Autoritetet e BE-së zbusin rekomandimin për mbajtjen e maskës në avion

Periskopi.com Lajme

BE-ja i ka zbutur rekomandimet për rregulloret ndaj Coronës për pasagjerët e avionëve.

Detyrimi për mbajtjen e maskës do të vazhdojë të jetë në fuqi vetëm në vendet, ku rregulloret kombëtare ndaj Coronës e parashikojnë këtë. Këtë rregull vazhdojnë ta aplikojnë p.sh. Gjermania dhe Belgjika. Agjencia Europiane për Sigurinë Ajrore EASA dhe Autoriteti i BE-së për Shëndetësinë ECDC kanë filluar të zbusin direktivat për mbrojtjen ndaj Coronës në qarkullimin ajror. Ndër të tjera duke nisur nga java tjetër do të hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës nëpër aeroporte dhe gjatë fluturimit në avion, njoftuan autoritetet e BE-së. Por nëse në vendin nga niset avioni ose në destinacionin e tij vazhdon të jetë në fuqi rregullorja për mbajtjen e maskës, atëherë ky rregull do të vlejë edhe në bordin e avionit.

Ministria gjermane e Shëndetësisë shpjegoi e pyetur nga agjencia e lajmeve dpa, se për detyrimin për mbajtjen e maskës në avion vendosin autoritetet kombëtare. Ndaj ky rregull vazhdon të jetë në fuqi në fluturimet brenda Gjermanisë dhe në të gjitha fluturimet që nisen apo përfundojnë në Gjermani. Si rrjedhojë gjatë hapjes dhe zbritjes nga avioni si dhe gjatë gjithë fluturimit duhet mbajtur një maskë mjekësore ose një maskë FFP2. Maska  mund të hiqet vetëm gjatë ngrënies ose pirjes. Nga ky detyrim janë të përjashtuar fëmijët nën gjashtë vjeç.

Këto lehtësime kanë të bëjnë me të dhënat e fundit mbi zhvillimin e pandemisë. Ndër këto të dhëna janë kryesisht shifrat e vaksinimit, imuniteti i krijuar prej infeksionit dhe shfuqizimi i kufizimeve në një numër të madh të shteteve europiane./dw