Austria pritet t’i izolojë të pavaksinuarit

Austria pritet t’i izolojë të pavaksinuarit

Austria pritet të vendosë në izolim personat që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, pasi shkalla e infeksionit në vend shënoi rritje rekorde.

Provinca e Austrisë së Epërme do t’i vendosë kufizimet nga e hëna nëse merr miratimin nga Qeveria federale. Salzburgu planifikon gjithashtu masa të reja.

Kancelari Alexander Schallenberg tha se izolimi kombëtar për të pavaksinuarit është “ndoshta i pashmangshëm”.

Dy të tretat e njerëzve nuk duhet të vuajnë, sepse të tjerët hezitojnë të vaksinohen, tha ai.

Austria e Epërme, e cila kufizohet me Gjermaninë dhe Republikën Çeke dhe ka një popullsi prej 1.5 milion banorësh, ka nivelin më të lartë të infeksionit me koronavirus dhe shkallën më të ulët të vaksinimit.

Në total, Austria regjistroi të enjten 11,975 raste të reja të të infektuarve dhe Komisioni për Koronavirus i këtij vendi paralajmëroi për një kërcënim që, siç tha, “duhet të merret seriozisht”.

Austria tashmë i ka ndaluar të pavaksinuarit të shkojnë në restorante, kinema, qendra skijimi dhe parukeri, por masat pritet të bëhen edhe më të vështira në Austrinë e Epërme.

Kancelari tha se izolimi për të pavaksinuarit do të thotë se ata nuk do të lejohen të dalin nga shtëpia, përveçse për arsye të domosdoshme, si shkuarja në punë ose blerja e ushqimeve.

Shpërndaje në: