EMA: Në fillim të tetorit do të merret vendimi për dozën e tretë të vaksinës

Periskopi.com Lajme

Agjencia Evropiane e Barnave EMA, do të marrë një vendim mbi nevojën për një dozë të tretë të vaksinës anti-Covid, si edhe dhe për përforcuesin në fillim të tetorit.

Kjo u tha nga Marco Cavaleri, kreu i grupit të punës i EMA-s për vaksinat dhe terapitë Covid-19.

“Studimet konfirmojnë se doza e tretë ndihmon në rastet e pacientëve me imunodepresion” tha Cavaleri, sipas të cilit efektet e imunizimit zvogëlohen me kalimin e kohës.

“Prioriteti për shëndetin publik, mbetet përfundimi i ciklit të vaksinimit për ata që nuk e kanë bërë ende vaksinën”, vijoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i EMA theksoi gjithashtu se agjencia europiane pret që marrë të dhënat nga Pfizxer për fëmijët e moshës nën moshën 12 vjeç në fillim të tetorit dhe të Moderna-s në fillim të nëntorit.

“Deri më sot, nuk është marrë asnjë kërkesë për të zgjeruar indikacionin për një vaksinë Covid-19 te fëmijët nën moshën 12 vjeç. EMA pret që Pfizer të paraqesë të dhëna për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç në fillim të tetorit dhe se të dhënat e Moderna-s do të merren në fillim të nëntorit”.

Gëzim Shala nga IKD: Deklarata e ndryshuar e dëshmitarit shkon në favor të Salih Mustafës

Periskopi.com Lajme

Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se deklarata e thënë ndryshe nga një dëshmitar në procesin e gjykimit të Salih Mustafës, shkon jashtëzakonisht shumë në favor të mbrojtjes së tij, pasi sipas tij, gjykatësja sot humbi besimin ndaj atij dëshmitari.

“Në njëfar forme, sot trupi gjykues e ka thënë shprehimisht se nuk i beson këtij dëshmitari”, tha Shala në Info Magazine.

“Rrallë ndodh në praktikë që trupi gjykues t’i thotë dëshmitarit: Ndoshta ju po gënjeni”.

Sot, gjykatësja pyeti njërin nga dëshmitarët se pse ai në vitin 2006 kishte thënë se një person mbante një maskë, ndërsa tani tha se nuk ka pas maskë në fytyrën e tij.

Dëshmitari po ashtu tha se pas një muaji e kishte kuptuar se kush ka qenë njeri kryesor në ngjarje, por se në vitin 2006 i kishte thënë UNMIK-ut se nuk e dinte kush është personi kryesor.

Krasniqi: PDK nuk thyhet, Nura do ta udhëheqë Skenderajn bashkë me qytetarët pa dallim

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Skenderaj, ku ka thënë se PDK ka qenë dhe është e lidhur me qytetarët e kësaj komune në një bosht identitar e politik që s’mund të thyhet asnjëherë as nga brenda e as nga jashtë.

Krasniqi theksoi se votuesit e PDK-së në Skenderaj, e kanë vetëm një adresë, numrin 177 dhe kandidatin Fadil Nura, i cili do ta qeverisë këtë komunë në katër vitet e ardhshme, bashkë me qytetarët e Skenderajt.

“Ne e dimë që Skenderaj asnjëherë nuk është ndalur. Por e dimë po ashtu se jo të gjitha mundësitë që i ka ky qytet, janë realizuar plotësisht. Dhe ne në Skenderaj, bashkë me të gjithë qytetarët pa dallim, do t’i japim jetë këtyre mundësive. Sepse qytetarët e dinë që këto mundësi, hapen për ta vetëm nga PDK-ja, nga partia e tyre, me të cilën kanë rrugëtuar që në ditët e para, përplot 21 vite me radhë. PDK-ja është e lidhur me Skenderajn, punon për zhvillimin e Skenderajt, dhe do të qeverisë me Skenderajn në katër vitet e ardhshme. Dhe PDK-ja në Skenderaj e ka vetëm një kandidat, e ai është Fadil Nura. Votuesit e PDK-së në Skenderaj, e kanë vetëm një adresë, numrin 177. Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë dhe është e lidhur me qytetarët e Skenderajt, në një bosht identitar e politik që s’mund të thyhet e as nuk mund ta thejnë. Kjo lidhje nuk është shkëputur kurrë. Prandaj, të nderuar kandidatë, është detyrë e juaja që këtë lidhje, ta bëni edhe më të pranishme, duke qenë afër dhe në shërbim të qytetarëve, për të ardhmen e fëmijëve, për perspektivën e të rinjve dhe me respekt ndaj lavdisë e historisë sonë, që në Skenderaj merr përmasa kombëtare e të përjetshme”, tha Krasniqi.

Kandidati i PDK-së, për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, tha sebashkë me të gjithë qytetarët pa dallim do të rikthejnë Skenderajn në rrugën e zhvillimit.

“PDK-ja në këtë proces ka hyrë më e  organizuar dhe më e bashkuar se kurrë. Shihet se elektorati i PDK-së ka një vetëdije të jashtëzakonshme dhe të pjekur politike, dhe elektorati i PDK-së çdo ditë po dëshmon se nuk ja kthen shpinën PDK-së. Nuk e harron Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Prandaj me 18 tetor ne bashkërisht do t’ja dërgojmë edhe një mesazh të fuqishëm udhëheqësve tanë,  liderëve të lirisë, paqes dhe shtetndërtimit se PDK-ja në Skenderaj është më e fortë dhe se nuk iu ka harruar asnjëherë”, tha Nura.

Ndërsa kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, tha se Albin Kurti dhe Vetëvendosje po punojnë për ta thyer PDK-në në Drenicë por sërish do të dalin humbës.

“T’ja çcojmë një mesazh atyre burrave që sot nuk janë këtu, nuk po duam t’i keqpërdorim ata, por me të vërtetë kënaqësia më e madhe është, kur qytetarët e tu, bërthama e partisë,  zemra e partisë është në Drenicë. Dhe ku po tentohet nga Albin Kurti dhe VV-ja që është i gatshëm me i humbë edhe 4-5 komuna të tjera veç me thy PDK-në në Drenicë. E na po i çojmë selam prej Drenicës këtu, që Albin Kurti dhe VV-ja në Drenicë as nuk kanë mundësi me fitu dhe nuk kanë mundësi me thy PDK-në”, tha Lushtaku.

Aksioni për targat: Qytetari fsheh targat serbe me dy maska pandemie

Periskopi.com Lajme

Sot është dita e katërt që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia dhe serbët po protestojnë kundër kësaj.

E një aksion për targat e ka vazhduar edhe një qytetar i cili i ka dërguar Periskopit një foto, ku e laboron aksionin.

Në mënyrë kreative qytetari fsheh targat serbe me dy maska pandemie.

Fotoja:

Ambasadori gjerman në linjë me atë të ShBA: Duhen hapa të menjëhershëm për shtensionim të situatës

Periskopi.com Lajme

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se pajtohet plotësisht me thirrjen e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e SHBA’së në Prishtinë, se duhet marrë hapa të menjëhershëm për të vendosur qetësinë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Këtë deklaratë Nicholas Giacobbe e ka bërë pas takimit që ka pasur sot me kryeministrin Albin Kurti.

Derisa Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht me të, duke shtuar se vendosja e qetësisë dhe ri-angazhimi janë të nevojshme menjëherë.

Ragmi Mustafit i shkon edhe një padi nga Serbia, e lidh me reciprocitetin e vendosur nga Kosova

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi ka njoftuar se i është ngritur një tjetër padi nga Serbia për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në selinë e Këshillit.

Mustafi ka shkruar në Facebook se kjo padi i erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave.

“Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, ka shkruar Mustafi.

Ai shkroi ndër tjerash se “nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim”.

“Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me I përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi I Millosheviqit, nuk do të mundet as ky i Vuçiq”, shkroi Mustafi.

Postimi i plotë:

PËRNDJEKJE POLITIKE – PADIA E RADHËS KUNDËR NGRITJES SË FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR

Sot, pranova ftesën e radhës nga gjykata e Vrajës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020.

Si edhe dy herëve të kaluara, akuzohem dyfishtë për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”.

Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë, jo vetëm presioni por edhe përndjekja politike dhe ligjore e pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi, e në Luginën e Preshevës. E akuza e ripërsëritur për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar” nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si përndjekje politike.

Mund edhe të më dënoni vazhdimisht, por si prijës i Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk do të zmbrapsem politikisht nga beteja e drejtë e ligjore për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me I përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi I Millosheviqit, nuk do të mundet as ky i Vuçiq.

Edhe njëherë, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë.

Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektoj Kushtetutën e saj dhe të filloj demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike.

Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët!

Prandaj ligji do të ndryshojë, flamuri JO!.

Uroj që Prishtina dhe Tirana zyrtare të jenë më dinamike në sensibilizimin e qarqeve diplomatike ndërkombëtare ndaj presioneve dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi.

Shkollat dhe çerdhet fillojnë nga e hëna e ardhshme

Periskopi.com Lajme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se nga e hëna do të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.

“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga data 27, dita e hënë”, tha ministri Vitia n♪7 një konferencë për media.

Ai ka thënë se gjendja epidemiologjike po shkon duke rënë numri i vdekjeve dhe infektimeve.

Po ashtu ministri Vitia ka thënë se hyrja në institucione do të lejohet vetëm për të vaksinuarit ose me test negativ.

Gjithashtu certifikata e vaksinimit nevojitet edhe për hyrje në qendrat tregtare, në ambientet e brendshme të gastronomisë.

Arben Vitia bën publike masat e reja

Periskopi.com Lajme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për masa të reja kundër Covid-19, në Kosovë.

Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend nga e hëna e javës së ardhshme.

“Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKSHPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia.

Ndër të tjera, Vitia deklaroi se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet  publik dhe privat që punojnë me palë.

Ministri Vitia njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.

“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20”, ka thënë Vitia.

Vitia tha se këto masa do të votohen nesër në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

MD-ja jep informacione nga vizita në Hagë ku takun ish-krerët e UÇK’së

Periskopi.com Lajme

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se një delegacion ka takuar të paraburgosurit në Hagë.

Përmes një njoftimi për media nga MD-ja, është bërë e ditur se janë njoftuar edhe me shqetësimet e tyre.

Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, sipas ministrisë,  kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.

Njoftimi i plotë:

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë, ka vazhduar vizitën zyrtare në Hagë

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë në krye me Zëvendësministrin e Drejtësisë z. Blerim Sallahu, Këshilltarin e Lartë dhe Shefin e Kabinetit z. Genc Nimoni si dhe Udhëheqësen e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë znj. Pranvera Ejupi – Hajzeraj, kanë vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Hagë.

Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në takim është diskutuar për funksionimin e gjithmbarshëm të rendit shtëpiak, kushtet e trajtimit të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe Ndihmën Juridike Falas ndaj tyre.

Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.

Shqetësimet e tyre janë diskutuar edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara znj. Ekatarina Trendafilova, Regjistren e Dhomave të Specializuara znj. Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Ministria e Drejtësisë do t’i kryejë obligimet e saj në raport me shtetasit tanë të cilët po mbahen në paraburgim.

U rrah dhe u mbajt në frigorifer derisa vdiq, detaje tronditëse nga vrasja e shqiptarit në burgun grek

Periskopi.com Lajme

Vdekja e Ilia Karelit, shqiptarit që u vra në burgjet greke 7 vite më parë është risjellë sërish në vëmendje.

Mediat greke kanë publikuar ditën e sotme foto nga vendi ku ndodhi ngjarja si dhe të korridoreve të burgut kur Kareli po dërgohej në dhomat e torturës.

Në lidhje me këtë çështje u çuan për gjykim 14 persona. Gjyqi i thirrur në vitin 2016 u shty dhe më pas 6 prej tyre u dënuan me 5 vite burg, tre të tjerë deri në 6 vite burg, ndërsa gardiani dhe një prej rojeve u dënuan me 7 vite burg.

Detajet rrëqethëse janë risjellë sot nga Prothothema,gr. Dosja e kësaj çështje paraqet arsyen e vendimit për burgosjen e zyrtarëve të burgjeve.

97 minuta në atë që cilësohej si “frigoriferi” i burgut torturuan deri në vdekje Ilia Karelin në atë kohë 42-vjeç. Ai mundi të mbijetonte më pas se 7 orë e gjjysmë. Kareli u dërgua në këtë dhomë në orën 15:40 dhe u gjet i vdekur në 23:15, ndërsa nuk përjashtohet që ai të ketë vdekur më herët se në orën kur u gjet i pajetë.

Kareli më herët ishte dhunuar. Ai u dërgua në qelinë e tij deri në atë pikë sa mezi qëndronte në këmbë.

Dyshohet se revoltimi i gardianëve të burgut erdhi pas vrasjes së kolegut të tyre disa ditë para ngjarjes në burgun e Malandrinos, në një moment tensioni për refuzimin e lejes. Kareli kishte qëlluar me thikë George Tsironis duke i shkaktuar plagë të shumta e për pasojë ai ndërroi jetë .

 

Gjashtë masat e reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë

Periskopi.com Lajme

Aplikimi i masës së reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, nuk është vendimi i parë që autoritetet e Kosovës kanë marrë ndaj shtetit të Serbisë.

Marrëveshja e Brukselit në vitin 2011, për lëvizje të lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Marrëveshja për Tregti të Lirë më vendet e Ballkanit Perëndimor e njohur më shkurtesën CEFTA, jo gjithmonë janë respektuar nga këto shtete.

Kjo ka shtyrë qeveritë e Kosovës disa herë të marrin masa reciproke ose të vendosin taksa doganore, ndaj mallrave të prodhuara në Serbi.

Masa e parë e reciprocitetit, në vitin 2011

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Produktet më këtë vulë, nga dhjetori i vitit 2008, nuk janë lejuar as transit të kalojnë nëpër shtetin e Serbisë, pasi që ky shtet nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Parimi i reciprocitetit filloi të zbatohet në të gjitha pikat kufitare.

Por, gjendja ishte tensionuar më shumë në pjesën veriore të Kosovës, rajon ky i banuar më shumicë serbe, konkretisht në pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto pika madje janë djegur nga serbët lokalë në vitin 2008, si hakmarrje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Masa e reciprocitetit nuk zgjati më shumë se 40 ditë, pasi gjatë bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, ishte arritur marrëveshje për njohje reciproke të vulave.

Viti 2016: Reciprociteti në tekstet shkollore

Edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e udhëhequr nga Arsim Bajrami, në vitin 2016, pat vendosur masa të reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me tekstet shkollore në gjuhën serbe.

Autoritetet serbe në atë kohë kishin kthyer mbrapsht tekstet shkollore të Kosovës, duke mos lejuar të dërgohen në komunat e banuara me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.

Reciprociteti në transportin e naftës dhe gazit

Masa reciprociteti ndaj Serbisë në mars 2016, Kosova kishte vendosur në transportin e naftës dhe të gazit, pasi autoritetet serbe nuk pranuan certifikatat (të njohura si ADR) që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që bartin materie të rrezikshme.

Viti 2018: Taksa doganore 100 për qind

Në vitin 2018, qeveria e Kosovës e udhëhequr në atë kohë, nga ish- kryeministri Ramush Haradinaj, kishte vendosur taksë doganore, fillimisht 10 dhe më pas 100 për qind, ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Produkte nga Kosova dhe vende të ndryshme të rajonit dhe BE-së, të espozuara në raftet e një dyqani ushqimor në Prishtinë.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para taksës, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërpritet dhe për këtë arsye, kundër taksës, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Shndërrimi i taksës në reciprocitet në vitin 2020

Në vitin 2020, në Kosovë u krijua qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti. Më ndërrimin e qeverisë, taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë.

Me 31 mars të vitit 2020, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, vendosi që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës. Ky vendim nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkim Evropian.

Qeveria Kurti 1 ra pas 51 ditësh në pushtet, kur Lidhja Demokratike e Kosovës me mocion të mosbesimit, rrëzoi qeverinë. Më 3 qershor të vitit 2020, krijohet qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Hoti e shfuqizoi vendimin për reciprocitetin në ditët e para të punës së tij, duke deklaruar se kështu u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Kosovë më 14 shkurt 2021, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe më 22 mars u konstitua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë, u zgjodh edhe qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më marrjen e qeverisë, Albin Kurti kishte thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij, ndërkaq dialogu me Serbinë, nuk është pjesë e prioriteteve të tij.

Reciprociteti për targat e automjeteve

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator 2021, nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregon targat e përkohshme të makinave në Kosovë dhe Serbi gjatë një seance parlamentare në Prishtinë, 20 shtator 2021.

Për shkak të kësaj mase, serbë lokalë bllokuan dy rrugë nacionale në veri të vendit.

Të dy rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, po mbahen të bllokuara nga dhjetëra kamionë dhe vetura të vendosura nga protestuesit serbë.

‘Solidarizohet’ me Donikën edhe ministrja e Arsimit me huqje: Ngatërron Austrinë me Danimarkën

Periskopi.com Lajme

Pas ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila në disa raste ka ngatërruar flamujt e shteteve, të njëjtin gabim sot e ka bërë edhe ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci.

Në një njoftim në “twitter” për takimin me homologun e saj austriak, Heinz Faßmann, në vend të flamurit austriak e ka vendosur atë të Danimarkës.

Postimi:

 

Gazeta zvicerane: Kosova këmbëngul në trajtim të barabartë me Serbinë, shkaktohen tensione të reja

Periskopi.com Lajme

Negociatat për normalizim janë ndërprerë, vendkalimet kufitare janë bllokuar. Që nga fillimi i javës, Kosova nuk i njeh më targat serbe. Si ndërmjetëse, BE-ja duket e pafuqishme. Kështu e nis raportimin për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung, transmeton Gazeta Express.

Pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, e cila është e orientuar drejt Beogradit, kanë bllokuar pikëkalimet kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut me kamionë që nga e hëna. Qeveria në Prishtinë i ka dërguar njësitë speciale të policisë në atë rajon, shkruan NZZ.

Bllokada erdhi në shenjë proteste kundër vendimit të Kosovës për ta parandaluar hyrjen e automjeteve me targa serbe në Kosovë. Veturat e regjistruara në Serbi duhet të marrin targa të përkohshme në kufi për të qarkulluar në Kosovë.

Kjo në masë të madhe korrespondon me praktikën që ekziston prej vitesh për automjetet kosovare që dëshirojnë të hyjnë në Serbi. Banorët e Kosovës me origjinë serbe udhëtojnë rregullisht për në Serbi.

Prapa mosmarrëveshjes së fundit qëndron çështja e pazgjidhur e njohjes së Serbisë të shtetësisë së Kosovës. Serbia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të paligjshme dhe për këtë arsye nuk pranon emblemat kosovare, për shembull, në targat e automjeteve, shkruan NZZ.

Për të siguruar trafik të qetë kufitar, të dy shtetet, të ndërmjetësuara nga Brukseli, gjetën një zgjidhje kompromisi në një marrëveshje në vitin 2016. Pas kësaj, hyrja lejohej nëse emblemat kombëtare në targa ishin të mbuluara me afishe të bardha.

Përveç kësaj, ekzistonte mundësia e marrjes së targave neutrale në Kosovë, me të cilat ishte e mundur edhe hyrja në Serbi. Një zgjidhje e ngjashme ekziston në Moldavi, ku kohët e fundit ka pasur tension mbi targat nga Republika e shkëputur e Transnistrisë.

“Parimi i reciprocitetit”

Sidoqoftë, Serbia kurrë nuk e zbatoi marrëveshjen. Në Kosovë, nga ana tjetër, shumica dërrmuese e pronarëve të automjeteve refuzuan targat neutrale. Në praktikë, kjo nënkuptonte që automjetet serbe mund të hynin në Kosovë pa asnjë problem, por shumica e automjeteve nga Kosova kishin nevojë për targë të përkohshme në kufi.

Qeveria në Kosovë e arsyeton vendimin për të mos e zgjatur marrëveshjen e vitit 2016 me parimin e reciprocitetit. Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se sapo Serbia të njohë targat kosovare, vendi i tij do të ndjekë shembullin.

Ekziston një zhgënjim i madh nga trajtimi i pabarabartë në Kosovë. Tre vjet më parë, kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj vendosi tarifa ndëshkimore prej 100% për produktet serbe. Ekzistojnë pengesa të konsiderueshme jotarifore për eksportet kosovare në Serbi. Përveç targave, të gjitha dokumentet doganore gjithashtu duhet të rregullohen.

Shkas për veprimin e Haradinajt në atë kohë ishte fushata e Serbisë për t’i bindur vendet e treta në botë që ta tërhiqnin njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Rritja e ndikimit të BE -së

Përfaqësuesi i jashtëm i BE-së Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve ta shtensionojnë situatën të mërkurën në mbrëmje. Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi bëri një deklaratë të ngjashme. Konflikti, i cili u ekzagjerua nga Kosova dhe Serbia, tregon mbi të gjitha ndikimin në rënie të BE-së në Ballkanin Perëndimor, shkruan NZZ.

Mosmarrëveshja u përshkallëzua disa ditë pasi ndërmjetësi special i BE-së, Miroslav Lajçak ishte në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar rreth negociatave të reja.

Gastronomët sërish të pakënaqur: Pritem zgjatje të orarit, vështirë t’i kontrollojmë klientët për vaksina e teste

Periskopi.com Lajme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur sot një takim virtual me kryetarët e komunave të vendit, ku është diskutuar edhe për masat e reja kundër COVID-19 pas datës 27 shtator të këtij viti.

Në këtë diskutim është folur edhe për sektorin e gastronomisë, për të cilët masat do të mbesin të njëjta, pra do të funksionojnë deri në orën 21:30 dhe brenda lokaleve do të lejohen të hyjnë vetëm qytetarët e vaksinuar kundër virusit dhe ata që kanë testet përkatëse.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se po presin një takim me ministrin Arben Vitia, Xhelal Sveçla dhe Hekuran Murati, për të diskutuar më hollësisht rreth detajeve se si do të funksionojë gastronomia.

Ai ka thënë se presin edhe përkrahje nga organet e rendit dhe mbështetje ekonomike nga institucionet.

“Ne po presim një takim me z.Vitia dhe z.Murati për përkrahje ekonomike ashtu siç kemi diskutuar dhe na është premtuar. Po ashtue dhe me organet e rendit për me diskutu se si kemi me funksionu, pra po presim një takim ku do të jetë prezent z.Vitia, z.Sveçla dhe z.Murati”, ka thënë Kllokoqi.

Tutje ai ka thënë se kanë pritur nga Qeveria që do të ketë zgjatje të orarit të punës për sektorin e gastronomisë.

“Sa i përket masave kemi pritur që do të ketë zgjatje të orarit dhe nëse të gjithë brenda lokaleve janë të vaksinuar atëherë pse duhet të ketë kufizim”, ka thënë ai për lajmi.net.

Kllokoqi ka deklaruar se është e vështirë që të kërkohet nga gastronomët të kontrollojnë klientët nëse janë të vaksinuar dhe nëse kanë teste, andaj presin ndihmën e organeve të rendit.

“Po shpresojmë me na dal në krah organet e rendit, se na atë rend është vështirë me e mbajt. Ose mund të ndjekim shembullin e Maqedonisë, ku policia dhe inspektorët kontrollojnë klientat”, ka përfunduar Kllokoqi.

Kujtojmë se edhe orari i lëvizjes është planifikuar të mbetet i njëjti, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm deri në ora 22:00, ndërsa nga ora 22:00 – 05:00 është planifikuar të mbetet në fuqi ora policore.

Po kërkohej nga policia që dy muaj, arrestohet i dyshuari

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Suharekë, i cili ishte në kërkim të policisë që dy muaj.

Sipas policisë me 28 korrik në stacionin policor në Suharekë, viktima D.K. kishte raportuar një rast të “Keqpërdorimit të Besimit”, ku personi i dyshuar A.Z. me datën 27.07.2021 ja kishte kërkuar veturën e tij të tipit “Skoda Oktavi” me targa vendore për ta kryer një shërbim familjar. Më pas, i dyshuari nuk ia kishte kthyer veturën.

Me 28 korrik në stacionin policor në Suharekë, viktima D.K. kishte raportuar një rast të “Keqpërdorimit të Besimit”, ku personi i dyshuar A.Z. me datën 27.07.2021 ja kishte kërkuar veturën e tij të tipit “Skoda Oktavi” me targa vendore për ta kryer një shërbim familjar. Më pas, i dyshuari nuk ia kishte kthyer veturën.

Njësiti i hetimeve të stacionit policor në Suhareke, ka filluar me hetime lidhur me këtë raste ku është kërkuar i dyshuari në shtëpinë të cilën jeton, po nuk është arritur që të kapet. Sipas njoftimit të PK-së, i njëjti është futur në listën e personave në kërkim.

Më 14 shtator ndaj tij është iniciuar rast për kanosje ndaj një personi tjetër duke i kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave prej 600 euro. Më 21 shtator, viktima ka njoftuar se sërish i dyshuari e ka kanosur dhe i ka kërkuar para.

Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ngritën temperaturat të premten

Periskopi.com Lajme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës -IHK ka publikuar parashikimin e motit për ditën e premte.

Sipas IHK-së, do të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat më të theksuara do të jenë për rreth relievit malor.

Temperaturat minimale do të shënojnë rënie të theksuara dhe do të jenë tipike vjeshtore.

Minimalet do të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-25 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes

Komunat kërkojnë të fillojë viti shkollor, të konsiderohet edhe mësimi online

Periskopi.com Lajme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar sot se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar që të vazhdojnë masat për shkollat, për shkak të përhapjes së variantit Delta te moshat e reja. Por, Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se mund të përdoret një nga katër skenariot për fillimin e vitit të ri shkollor.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se nuk është e domosdoshme të fillohet mësimi vetëm me prezencë fizike të nxënësve nëpër shkolla.

Ibrahimi thotë se bazuar në vlerësimin e Task Forcës Komunale, mësimi mund të fillojë online për shkollat ku mund të ketë rrezik më të lartë të përhapjes së virusit, apo me prezencë fizike në shkollat ku ka më pak nxënës dhe rreziku për përhapje të virusit është më i ulët.

“Kolegjiumi i drejtorëve të arsimit në takimin e djeshëm ka konsideruar që janë pjekur kushtet për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22 dhe iu është lënë në kompetencë të Task Forcave komunale të vendosin se cili nga katër skenariot mund të zbatohet për fillimin e vtitit të ri shkollor. Një skenario është me prezencë fizike, në ato komuna që Task Forca vlerëson se nuk ka kushte për të filluar mësimi me prezencë fizike, mund të fillojë online. Njëri nga këto katër skenario mund të përdoret për fillimin e vitit të ri shkollor, sepse deri sot janë humbur 90 ditë të mësimit. Nuk është patjetër të fillohet me prezencë fizike”, ka deklaruar Ibrahimi.

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka kundërshuar shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se

“Ne jemi deklaruar se çdo shtyrje e radhës e vitit shkollor do të paraqesë probleme shtesë dhe do të krijojë pikëpyetje se si do të mund të arrijmë t’i zëvendësojmë ditët dhe orët e humbura ngaqë se edhe deri me 27 shtator i kemi 18 ditë mësimi të humbura dhe do të kemi shumë telashe për t’i zëvendësuar ato. SBASHK është shprehur publikisht kundër çdo shtyrjeje të radhës, mendojmë se nëse vërtet institucionet e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja e shohin ende me rrezik fillimin fizik të vitit shkollor, atëherë MASHTI, DKA bashkë me ne dhe gjithë të tjerët duhet këto ditë të angazhohemi dhe të përgatitemi që të fillojmë me një version tjetër të mësimit, siç është mësimi online”, ka deklaruar Jasharaj për Blic.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi sot që nga e premtja janë duke diskutuar për të gjetur zgjidhjen më të mirë që të mos dëmtohet sistemi arsimor, megjithëse siç u shpreh ai rekomandimet e IKSHPK-së janë që të vazhdojnë masat për shkollat, për shkak të përhapjes së variantit Delta tek moshat e reja.

“Rekomandimet e IKSHPK-së kanë qenë që shkollat duhet të ndërpriten dhe kjo të vazhdohet. Por, jemi duke vazhduar që të bëjmë maksimumin që të respektohen rekomandimet që të merren masat tjera që nuk e dëmtojnë procesin arsimor. Por ne duhet të jemi koshientë për rrezikun kur të hapen shkollat, mbi 50 raste kanë qenë fëmijë që nuk kanë qenë të infektuar më herët me rastin Delta. Sistemi arsimor është më i afektuari nga pandemia”, deklaroi Vitia.

Deputeti suedez kërkon rritjen e tregtisë dhe liberalizimin e vizave për Kosovës

Periskopi.com Lajme

Deputeti suedez Magnus Jacobsson, i ka kërkuar shtetit të tij rritjen e bashkëpunimit tregtar me Kosovën.

Po ashtu ai ka kërkuar sërish përkrahje për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë.

Kështu bëri të ditur Naim Murseli, i cili është këshilltar politik i kryetarit të Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli.

“Sot deputeti suedez Magnus Jacobsson me dy mocione parlamentare i kërkon qeverisë suedeze rritjen e tregtisë mes Kosovës dhe BE-së dhe Suedisë si dhe liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Kërkohen dy miliardë doza të vaksinës për vendet e varfra

Periskopi.com Lajme

Prodhuesit e vaksinave kundër COVID-19 po e vënë përfitimin financiar para jetës së njerëzve, tha organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) të mërkurën, duke kërkuar shpërndarjen e dy miliardë dozave të vaksinës kundër koronavirusit për vendet më të varfra deri në fund të vitit.

Organizata për të drejtat e njeriut tha se kompanitë: AstraZeneca, Pfizer, BioNTech, Johnson & Johnson, Moderna, Novavax – që të gjitha kanë refuzuar të ndajnë doza ose njohuritë teknologjike për t’i mundësuar botës që të posedojë më shumë vaksina COVID-19.

“Nga 5.76 miliardë doza të injektuara në të gjithë botën, vetëm 0.3 për qind kanë shkuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mbi 79 për qind në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta”, tha shefja e Amnesty International, Agnes Callamard.

Në letrat dërguar Amnesty International të gjitha kompanitë ishin zotuar se mbështesin të drejtat e njeriut, por raporti tha se veprimet e tyre e shkelin këtë angazhim.

India dhe Afrika e Jugut kishin kërkuar në Organizatën Botërore të Tregtisë që kompanitë të ndajnë njohuritë e tyre për prodhimin e vaksinave, mirëpo të gjashtë kompanitë e kishin kundërshtuar këtë.

AI ka filluar një fushatë të re “për të mbajtur përgjegjësi shtetet dhe kompanitë farmaceutike të mëdha” për hendekun e furnizimit me vaksina.

Amnesty International tha se fushata është mbështetur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Edhe rreth 100 ditë kanë mbetur deri në fund të vitit, dhe objektivi i OBSH-së për të vaksinuar 40 për qind të popullsisë së vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme është në rrezik.

AI kërkon nga vendet e pasura që të shpërndajnë “qindra miliona doza të tepërta të vaksinave” dhe që prodhuesit e vaksinave të sigurojnë që të paktën gjysma e dozave të prodhuara të shkojnë në vendet më të varfra.

“Askush nuk duhet të kalojë një vit tjetër duke vuajtur dhe jetuar në frikë”, tha Callamard./REL

Reciprociteti i targave, policia ende në veri

Periskopi.com Lajme

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në Jarinjë, duke monitoruar gjendjen e sigurisë pas bllokadës së rrugës nga serbët lokal.

Përderisa ata kanë bërë ndërrimin e ekipit pas përfundimit të orarit.Rruga u bllokua pas vendosjes së reciprocitetit për targat nga Qeveria për automjetet që hyjnë nga Serbia.

Nata në këtë pikëkalim kufitar ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident, derisa numri i protestuesve ka qenë i vogël edhe për shkak të temperaturave të ulëta.Numri i protestuesve, që gjatë natës janë ndërruar me grupe, është rritur në mëngjes ku tashmë një numër më i madh i tyre po qëndrojnë aty.

E gjithë situata gjatë natës është përcjellë pos nga Njësia Speciale, edhe nga KFOR të cilat kanë patrulluar edhe me helikopterë.Kjo është dita e tretë e bllokadës së rrugës duke shkaktuar kolona të gjata dhe pamundësuar kalimin e kufirit me vetura.