Autori grek: Kosova e pavarur është një realitet politik i pakthyeshëm

Periskopi.com Lajme

Hulumtuesi i Lartë dhe Drejtuesi i Programit të Evropës Juglindore në Fondacionin Helen për Politikën Evropiane dhe të Jashtme, Ioannis Armakolas, ka shkruar një opinion të publikuar në edicionin e fundjavës të së përditshmes greke, Ta Nea, ku flet për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Ioannis Armakolas thotë në shkrimin e tij se politika e Greqisë për çështjen e Kosovës është një rast në pikën e “inercisë” së saj diplomatike, duke iu referuar kokëfortësisë së saj në ndryshimin e qasjes diplomatike.

Pasi ka hedhur poshtë argumentet e zakonshme të ngritura kundër njohjes së Kosovës nga Greqia, Armakolas thekson se Kosova e pavarur është një realitet politik i pakthyeshëm.

“Një Greqi e sigurt mund të formësojë një politikë të njohjes së realitetit, në mënyrë që të bashkëformojë zhvillimet e ardhshme në Ballkan, në përputhje me interesat e saj. Greqia përmes konsolidimit të statusit ndërkombëtar të Kosovës mund të kontribuojë në mënyrë të vendosur edhe në integrimin e rajonit në institucionet perëndimore, në kuadër të të cilave merr pjesë në procesin e vendimmarrjes së bashku me partnerët e saj evropianë. Ose mund të ruajë politikën e inercisë, duke lejuar kështu Turqinë dhe fuqitë e tjera të kapin iniciativat në rajon si dhe të shfrytëzojnë kushtet e paqëndrueshmërisë gjeopolitike që do të krijohej nga paaftësia e Perëndimit për të kontrolluar zhvillimet në Ballkan”, ka shkruar ndër të tjera Ioannis Armakolas, transmeton Klankosova.tv.