 janë në vlerë 76,264,000€. Përveç kësaj, me 31 dhjetor 2021 detyrimet rrjedhëse tejkalojnë pasuritë aktuale për shumën prej 52,605,000€ (2020: 66,233,000€).

Treguesit kyç financiar të përllogaritur në shifrat e pasqyrave financiare të vitit 2021, janë negativ.

Të gjitha çështjet e listuara më lart janë tregues se ndërmarrja ka pasiguri të shumta me parimin e vijimësisë, respektivisht nuk është e sigurt nëse mund t’i përballoj këto obligime dhe t’i vazhdoj aktivitetet e saj operative.

Detyrimet Kontingjente të shpalosura në pasqyra ishin mbivlerësuar për 63,588,796€. Po ashtu, shënimet shpjeguese nuk përmbajnë informacion, për ngjarjet të cilat i plotësojnëkushtet për trajtimin e tyre si detyrime kontigjente. Në vitin 2018, një OE kishte iniciuar një arbitrazh kundër ndërmarrjes. Vlera e kërkesë padisë sipas OE është 10,377,264€ dhe i referohet kompensimit të dëmit-fitimit të humbur për shkak të shkëputjes se njëanshme të aneksit 5 të marrëveshjes komerciale për zhvillimin e platformës IPTV dhe IPTV-OTT.

Donacionet nga Qeveria të prezantuara në kuadër të të hyrave të shtyra në vlerë prej 2,350,526€ ishin nënvlerësuar për vlerën 1,200,025€. Kjo për faktin se zhvlerësimi i grantit nuk ishte bërë në harmoni me jetëgjatësinë e përcaktuar të pasurisë për të cilën ishte destinuar. Kjo ka ndikuar edhe në mbivlerësimin e të hyrave tjera në pasqyrën e të ardhurave.

Regjistrimi i vlerës totale të faturës për qira si shpenzime të parapaguara edhe pse ndërmarrja kishte nënshkruar marrëveshje me qiradhënësin për pagesë me këste mujore, ka ndikuar në keq klasifikim të zërit shpenzimet e parapaguara dhe të arkëtueshmet tjera afatshkurtra në vlerë 307,520€, e po ashtu në keq klasifikim të obligimeve në pasqyrën e pozicionit financiar në vlerë 362,873€.

Ndërmarrja nuk kishte bërë harmonizimin e gjendjes kontabël me të dhënat e kreditorëve. Si rezultat i kësaj, në një (1) rast shuma e borxhit e konfirmuar nëpërmjet konfirmimeve të jashtme ishte më e ulët për 6,830€ se shuma e borxhit në regjistrat kontabël, si dhe katër (4) raste shuma e konfirmuar ishte më e lartë për 355,125€ nga ajo e regjistrave kontabël. Përveç kësaj, në mungesë të konfirmimit nga ana e tyre, për njëmbëdhjetë (11) furnitorë nuk kemi arritur të verifikojmë gjendjen kontabël të detyrimeve në vlerë prej 916,224€.

Zëri e drejta e shfrytëzimit të pasurive i prezantuar në bilancin e gjendjes në vlerë 7,673,312€ nuk prezanton gjendjen e saktë. Në kuadër të këtij zëri nuk ishte përfshirë vlera 375,930€ për dy kontrata të marrjes me qira të objekteve të cilat ndërmarrja i kishte nënshkruar në vitin 2021. Si rrjedhojë, edhe zërat zhvlerësimi dhe interesi për të drejtën e shfrytëzimit të pasurive të prezantuar në pasqyrën e të ardhurave ishin nënvlerësuar për 118,650€.

Provizionet e prezantuara në pasqyrën e pozicionit financiar dhe shpenzimet për provizionet kontingjente në pasqyrën e të ardhurave ishin mbivlerësuar për 200,000€, si rezultat i përfshirjes të një rasti të mbyllur në favor të ndërmarrjes nga gjykata përkatëse.

Ndërmarrja për arkëtimet në avans me vlerë 362,431€ nga konsumatorët e saj, nuk i kishte njohur si detyrime ndaj konsumatorëve apo detyrime afatshkurtëra, por për këtë shumë kishte zvogëluar totalin e llogarive të arkëtueshme.

Zëri kontabël “Investimet në vijim”, i prezantuar në pasqyrën e pozicionit financiar në shumën 277,152€, nuk e prezanton saktë gjendjen e tij. Në kuadër të kësaj shume, është përfshirë vlera prej 131,539€ e projektit “Shërbime të Instalimit të pajisjeve Ëi-FI Offload”, që sipas konfirmimeve zyrtare këto pajisje janë në funksion dhe kompanisë i krijojnë përfitime ekonomike.

Ndërmarrja kishte bërë thyerje të obligimeve në vitin 2020 me Radio Televizionin e Kosovës. Kjo ka ndikuar në nënvlerësimin e salldove fillestare të vitit 2021 të llogarive të arkëtueshme në vlerë 186,033€.

Për shkak të vështirësive në identifikimin e konsumatorëve me rastin e pagesave të borxheve, arkëtimet në shumën prej 137,658€, nuk u janë zbritur konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes, por këto mjete ishin regjistruar në sistemin e të hyrave si “Mjete të pa alokuara”.

Gjatë vitit 2021 ndërmarrja kishte bërë mbyllje të zërit investime në vijim në vlerë 53,913€ të cilat i takojnë periudhave të më hershme që nga viti 2017. Kjo vlerë nuk ishte kapitalizuar si pasuri, por ishte njohur si shpenzim i periudhës.

Gjatë testimeve tona kemi vërejtur se për një pjesë të madhe të shpenzimeve të zhvlerësimit për 2021 por edhe të viteve të mëhershme janë aplikuar normat të zhvlerësimit jo në pajtueshmëri me bazën ligjore. Si rrjedhojë, ne nuk kemi arritur të konfirmojmë vlerësimin e drejtë dhe prezantimin e saktë të shpenzimeve të zhvlerësimit dhe vlerën neto të pasurive.

Për shkak të çështjeve të ngritura në lidhje me të hyrat, shpenzimet dhe shpenzimet e zhvlerësimit të cilat kanë ndikim në rezultatin financiar në pasqyrën e të ardhurave, kanë efekt gjithashtu edhe në pasqyrim të pasaktë të fitimit të periudhës të bartur në pasqyrën e ndryshimeve në ekuitet.

Bazuar në çështjet e ngritura për zërat kontabël si, të arkëtueshmet, pagueshmet, parapagimet dhe zhvlerësimi, zëra të aktiviteteve operative të rrjedhës së parasë, rrjedha e parasë nuk prezanton një informacion të saktë.

Ne kemi audituar nëse proceset dhe transaksionet përcjellëse janë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare.

Sipas konkluzionit tonë, për shkak të rëndësisë së çështjeve të përshkruara në kapitullin Baza për Konkluzion, transaksionet e kryera të Telekomit të Kosovës sh.a nuk ishin në përputhje me:

Baza për konkluzion

Ndërmarrja nuk ka finalizuar pasqyrat financiare për vitin 2021, deri me datën 22.04.2022, kur edhe është bërë aprovimi i tyre nga Bordi Drejtues, edhe përkundër kërkesave ligjore që të njëjtat të jenë të nënshkruara dhe aprovuara me datën 15 mars 2022.

Si rezultat i ndryshimeve me aneks të kushteve të kontratës bazë në disfavor të kompanisë, për vitin 2021 kompania kishte paguar 155,156€ shpenzime të provizionit ndaj Partnerit afarist.

Ndërmarrja, përveç pagesës së provizionit dhe bonuseve, kompenson partnerin afarist edhe me një tarifë fikse prej 1.2% të shitjeve mujore për shpenzimet e marketingut që partneri i ka kryer emër të kompanisë, por nuk merr asnjë raport kthyes/pranimit për këto shpenzime. Kostoja e tyre për vitin 2021 ishte 49,845 euro. /Periskopi/

Shpërndaje në: